“Ata i kanë mashtruar”, thotë Andrei Kurochkin, i cili merr frymë thellë.
Shumë prej tyre shkuan në luftë pa e ditur.
Atyre iu thanë se shërbimi i tyre i fundit do të ishte një trajnim njëmujor në Bjellorusi.
Të sapoarmatosur, djemtë dërgohen në kufi për stërvitje dhe befas marrin në telefon në shtëpi për të thënë se statusi i tyre si ushtar ka ndryshuar, ashtu si edhe misioni i tyre.
Organizata joqeveritare, në të cilën Kurochkin është nënkryetar operacional, u krijua në fund të viteve ‘80, në kohën e tërheqjes së ushtrisë sovjetike nga Afganistani.
Fillimisht rekrutët nënshkruajnë kontratën ushtarake dhe, më pas, “pa e ditur se për çfarë kanë firmosur, dërgohen në kufirin me Ukrainën”.
Sipas tij, kohët ndryshojnë, por lufta mbetet gjithmonë e njëjta.
Komiteti i Nënave të Ushtarëve Rusë gjendet pikërisht prapa ndërtesës Lubyanka, e cila dikur ishte selia e KGB-së, të lëna në harresë, në fund të një rrugice me baltë.
“Tani”, shpjegon Kurochkin, “kemi marrë pa fund mesazhe nga familje të shqetësuara për fatin e fëmijëve të tyre, rekrutët, sigurisht jo ushtarë profesionistë dhe në shumë raste as të gatshëm për t’u bërë të tillë, të cilët papritmas u gjendën në vijën e parë të frontit”.
Në njëfarë mënyre, rekrutët detyrohen të nënshkruajnë kontratën ushtarake dhe menjëherë pas kësaj dërgohen në kufirin me Ukrainën.
Disa konfirmime vijnë edhe nga mediat online.
“Im bir u nis për shërbimin ushtarak në dhjetor të 2021-shit dhe tani po lufton në Ukrainë”, shkruan një grua në kanalin “Telegram” të Komitetit.
Si për të rritur ankthin dhe panikun e familjeve është e pashmangshme edhe propaganda e luftës në kohën e mediave sociale.
Më 24 shkurt, ditën e parë të pushtimit, Anton Gerascenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, postoi një foto të dy ushtarëve të parë rusë të zënë rob në Facebook.
“Dy fëmijë”, ishte komenti i tij. Dhe, ai nuk kishte gabuar.
Njëri prej tyre quhej Rafik Rakhmankulov, 19 vjeç, nga Petrovka, në rajonin e Saratovit.
Menjëherë, vërshoi përgënjeshtrimi i kanaleve të televizioneve të Federatës Ruse, duke e cilësuar këtë lajm si “të rremë”.
Por, televizionet e pavarura ia dolën të lidheshin me babain e djalit. Edhe reporterët e BBC në Ukrainë intervistuan një grua, e cila pretendonte se është nëna e ushtarit të dytë, gjithashtu 19 vjeç.
Të dy pohuan se fëmijët e tyre as nuk e dinin se ishin të destinuar për në Ukrainë.
Sipas ligjit rus “ushtarët lejohen të dërgohen në zonat e luftimit vetëm pasi të kenë kaluar katër muaj që nga fillimi i shërbimit të tyre profesional në ushtri”.
Dëshmi të tjera tregojnë për një qasje të papritur ndaj asaj që do të bëhej fronti.
Dy ditë para pushtimit, thuhet se ushtarët u transferuan në rajonin e Belgorodit, pranë kufirit me Ukrainën. Dhe prej andej hynë brenda.
“Ne po mbledhim të dhëna nga rekrutët për t’ia përcjellë këtë informacion prokurorit ushtarak, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrive të tjera”, thotë Kurochkin me një ton zëri të pakënaqur. “Ky mobilizim i papritur i të rinjve – ende të papërgatitur për luftë – nuk ishte parë kurrë më parë”.
Edhe Kurochkin bëhet dyshues dhe pyet: Kjo është për shkak të një lufte të vendosur me nxitim, apo është një shenjë dobësie në sistemin ushtarak?
E vetmja përgjigje e sigurt është se zëri i familjeve të rekrutëve do të bjerë në vesh të shurdhër.
Autoritetet ruse kanë probleme më urgjente.
Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë ruse pranoi se pësoi humbje njerëzore në Ukrainë vetëm para dy ditëve.
Por, një deklaratë me disa rreshta, pa asnjë shifër, pa asnjë referencë për vdekje apo lëndime.
“Corriere della Serra”