Ballina Bota ANALIZA: Greqia mbetet vetëm përballë mijëra emigrantëve në kufi

ANALIZA: Greqia mbetet vetëm përballë mijëra emigrantëve në kufi

Të martën, presidentët e Këshillit Europian, Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian vizitojnë kufirin tokësor greko-turk, nga ku mijëra emigrantë po përleshen me policinë greke për të hyrë në BE. Por përveç gjesteve simbolike, Greqia nuk ka marrë asnjë ndihmë tjetër nga BE-ja.

“Për tetë muajt e fundit, Ankaraja ka kërcënuar të hapë dyert për refugjatët”, tha zv/Ministri grek i Emigracionit George Koumoutsakos. “Ne u kemi thënë vazhdimisht të gjithë homologëve tanë se ata duhet t’i merrnin seriozisht këto paralajmërime. Por kërkesat tona jo vetëm që janë injoruar por ne jemi lënë tanimë të vetëm përballë këtij fluksi. Vendet që gjenden në frontin e ‘betejës’ si Greqia kanë të drejtë të presin solidaritet nga anëtarët e tjerë të BE”, tha Koumoutsakos.

Por ndërkohë që të gjitha qendrat e emigrantëve janë të tej mbushura, Greqia pret më shumë nga Brukseli.

Më shumë se 10,000 emigrantë kanë mbërritur në kufirin tokësor të Turqisë me Greqinë dhe Bullgarinë dhe Athina thotë se të paktën 1.000 njerëz kanë mbërritur në ishujt e saj që prej mëngjesit të së dielës. Autoritet greke paralajmërojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të emigrantëve që përpiqen të hyjnë në BE nëse Turqia i mban të hapura kufijtë.

“Por BE-ja e ka treguar qartë se Athina nuk duhet të shpresojë për veprime konkrete”, tha George Pagoulatos, drejtori i përgjithshëm i organizatës “Eliamep”.

“Qeveria Greke tashmë ka kërkuar vendosjen e ekipit të shpejtë të ndërhyrjes kufitare të Frontex dhe mori komente mbështetëse nga disa zyrtarë të lartë të BE”, tha ai. “Por Athina nuk mund të ndihmohet me fjalë. Qeveria pret një ndërhyrje diplomatike për të zbutur krizën siriane ose ndarjen e barrës së azilkërkuesve midis vendeve anëtare të BE-së”, thotë Pogoulatos. “Por për momentin BE e ka bërë të qartë se nuk do ka ndërmend të bëjë asnjërën”

Edhe takimi urgjent i ministrave të jashtëm të BE më vonë këtë javë do të jetë joformal dhe nuk do të jetë në gjendje të marrë vendime të menjëhershme. Ndërkohë, qeveria e kryeministrit Qiriakos Mitsotaqis ka marrë masat e veta. Ushtria është vendosur përgjatë kufirit, dhe oficerët u përpoqën të shpërndanin emigrantët e mbledhur në kufirin turk me gaz lotsjellës dhe të shtëna paralajmëruese.

Qeveria njoftoi gjithashtu të Dielën se nuk do të pranojë më asnjë kërkesë të re për azil për një muaj dhe se do të përpiqet të shtyjë prapa emigrantët. Mitsotakis tha se po zbatonte nenin 78.3 të traktatit të BE “për të siguruar mbështetje të plotë europiane” dhe të nxiste masa emergjente për zhvendosjen.

Por Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka paralajmëruar Greqinë se pezullimi i kërkesave për azil dhe përzënia e refugjatëve janë të paligjshme si në përputhje me ligjin ndërkombëtar ashtu edhe me atë të BE. Sipas saj, Greqia është e detyruar të pranojë dhe strehojë çdo emigrant që hyn në kufijtë e vendit fqinj.

Por Koumoutsakos thotë kritikat dhe kushtet duhet t’i vihen Turqisë dhe jo Greqisë, e cila sipas tij po paguan për gabimet diplomatike të BE-së. “Vendi ynë ka nevojë urgjente për të mbrojtur kufijtë dhe sigurinë e tij. Ky është detyra më e lartë dhe më e rëndësishme e çdo shteti demokratik “.

Nick Malkoutzis, redaktori i revistës greke “MacroPolis”, tha se Athina kishte mësuar mësimin nga kriza e refugjatëve në 2015 se nëse nuk i mbyll kufijtë, çdo emigrantë do të arrijnë në BE duke marshuar përmes Greqisë.

Azilkërkuesit që po mblidhen në kufijtë e Greqisë janë parë si prova e parë e madhe për qeverinë konservatore të Mitsotakis që kur erdhi në pushtet korrikun e kaluar.

“Qeveria mendon se duhet të shihet të veprojë me vendosmëri, duke mos u përkulur përpara presionit të Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe duke mos lejuar asnjë fluks të madh të cënojë sigurinë e vendit, “Tha Malkoutzis.

“Europa duhet t’i tregojë Erdoganit se nuk ka frikë se ai do të hapë kufijë”, tha Dimitris Vitsas, deputet i Sirizës dhe ish-ministër i migracionit

Siriza, e cila ishte në pushtet gjatë krizës së vitit 2015, i ka bërë thirrje qeverisë të kërkojë mbledhjen e një samiti të jashtëzakonshëm të BE-së për të dalë me një zgjidhje afatgjatë dhe të përqëndrohet në zbutjen e situatës në ishujt e mbipopulluar nga refugjatët.

Para se të vinte në pushtet, Demokracia e Re dhe vetë kryeministri Mitsotaqis kishin akuzuar Sirizën se ishte shumë e butë me emigrantët. Por tani që është në pushtet, edhe vetë qeveria e re gjithashtu ka luftuar të gjejë një mënyrë efektive për të adresuar këtë çështje. Ardhjet e emigrantëve në ishujt grekë u rritën ndjeshëm muajt e fundit edhe para vendimit të Turqisë për hapjen e kufijve.

Si rezultat, Mitsotakis ka qënë nën presion nga grupet e ashpër brenda partisë së tij për të adoptuar një qasje më të ashpër.

Qeveria tashmë ka shtyrë legjislacionin që synon të shpejtojë dëbimin e azilkërkuesve dhe ishte në proces ndërtimi të disa kampeve të mbyllura në ishuj.

Por në mungesë të një plani të BE-së për ta ndihmuar në përballimin e fluksit, Greqia është përballë një krize të madhe humanitare.

Burimet: “Politico.Eu”. “Ekathimerini”

@tn.lajmelokale
@tetovanews