Ballina Bota Politika e jashtme amerikane, Biden do rindërtojë marrëdhëniet me aleatët

Politika e jashtme amerikane, Biden do rindërtojë marrëdhëniet me aleatët

Nga Sabra Ayres, Spectrumnews1

Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, presidenti i zgjedhur Joe Biden ka premtuar se do të forcojë lidhjet me aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe do të qëndrojë i fortë përpara regjimeve autoritare në të gjithë botën.

Por rindërtimi i reputacionit global të Amerikës nuk do të jetë i lehtë. Nën qasjen e presidentit Donald Trump “Amerika First”, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara si një udhëheqës dikur i frikshëm në skenën gjeopolitike u shkatërrua nga aleancat e prishura, tërheqja nga institucionet ndërkombëtare dhe marrëveshjet dhe  tërheqja e Amerikës në tregti dhe diplomaci.

“Besimi në udhëheqjen  amerikane është dobësuar shumë dhe Biden nuk mund ta eliminojë të gjithë atë,” tha Robert Hutchings, një profesor në Universitetin Princeto.

Shumë aleatë të  ngushtë të Amerikës  shpresojnë të përmirësojnë marrëdhënien nën udhëheqjen e Biden.  Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel, e cila kishte një marrëdhënie jo shumë të mirë me Trump gjatë katër viteve të udhëheqjes së tij,  deklaroi se mezi priste të punonte me presidentin e zgjedhur Biden. “Miqësia jonë trans-atlantike është e pazëvendësueshme nëse duam të jemi mbi sfidat e mëdha të epokës tonë,” tha  në një deklaratë.

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, i cili ka pasur disa mosmarrëveshje me Trump, reagoi ndaj lajmit për fitoren e Biden duke shkruar në Twitter, “Është koha të ndërtojmë ura jo mure”.

Aleatët e Trump kanë heshtur deri më tani. Në Rusi, zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin tha të hënën se Kremlini nuk do të uronte një president të ardhshëm të SHBA-së derisa të zgjidheshin “sfidat ligjore” për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro, një udhëheqës populist, i cili mbështeste hapur rizgjedhjen e Trump, gjithashtu nuk ka uruar Biden, transmeton abcnews.al

Mbështetësit e qasjes izoluese të Trump ndaj politikës së jashtme kanë treguar disa arritje në marrëdhëniet ndërkombëtare në katër vitet e fundit. Trump nisi një ri-negocim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, ose NAFTA, e cila u pa si një fitore bipartizane.

Zyrtarët amerikanë ranë dakord me talebanët për të tërhequr trupat amerikane, pas 19 vitesh luftë. Ky plan ka mbetur i paqartë, pasi qindra civilë janë vrarë në sulmet e vazhdueshme në Afganistan.

Në tetor 2019, një sulm me dron amerikan vrau udhëheqësin e shtetit të vetëshpallur Islam, Abu Bakr al-Bagdadi. Trump ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit, Bahreinit dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilën shumë analistë thanë se do të krijonte një aleancë kundër Iranit.

Mbështetësit e Trump  mbështetën politikën e tij ndaj imigracionit dhe refuzimin e refugjatëve në SHBA edhe kur organizatat e të drejtave të njeriut akuzuan shërbimet e imigracionit të SHBA-së për abuzim,  ndarjen e fëmijëve nga prindërit përgjatë kufirit.

“Pikërisht për këtë gjë, Trump ka demonstruar një gatishmëri për të tërhequr SHBA-në nga paktet ndërkombëtare – si Marrëveshja e Iranit dhe Marrëveshja e Klimës së Parisit  që ai e konsideronte joefektive dhe në kundërshtim me interesat  kombëtare”, shkroi James Jay Carafano, një ekspert i sigurisë në institutin konservator Heritage Foundation në Uashington.

“Për sa i përket akuzës që Trump do të tjetërsojë ose braktisë aleatët e tij, fakti është se shumica e këtyre marrëdhënieve janë ende të vlefshme, tha Caragano në një artikull të postuar në faqen e Fondacionit Heritage.

Politika e jashtme e Biden-it do të përqendrohet te aleatët, jo tek kundërshtarët

Gjatë fushatës Biden tha se një nga hapat e tij të parë do të ishte vazhdimi i marrëveshjes së klimës në Paris.

Ai ka thënë gjithashtu se do të përpiqet të shfuqizojë shumë urdhra ekzekutivë të Trump për imigracionin. E para dhe më e rëndësishmja, Biden do të fokusohet të organizata si OBSH në mënyrë që të koordinojë një përpjekje ndërkombëtare për të kontrolluar pandeminë e koronavirusit.

Pjesa tjetër e strategjisë së politikës së jashtme të SHBA-së ka të ngjarë të zhvillohet më ngadalë, por Biden, i cili ka shërbyer në të dy dhomat e Kongresit, si dhe tetë vite si nënkryetar, ka një vizion shumë të qartë të institucioneve qeverisëse,”tha Hutchings.

“Presidenti i fundit i cili ka pasur shumë njohuri për agjencitë e qeverisë dhe punën e kongresit më shumë sesa Biden ka qenë Geroge W Bush,” tha Hutchings, i cili ka shërbyer si drejtor për çështjet europiane, dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së.

Europa

Fakti që shumë udhëheqës europianë përgëzuan Biden tregon lehtësimin dhe shpresën e tyre se marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe kryeqyteteve europiane tani do të kthehen në gjendjen e mëparshme normale, tha Dominic Thomas, kryetar i Departamentit të studimeve franceze dhe Frankofone në Universitetin të Kalifornisë, Los Angeles.

Njerëzit në të gjithë botën qëndruan deri vonë duke parë zgjedhjet e SHBA-së në kanalet televizive. Shumë vëzhgues i kanë panë zgjedhjet midis “një vizioni të mbyllur’ (Make America great again) përkundrejt një bote më të hapur dhe të larmishme dhe shumëpalëshe”.

Administrata e Biden tani duhet të nxjerrë në pah rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit midis shumë vendeve, tha Thomas. “Pandemia globale COVID-19  nxjerr në pah faktin se pse të punosh së bashku për të gjetur një zgjidhje për këtë problem të përbashkët është kaq e rëndësishme,” tha ai.

Europianët, pas katër viteve në pushtet të Trump, janë ende të kujdesshëm se “Trumpizmi” dhe format e tjera të populizmit dhe nacionalizmit nuk kanë mbaruar ende, tha Thomas. Kombet europiane kanë parë gjithashtu ngritjen e nacionalizmit, duke përfshirë daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian dhe qeveritë populiste në Europën Lindore. Gjermania ka parë një rritje të mbështetjes për politikën e ekstremit të djathtë.

“Trump u përpoq të dobësonte Bashkimin Europian dhe kjo u kuptua nga reagimi i tij kundrejt Brexit”, tha Thomas.

Ekziston frika se edhe me Trumpin jashtë Shtëpisë së Bardhë, Amerika mund të zgjedhë një udhëheqës të ngjashëm për 4 vitet e ardhshme dhe çdo kohezion i reformuar midis aleatëve demokratikë perëndimorë do të përkeqësohej përsëri, transmeton abcnews.al

“Unë mendoj se në fund të fundit një nga gjërat që administrata do të duhet të bëjë në emërimin e sekretarit të ri të shtetit dhe në punët e jashtme është të fillojë një ofensivë serioze diplomatike” për të rivendosur besimin në udhëheqjen amerikane, tha ai.

Rusia

Biden tha se Rusia paraqiste kërcënimin më të madh për Amerikën në një intervistë  60 Minuta muajin e kaluar ndërkohë Trump ka pohuar se askush nuk ka qenë më i ashpër me Rusinë sesa ai.

SHBA-të kanë vazhduar të bëjnë presion ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë nga Kremlini në vitin 2014. SHBA dhe kombet e tjera perëndimore thanë se ishin përpjekjet e Kremlinit për të hequr qafe armiqtë e Putinit jashtë vendit. Të dy palët kanë tërhequr diplomatët nga vendet përkatëse  duke tensionuar marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Por Trump ka habitur vazhdimisht komunitetin e inteligjencës duke këmbëngulur se ai i besonte Putin kur i premtoi  se Kremlini nuk u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ky reagim pavarësisht provave të dokumentuara se një fushatë kibernetike e krijuar për të minuar procesin demokratik të SHBA u zhvillua nga oficerët e inteligjencës ruse atë vit dhe vazhdoi në zgjedhjet e vitit 2020.

Biden ka thënë se nëse ai do të kishte qenë president, ai do të kishte reaguar shpejt dhe ashpër.

“Biden ka deklaruar shumë qartë se ai nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje të huaj, ” tha Nina Jankowicz, specialiste rreth dezinformimit në qendrën Wilson Center në Uashington.

“Unë pres që ai të punojë me aleatët për të zbatuar ato vija të kuqe, kështu që atje ku pamë Shtetet e Bashkuara që vendosnin sanksione ndaj Rusisë ose hiqnin diplomatët në përgjigje të Rusisë, a do të shihnim incidente të ngjashme me atë që pamë në 2016.  Unë mendoj se duhet të presim një përgjigje nga administrata e Biden “.

Biden ka treguar shpesh historinë kur ai, si nënkryetar, u takua me Putin në 2011 dhe pretendon se i kishte thënë kryeministrit të atëhershëm Putin, “Unë jam duke parë në sytë e tu dhe nuk mendoj se ti ke shpirt. ”

Putini, sipas fjalëve të Biden tha me një buzëqeshje, “Ne e kuptojmë njëri-tjetrin.”

Nën udhëheqjen e Biden, pritet një ringjallje e përpjekjeve të SHBA-së për të forcuar demokracitë në të gjithë botën, veçanërisht në vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, transmeton abcnews.al

Biden do të përpiqet për të punuar me Rusinë në çështje me interes të ndërsjellë, si terrorizmi, por kjo nuk parashikon se marrëdhënia SHBA-së dhe Rusisë nën administratën  e Biden do të përmirësohet, vetëm nëse do të shohim një anë të zbutur të Rusisë.

Kina

Marrëdhënia me Kinën ka të ngjarë të jetë një nga më të komplikuarat gjatë udhëheqjes së Biden.

Biden trashëgon një numër të madh politikash mbi Kinën nga administrata Trump, të tilla si tarifat, sanksionet dhe marrëdhëniet  me Hong Kong. Në të kaluarën, Biden ka rënë dakord me shumë vendime të Trump për thyerjen e rregullave ndërkombëtare të tregtisë nga Kina, subvencione për kompanitë kineze, diskriminim ndaj firmave amerikane dhe vjedhje të pronës së tyre intelektuale.

Biden kritikoi ashpër mosrespektimin e Kinës për të drejtat e njeriut në fillim të fushatës, duke e quajtur një gjenocid trajtimin e ujgurëve në Kinën perëndimore. Kina që nga viti 2017 ka arrestuar dhe detyruar më shumë se 1 milion të pakicës myslimane, turqisht-folës në kampe riedukimi. Personat që kanë refuzuar,  u janë nënshtruar mbikëqyrjes dhe frikësimit. SHBA ka sanksionuar zyrtarët kinezë dhe agjencitë kineze.

Por Biden nuk ka gjasa të ndryshojë në mënyrë të njëanshme ndonjë nga politikat e epokës së Trump në ditën e parë në detyrë, tha Bonnie Glaser, një këshilltar i lartë i Azisë.

Biden e ka përshkruar Kinën si konkurrencën më të madhe të Amerikës. Demokratët kanë arritur në përfundim se Kina  imponon një sfidë të madhe për SHBA-në dhe demokracinë shumë më të madhe, tha Glaser.

“Admistrata e Biden do të bie dakort me një pjesë të madhe të administratës së Trump mbi kërcënimet dhe sfidat që paraqet Kina, por ata do të zhvillojnë strategjinë më efektive për t’u marrë me ta”, e cila ka të ngjarë të përfshijë një dialog strategjik të nivelit të lartë dhe bashkëpunim ndërmjet agjencive mbi politikën ndaj Kinës, tha Glaser.

Nga këndvështrimi i Kinës, Biden ka të ngjarë të shihet si i ashpër por “dikush që është i sinqertë, më e rëndësishmja, i cili kur thotë se do të bëjë diçka, do ta bëjë atë”, tha Glaser.

Udhëheqja e Kinës ka dhëne përshtypjen se SHBA-të po përpiqen të shtypin rritjen e saj globale ekonomike duke folur për kritika të pabaza dhe të padrejta tregtare, e cila po përpiqet gjithashtu  për të minuar demokracitë në të gjithë botën dhe po abuzon me të drejtat e njeriut.

Kjo nuk ka gjasa të ndryshojë, që do të thotë se marrëdhënia e përgjithshme me Kinën nuk ka të ngjarë të përmirësohet nën udhëheqjen e asnjë presidenti të SHBA-së, tha Glaser. Por ka zona ku Biden mund të përpiqet të krijojë bashkëpunim, të tilla si ndryshimi i klimës, të cilat fushata e Biden besoi se administrata Trump i injoroi vetë rrezikun e SHBA-së.

Lindja e Mesme

Joe Biden është dikush i njohur në rajon dhe nuk do të ketë nevojë të rifillojë ndërtimin e marrëdhënieve personale me të, tha Joyce Karam, një korrespodente e The National , një gazetë kryesore në gjuhën angleze me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Shumë nga ata udhëheqës, ndonjëherë fëmijët e tyre, e kanë njohur atë personalisht pasi ai ka qenë në arenën politike që në vitet 1970,” tha ajo.

Qasja e Biden ka të ngjarë të jetë më tradicionale në Lindjen e Mesme sesa ajo e Trump dhe do të ketë një fokus interesin e SHBA-së në lidhje me sigurinë, naftën dhe përpjekjet kundër terrorizmit, tha Karam. Por Biden do të vërë më shumë theksin në të drejtat e njeriut në këtë rajon po ashtu edhe në vende të tjera si Kina dhe Rusia.

Nën udhëheqjen e Biden, Shtetet e Bashkuara mund të bashkëpunojnë me europianët për të vazhduar me marrëveshjen bërthamore në Iran pas tërheqjes së Trump në 2018.

Trump më pas i vendosi sanksione Iranit.

Lidhur me marrëdhëniet midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ai ka të ngjarë të vazhdojë të ndërmarrë hapa drejt normalizimit, por do të jetë më pak i ashpër me palestinezët dhe do t’i sigurojë më pak mbështetje  kryeministrit Benjamin Netanyahu të Izraelit.

“Trump ka bërë më shumë se të gjithë presidentët e mëparshëm të SHBA-së në favor të politikave të qeverisë Netanyahu në Izrael,” tha Karam.

Biden mund të përpiqet ta zhvendosë gjilpërën përsëri në qendër pa rrezikuar një ballafaqim me Netanyahu, “por të paktën ai ka të ngjarë të ribashkohet me palën palestineze pas dy vitesh bisedimesh mes Amerikës dhe Palestinës.

Udhëheqës të tjerë të Lindjes së Mesme janë përqendruar në shpresën se Amerika do të siguria në ruajtjen e stabilitetit në rajon. Disa udhëheqës shqetësohen se Biden do të jetë shumë i butë ndaj Iranit dhe nuk do të kundërshtojë aktivitetet e tij rajonale, ndërsa të tjerët kanë frikë nga theksi i administratës së Biden mbi të drejtat e njeriut dhe liritë politike, tha Karam.

Amerika Latine

Biden ka thënë se ai planifikon  të prishë shumë nga politikat e emigracionit të Trump, një veprim që do të shqyrtohet edhe njëherë për sa i përket Meksikës dhe qarqeve të tjera të Amerikës Latine.

Por deri më tani, dy nga udhëheqësit e vendeve më të mëdha të rajonit ende nuk e kanë uruar Biden, përfshirë presidentin meksikan Lopez Obrador dhe Bolsonaro të Brazilit.

Obrador ka pasur një marrëdhënie miqësore me Trump, pavarësisht kërcënimeve të Shtëpisë së Bardhë për të vendosur sanksione të ashpra ndaj produkteve meksikane nëse Obrador nuk do të merte masa për emigrantët e Amerikës Qendrore që kalojnë kufirin e Meksikës për të mbërritur në SHBA.

Ai udhëtoi në SHBA. për të festuar ri-negocimin e NAFTA me Trump por nuk u takua me Biden, e cila u pa si një zhgënjim diplomatik, transmeton abcnews.al

Përkundër mungesës së komunikimit të Obradorit me Biden deri më tani, “Biden duhet të jetë aq i matur dhe i arsyeshëm në mënyrë që të krijojë një marrëdhënie të denjë dhe të përzemërt me Meksikën”, tha Octavio Pescador, bashkëthemelues i Institutit Paulo Freire në UCLA.

“Unë nuk mendoj se qeveria meksikane do të ndryshojë në mënyrë drastike qasjen e saj ndaj imigracionit të Amerikës Qendrore”, tha Pescador.

Trump këmbënguli në fushatën e tij në vitin 2016 se Meksika do të paguante për murin ndarës.

“Unë nuk mendoj se qeveria meksikane do ta ndryshojë këtë gjë menjëherë  sepse  është në interesin e tyre më të mirë. Në fakt, historikisht ligjet e emigracionit meksikan kanë qenë shumë më kufizuese sesa ligjet e SHBA, ”tha ai. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews