Ballina Aktualitet Maqedoni e Veriut – Rritet numri i rasteve të reja me Covid-19,...

Maqedoni e Veriut – Rritet numri i rasteve të reja me Covid-19, 36 në 24 orët e fundit

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19 vihet në pikëpyetje lehtësimi i masave restriktive. Jozyrtarisht, Alsat mëson se në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse është konstatuar se për momentin nuk duhet të lehtësohen masat që janë në fuqi.

Ndërsa të gjithë janë në pritje të lehtësimit të masave, Tetova sot ka shënuar numrin më të madh të të prekurve me kororna virus, 12 raste pozitive. Ndërkohë, numri i përgjithshëm në 24 orët e fundit ka arritur në 36 të infektuar duke përfshirë Shkupin më 7 të infektuar, Veles 6, Kumanovë 4, Prilep 4, Gostivar 1, Pehçevë 1 dhe Berovë 1. Janë shëruar 13 pacientë ndërsa 1 ka ndërruar jetë. Zv, ministri I Shëndetësisë, Armend Arsllani gjatë qëndrimit në Tetovë, tha se spitali në Tetovë ka vënë në dispozicion të gjithë kapacitetin e tij në rast të rritjes së numrit të të prekurve me Covid 19.

Janë raste të reja për të cilët epidemiologët dhe ekspertët e tjerë po bëjnë anketimet dhe po kërkojnë për të diferencuar klasterin se prej ku vijnë të njëjtat – deklaroi Armend Arsllani, zv ministër i Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, drejtori I Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti shprehet I shqetësuar për numrin e fundit të të infektuarve me korona virus në Tetovë. Ai thotë se e gjithë kjo është si rezultat i pakujdesisë dhe mos respektimit të masave.

Nëse do të kemi numër me Covid 19 pozitiv që do të rritet atëherë parashtrohet pyetja se si ne do të arrijmë që këto kufizime ti lehtësojmë në ditët në vijim. Nëpër vende të caktuara, komuna të caktuara apo lokalitete të caktuara nuk po respektohen dhe si rezultat I asaj kemi edhe kthimin e rasteve me Covid 19. Kemi raste që janë edhe asimptomatike, raste që njerëzit nuk e tregojnë të vërtetën nëpër intervsta që bëhen nga epidemiologët – deklaroi Shaban Memeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Edhe hapja e kufijve do të varet nga zhvillimet në vend me virusin korona. Këtë e tha ministri i punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov i cili paralajmëroi një konferencë të përbashkët me kolegët e tij nga vendet e rajonit.

Hapja e kufijve patjetër të jetë e koordinuar që të ketë kutpim. Këtë duhet ta bisedojmë bashkë me ministrin e Shëndetësisë sepse patjetër të kemi një sistem të veçantë për komunikim dhe lëvizje. Nëse njeri shtet kërkon testimin ndërsa tjetri jo atëherë zinxhiri këputet. Kështu që patjetër duhet të koordinohemi dhe mes tjerash të bisedojmë edhe për këtë – tha Nikolla Dimitrov, ministër i punëve të jashtme.

Greqia dhe Serbia kanë paralajmëruar testime në hyrje të shteteve të tyre me qëllim të mbrojtjes nga koronavirusi ose të mbajnë me vete vërtetim se janë negative ndaj Covid 19.

@tn.lajmelokale
@tetovanews