Virusi Corona vazhdon të përhapet në SHBA. Ndërkohë ky vend ka kaluar numrin e 90.000 të vdekurve nga virusi. Presidenti Donald Trump ka urdhëruar kufizime të forta të udhëtimit në vend dhe rregullore të ashpra për imigrimin, por fluturimet me personat që dëbohen nga SHBA vazhdojnë të kryhen në drejtim të Amerikës Latine dhe Karaibeve. Mes tyre mjaft janë të infektuar me virusin Corona.
Kritikët thonë, se SHBA me praktikën e saj të pamëshirshme të dëbimit e përhapin virusin në vende, ku sistemet shëndetësore janë gati në kolaps për shkak të pandemisë. Haiti një vend me 11 milionë banorë ka më pak se 60 aparate intubimi. Vetëm pas një raportimi të gazetës “Miami Herald”, 5 haitianë që janë testuar pozitivisht me virusin nuk u morën në fluturimet e dëbimit për në vendlindje. “Qeveria amerikane është definitivisht bashkëpërgjegjëse për përhapjen e pandemisë së COVID-19”, thotë për Deutsche Wellen, Ariana Sawyer, eksperte e migracionit për programin e SHBA të organizatës për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch. Megjithë kufizimet botërore dhe kundër rekomandimeve të ekspertëve të shëndetësisë, autoriteti i migracionit, ICE ka dëbuar njerëz që kanë qenë të testuar pozitivisht me virusin.
Guatemala përballë SHBA
Guatemala i vuan veçanërisht pasojat e këtyre dëbimeve. Herë pas here ky vend i ka pezulluar fluturimet me SHBA javët e kaluara, por shteti amerikanoqendror nuk do ta zemërojë shumë partnerin e fuqishëm në veri. E ai këmbëngul që migrantët të kthehen pa shumë burokracira. Këtë e vlerësojnë në fund të fundit votuesit e Donald Trump. Një funksionar amerikan tha për revistën “The New Yorker”, se “dëbimet duhet të vazhdojnë”. Trump ka kërcënuar me sanksione, nëse vendet refuzojnë pranimin e migrantëve të dëbuar.
Ministri guatemalas i Shëndetësisë, Hugo Monroy tha, se 50 deri në 75 Prozent e të dëbuarve kanë virusin. Vetëm pas ankimit të qeverisë së Guatemalës për një numër të lartë të të infektuarve që kthehen, SHBA dërgoi ekspertë të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Ndalimin në Guatemalë. Dëbimet nga SHBA e ashpërsojnë situatën e krizës së pandemisë në këtë vend. Pas këmbënguljes së qeverisë së Guatemalës, autoriteti i migracionit, ICE në SHBA tani para dëbimit po i kontrollon migrantët. Kush ka temperaturë më shumë se 37,2 grad nuk hipën në avion, por futet në një qendër kanrantine.
Demokratët: Nuk duhet të shkelen standardet humanitare
Sipas ekspertës së migracionit, Saywer, ICE e ka përgjegjësinë për testimin e migrantëve. Ajo është skeptike. „Kemi parë që në shumicën e rasteve ICE nuk teston për Coronën. Në vend të kësaj ata kontrollojnë për simptoma si temperatura e lartë apo simptoma të tjera. Në një kohë që dihet, se shumë vetë që e kanë virusin nuk tregojnë simptoma. Kjo do të thotë që këto kontrolle nuk mjaftojnë.”
Disa senatorë demokratë, mes tyre edhe ish-kandidatët për zgjedhjet presidenciale, Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren i kanë dërguar një letër të hapur qeverisë së Donald Trump. Ata kërkojnë që të gjithë migrantët që duhet të dëbohen të kontrollohen më parë për virusin Corona. T’i kthesh me detyrim personat që kanë virusin në vendet e tyre shkel rregullat humanitare e standardet shëndetësore, që vendi ynë duhet t’i respektojë në rast të një pandemie, shkruajnë ata. /DW