Në Gjermani, numri i rasteve të reja Covid vazhdon të rritet: të dhënat e fundit flasin për 45,081 infeksione të reja në 24 orët e fundit (tre ditë më parë ishin 39,676, dhjetë ditë më parë 20,676), dhe një incidencë kombëtare prej 277.4 raste për 100 mijë banorë (por tre komuna në Bavari dhe një në Saksoni, kalojnë 1000). Vdekjet, ditën e fundit, ishin 228, duke e çuar totalin që nga fillimi i pandemisë në 97,617.
Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka ftuar të gjithë qytetarët e paimunizuar që të vaksinohen sa më shpejt. “Na presin javë shumë të vështira përpara nesh. Le të qëndrojmë së bashku”, tha ai në ‘podkastin’ e saj javor.
“Nëse mendojmë të mbrojmë veten dhe të kujdesemi për të tjerët, mund të shpëtojmë shumë pasoja negative për vendin tonë këtë dimër”.
Ditët e fundit, Christian Drosten, virolog në Charité në Berlin, kishte shpjeguar se rreziku është ai i një numri dramatik – 100,000 vdekje të tjera në dimër; dhe zëdhënësi i Angela Merkelit, Steffen Seibert, kishte ftuar të ndiqej shembulli i Italisë, Portugalisë dhe Spanjës: “Nëse do të kishim 10-15% më shumë njerëz të vaksinuar, do të kishim një incidencë më të ulët të virusit”.
Epidemiologu Alexander Kekulé, profesor i virologjisë në Universitetin e Halle-Wittenberg, shpjegoi se “nënvlerësimi i rolit të të vaksinuarve nga politika, po kontribuon gjithashtu në numrin e lartë të infeksioneve të reja. Sigurisht, përqindja e personave të pavaksinuar është ende shumë e lartë dhe ne e dimë se nëse infektohen, ata sëmuren menjëherë rëndë. Por virusi po përhapet edhe në mesin e të vaksinuarve. Vaksina është efektive në një përqindje njerëzish që variojnë midis 50% dhe 70%, që do të thotë se nga dhjetë të vaksinuar, 3 deri në 5 mund të transmetojnë virusin. Dhe kur manifestimet lejohen pa më shumë masa kontrolli, pa analiza dhe distancim, ato bëhen vatra infeksioni”.
Sipas të dhënave fillestare, përqindja e infeksioneve tek personat e vaksinuar është më e lartë tek ata që kanë bërë vaksinën J&J.
“Unë ju kërkoj: bashkohuni me ne dhe gjithashtu përpiquni të bindni të afërmit dhe miqtë”, tha Merkel, e cila theksoi nevojën që të vaksinuarit të planifikojnë dozën e tretë.
https://youtu.be/gan7-EUy7v8
Fëmijët nën 12 vjeç, të cilët ende nuk mund të vaksinohen në Gjermani, janë ndër më të prekurit dhe kreu i Shoqatës së Mësuesve Gjermanë, paralajmëroi të shtunën se zyrat lokale shëndetësore, po përpiqen të mbajnë nën kontroll shumë shpërthime në shkolla.
“Realiteti është se ne jemi tashmë në prag të humbjes së kontrollit në disa pika të nxehta”, tha Heinz-Peter Meidinger për të përjavshmen “Welt am Sonntag”. “Ne nuk dimë më se si t’i përmbajmë shpërthimet në shkolla”.
“Shkollat janë rihapur me kohë të plotë, por shumica e nxënësve nuk janë të vaksinuar: kjo është një valë e padukshme, sepse nxënësit, ashtu si të vaksinuarit, kanë simptoma relativisht të lehta dhe nuk i marrin seriozisht”, tha Kekulé.
“Kjo incidencë masive më pas transmetohet te të pavaksinuarit, të cilët fatkeqësisht në Gjermani janë rreth 30 milionë të rritur, me rezultat që të moshuarit sëmuren rëndë dhe kthehen të mbushin repartet e terapisë intensive, duke vënë stres në sistemin shëndetësor”.
Përshtati: Gazeta “Si”