Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka ftuar anëtarët e Qeverisë serbe që të respektojnë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, raporton Periskopi.
Vuçiq u ka thënë atyre se kjo rrugë nuk do të ndryshojë e as nuk do të varet nga dëshirat e ndonjë poeti.
“Politika jonë është Evropa, por edhe ruajtja dhe promovimi i miqësive me miqtë dhe aleatët tradicionalë, si Rusia e Kina. Kjo politikë është vendosur nga institucionet e Serbisë dhe nuk do të ndryshojë me dëshirën e asnjë politikani serb”, citon Tanjug, të ketë thënë Vuçiq.
Para gazetarëve, ai ka folur edhe për çështjen e transformimit të FSK’së në Ushtri.
Thotë se është i shqetësuar me përpjekjet që po bëhen nga politikanët në Kosovë, që kjo çështje të procedohet vetëm me Ligj, pa vota të serbëve, e pa ndryshime kushtetuese.
Madje, Vuçiq thotë se një gjë e tillë është e pritur dhe nuk do të ishte hera e parë që Prishtina do të vepronte kundër rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare.
“Unë jam i shqetësuar me gjithçka që bëjnë ata. Natyrisht, nuk jemi të frikësuar, vetëm se shqetësohemi. Do të kishte qenë mirë që përkrahësit e Kosovës, ata që e shpallen shtet të pavarur, t’u bëjnë thirrje që populli i tyre të sillet më me seriozitet dhe përgjegjësi”, citohet të ketë thënë Vuçiq./Periskopi/