Mbretërësha Elizabetë ka mbajtur fjalimin e përvitshëm të Krishtlindjeve, teksa ajo dhe bashkëshorti i saj kanë qëndruar larg anëtarëve të tjerë të familjes për shkak të kufizimeve të coronavirusit.
Mbretëresha i është drejtuar qytetarëve që këtë vit po i festojnë Krishtlindjet larg familjarëve të tyre duke iu thënë “nuk jeni vetëm”, teksa i bëri thirrje popullit britanik që “le të jetë mirësia dhe shpresa ajo që do të na drejtojë në këtë vit të ri”.
Ajo ka pranuar se njerëz të të gjitha besimeve nuk kanë mundur të festojnë ritet fetare “ashtu siç do të kishin dëshiruar” këtë vit për shkak të krizës shëndetësore globale, megjithatë theksoi se “jeta duhet të vazhdojë”.
Më tej, Mbretëresha ka vlerësuar punonjësit në vijën e parë të luftës “me mbështetjen e arritjeve tëmrekullueshme të shkencës moderne” për gjithë punën e bërë gjatë vitit. “Iu kemi një borxh mirënjohjeje”, tha ajo.
Por ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen për të gjithë popujt anë e mbanë botës që “kanë kapërcyer në mënyrë të mahnitshme sfidat e vitit dhe jam shumë krenare dhe e prekur nga ky shpirt i pathyeshëm”.
“Ne vazhdojmë të jemi të frymëzuar nga mirësia e të panjohurve dhe ngushëllohemi se edhe në ditët më të errëta, ka shpresë për agimin e ri”, tha ajo.
Pandemia i ka marrë jetën rreth 70 mijë personave në Mbretërinë e Bashkuar, shifra e dytë më e lartë në Europë, pas Italisë.
Gjatë dy ditëve të fundit, Britania ka shënuar shifra rekord të infektuarish, me afërsisht 40 mijë raste në ditë.
Varianti i ri i COVID-19, i cili është 70 për qind më i transmetueshëm, i ka detyruar autoritetet që të shtojnë masat gjatë festave të fundvitit duke ndaluar mbledhjet familjare në kryeqytet dhe në pjesën lindore të Anglisë.
“Për shumë prej jush, kjo periudhë e vitit mund të jetë e ngjyrosur me trishtim, disa janë duke vajtuar humbjen e personave të dashur, ndërsa të tjerëve iu mungojnë miqtë dhe familjarët, të distancuar për të qenë të sigurt ndërkohë që e vetmja gjë që duan është një përqafim i thjeshtë apo një shtrëngim dore”, tha Mbretëresha gjatë fjalimit të saj.
“Nëse jeni midis tyre, nuk jeni vetëm“, shtoi ajo.