Marrëdhëniet bilaterale dhe mundësia e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë ka qenë temë e diskutimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kancelares gjermane, Angela Merkel në një takim në Britani të Madhe.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar përmes një deklarate se dy palët kanë diskutuar edhe për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në raport me BE-në, si dhe për procesin e finalizimit të dialogut me Serbinë.
“Partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është i një rëndësie të veçantë, duke njohur rolin dhe kontributin e Gjermanisë edhe në procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila i ka hapur rrugë Kosovës që të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet tjera të rajonit”, është shprehur Haradinaj.
Pala nga Kosova ka kërkuar nga Gjermania mbështetje të mëtutjeshme në procesin e liberalizimit të vizave.
Merkel, në anën tjetër është shprehur e gatshme për ta ndihmuar Kosovën që të jetë e barabartë dhe të kontribuojë në stabilitetetin e gjithë rajonit./REL