Ballina Shëndeti Koronavirusi Varianti “Delta”, të vaksinuarit infektojnë njëlloj si të pavaksinuarit

Varianti “Delta”, të vaksinuarit infektojnë njëlloj si të pavaksinuarit

Vaksina nuk ndikon në transmetueshmërinë e variantit “Delta”, sipas një deklaratë të Qendrës Kombëtare të Shëndetit në Britani. (NHS). Të dhënat e analizuara rreth ngarkesës virale të bartur nga personat e vaksinuar tregojnë se është e njëjtë me të personave të pavaksinuar.

Kjo sipas ekspertëve shëndetësorë britanikë,  tregon se sa infektues mund të jenë personat e vaksinuar kundër COVID.

Ky është një zbulim që konfirmon të dhënat e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) disa ditë më parë që personat e vaksinuar gjithashtu transmetojnë COVID, dhe sipas tyre është i nevojshëm përdorimi i maskës në ambientet e brendshme, raporton abcnews.al

Rikujtojmë se CNN pushoi nga puna tre punonjës të cilët nuk ishin vaksinuar kundër Covid. Incidenti u raportua nga presidenti i grupit Jeff Zucker, i cili theksoi rëndësinë e vaksinimit duke thënë se është i detyrueshëm për të gjithë ata që punojnë në zyrë ose që janë në kontakt me njerëzit.

Por ka të dhëna pozitive në Angli, Uells dhe Skoci, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave Britanike, pasi numri i personave të shtruar në spital dhe i viktimave ka shënuar rënie.

Ndërkohë shkencëtarët vazhdojnë kërkimet për ilaçe që mund të përmirësojnë simptomat e Covid. Pas ilaçit izraelit CD4, i cili rezultoi efektiv dhe i sigurt gjatë studimit klinik të fazës 2 të kryer në Greqi,  një laborator në Britani tha se 3 ilaçe që janë përdorur për sëmundje të tjera janë efektive kundër virusit.

Ndërkohë Agjencia Europiane e Barnave (EMA) njoftoi dje se aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme se nevojitet një dozë e tretë përforcuese, diçka që Franca dhe Gjermania e kanë  miratuar tashmë dhe do të fillojnë vaksinimin e të moshuarve dhe personave më të rrezikuar në shtator.

Coreper theksoi se kohëzgjatja e imunitetit nga dy doza të vaksinës nuk mund të përcaktohet ende./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews