Mërgimtarët e Gostivarit nga Zvicra, para disa ditësh kanë sjellë 160 palë këpucë dimri për fëmijët në nevojë.
Këto këpucë u shpërndanë me shumë sukses, në bashkëpunim me iniciativën humanitare “Mos hidh, por dhuro” dhe Komunën e Gostivarit, raporton “Tv Globi”.
Megjithatë, nevoja ka qenë shumë më e madhe, prandaj mërgimtarët në Zvicër, do të organizohen edhe një herë për të sjellur për fëmijët që kanë nevojë në vendlindjen e tyre, këpucë tjera.
Kësaj radhe janë paralajmëruar 1.000 palë këpucë, përcjell albinfo.ch.
Krye organizator i këtij aktiviteti humanitar, mërgimtari Adis Tairi, ka ftuar çdo mërgimtar të Gostivarit t’i bashkëngjitet nismës humanitare nga ana e tij për të ndihmuar vendlindjen.
Tairi, njofton se është në kontakt me një kompani nga Zvicra për të blerë këpucë të reja, por që numri të jetë sa më i lartë, pret dhe fton edhe mërgimtarët tjerë t’i bashkëngjiten nismës humanitare.
Pasi të sigurohen këpucët e reja do të shpërndahen në shkolla dhe te familjet që kanë nevojë.