Ballina Bota Brenda rrethit të ngushtë të Vladimir Putinit

Brenda rrethit të ngushtë të Vladimir Putinit

Udhëheqësi i Rusisë, Vladimir Putin, ka nisur pushtimin e Ukrainës, prej një jave tashmë, duke e çuar ushtrinë ruse në një luftë me rrezik të lartë, pasojat e së cilës kërcënojnë të shkatërrojnë edhe ekonominë e vendit të tij. Si Komandant i Përgjithshëm, përgjegjësia përfundimtare për pushtimin i takon atij, por ai gjithmonë është mbështetur nga një rreth i ngushtë njerëzish besnikë, shumë prej të cilëve gjithashtu kanë nisur karrierën e tyre në shërbimet e sigurisë ruse.

Megjithatë, çdo ditë e më shumë Putin po shfaqet si një figurë e vetmuar dhe e izoluar. Në këtë moment fatal në Presidencën e tij, kush është krahu i djathtë i Putinit, i aftë të veprojë dhe të koordinojë ecurinë e luftës?

Sergei Shoigu, Ministër i Mbrojtjes

I pari në listë, padyshim është Sergei Shoigu, i besuari i Putinit prej kohësh që gjithmonë i ka qëndruar stoik linjës ideologjike të Putinit dhe vendimeve për çmilitarizimin e Ukrainës, si dhe mbrojtjen e Rusisë nga i ashtuquajturi kërcënim ushtarak i Perëndimit.

Një njeri me pasione të veçanta, sikurse edhe lideri i tij. Shoigu dhe udhëheqësi i Rusisë, shpesh janë parë në udhëtime së bashku, si dhe duke gjuajtur apo duke peshkuar në Siberi. Në të kaluarën, ai është konsideruar edhe si një pasardhës i mundshëm i Putinit.

Mirëpo lufta po vë në diskutim çdo gjë, duke shtuar madje dyshimet dhe frikën e Putinit ndaj çdo njeriu. Në një foto të këtyre ditëve, u pa kreu i forcave të armatosura, Sergei Shoigu, i ulur në fund të tavolinës, me një distancë të konsiderueshme nga Putini.

“Shoigu duhej të marshonte për në Kiev; ai është ministër i Mbrojtjes dhe supozohej ta fitonte atë”, thotë Vera Mironova, një Specialiste për Konfliktet e Armatosura. Ai u vlerësua nga Presidenca për aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Gjithashtu, i dëshmoi besnikërinë Putinit pas akuzave për helmim me agjent nervor ndaj liderit të opozitës, Alexei Navalny në vitin 2020.

Sipas Ekspertit të Shërbimeve të Sigurisë ruse, Andrei Soldatov, ministri i Mbrojtjes, Shoigu, është ende zëri më me ndikim që presidenti dëgjon. “Shoigu nuk është vetëm në krye të ushtrisë, ai është gjithashtu pjesërisht përgjegjës për ideologjinë ruse.”

Valery Gerasimov, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Si shef i shtabit, ishte detyra e tij të pushtonte Ukrainën dhe ta përfundonte punën shpejt. Ai ka luajtur një rol të madh në fushatat ushtarake të Vladimir Putin që kur ai komandoi një ushtri në Luftën Çeçene të vitit 1999, dhe ishte gjithashtu në ballë të planifikimit ushtarak për Ukrainën, duke mbikëqyrur stërvitjet ushtarake në Bjellorusi, muajin e kaluar.

I përshkruar si një “njeri që nuk buzëqesh kurrë”, gjenerali Gerasimov luajti gjithashtu një rol kyç në fushatën ushtarake për aneksimin e Krimesë. Disa raporte sugjerojnë se tani ai është lënë mënjanë për shkak të situatës jo të mirë të luftës në Ukrainë.

Por për ekspertët, këto dyshime nuk janë të vërteta: “Putini nuk mund të kontrollojë çdo rrugë dhe çdo batalion, dhe ky është roli i tij.” Ndonëse ministrit të Mbrojtjes mund t’i pëlqejnë uniformat e tij, ai nuk ka trajnim ushtarak dhe duhet të mbështetet te profesionistët.

Nikolai Patrushev, Sekretar i Këshillit të Sigurimit

Një nga tre besnikët e Putinit që ka bashkëpunuar me të që nga vitet 1970 në Shën Petersburg, kur qyteti i dytë i Rusisë njihej ende si Leningrad. Patrushev jo vetëm që punoi me të në KGB-në e vjetër, gjatë epokës komuniste, por e zëvendësoi atë si kreun e organizatës pasardhëse të saj, FSB, nga viti 1999 deri në 2008.

Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tri ditë para pushtimit, Patrushev hodhi hipotezën e çuditshme se “qëllimi konkret” i SHBA-së, ishte shpërbërja e Rusisë. Seanca ku Patrushev u shpreh, ishte një pjesë e jashtëzakonshme e një “teatri”, ku anëtarët e ekipit të sigurimit të Putinit, shkuan një nga një te një foltore, për të shprehur mendimin e tyre për njohjen e pavarësisë së separatistëve në Ukrainë.

Alexander Bortnikov, Drejtor i Shërbimit Federal të Sigurimit të Federatës Ruse

Vëzhguesit e Kremlinit thonë se presidenti i beson informacionit që merr nga shërbimet e sigurisë, më shumë se çdo burimi tjetër, dhe Alexander Bortnikov është njeriu i brendshëm që i përcjell të dhëna me devotshmëri Putinit.

Një dorë e vjetër e KGB-së së Leningradit, mori edhe drejtimin e FSB-së, njësoj si Nikolai Patrushev. Të dy dihet se janë të afërt me presidentin, por për disa analistë, Bortnikov nuk ka aq ndikim sa për të sfiduar liderin rus, apo për të dhënë këshilla në të njëjtën mënyrë si të tjerët.

Sergei Naryshkin, Drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Huaj

Së bashku me Nikolai Patrushev, Shefin e Shërbimit të Sigurisë, Alexander Bortnikov, dhe Kreun e Inteligjencës së Huaj, Sergei Naryshkin, plotësohet rrethi i ngushtë i presidentit. Treshja e vjetër e Leningradit, ish-agjentë të KGB-së, njihen si “siloviki”, ose zbatues.

Sergei Naryshkin ka qëndruar përkrah presidentit në pjesën më të madhe të karrierës së tij. Kur u pyet për vlerësimin e situatës në Ukrainë, Shefi i Inteligjencës, duket se nuk u shpreh ashtu si presidenti do të dëshironte, pasi Putini iu përgjigj: “Nuk është kjo ajo që po diskutojmë”.

Megjithatë, ky veprim u pa si një lojë që Putinit i pëlqen të luajë me rrethin e tij të brendshëm, duke e bërë Naryshkin të duket si budalla. Sergei Naryshkin prej kohësh ka drejtuar Shoqërinë Historike Ruse. Vitin e kaluar ai dha një intervistë për korrespondentin e BBC-së në Moskë, Steve Rosenberg, në të cilën mohoi se Rusia kishte kryer helmime dhe sulme kibernetike, ose kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera.

Sergei Lavrov, Ministër i Jashtëm

Për 18 vjet, ai ka qenë diplomati më i lartë i Rusisë, megjithëse nuk konsiderohet se ka një rol të madh në vendimmarrje. Sergei Lavrov, 71 vjeç, është prova se Vladimir Putin mbështetet shumë në figura nga e kaluara e tij.

Muajin e kaluar, u përpoq të tallte Sekretaren e Jashtme britanike, Liz Truss, për njohuritë e saj mbi gjeografinë ruse dhe një vit më parë u përpoq ta bëntë këtë edhe me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Prej kohësh, ai ka qenë i anashkaluar nga çdo gjë që ka të bëjë me Ukrainën, megjithatë së fundmi është shfaqur shumë aktiv, edhe me deklarata të forta se nëse mund të nisë Lufta e Tretë, ajo do të jetë bërthamore. Shumica e anëtarëve të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, u larguan teksa ai u përpoq të mbronte pushtimin e Rusisë përmes një lidhjeje në video.


Valentina Matviyenko, Kryetare e Këshillit të Federatës

Një fytyrë e rrallë femër në rrethin e Putinit, ajo mbikëqyri vulosjen e dislokimin të forcave ruse jashtë vendit, duke i hapur rrugën pushtimit. Valentina Matviyenko është një tjetër besnike e Putinit nga Shën Petersburg, e cila ndihmoi gjithashtu në aneksimin e Krimesë, në vitin 2014.

Megjithatë, nuk konsiderohet të jetë vendimmarrësja kryesore. Nga kjo pikëpamje, nuk mund të dihet me siguri të plotë se kush po merr vendime të mëdha në rrethin e Putinit.

Viktor Zolotov, Drejtor i Gardës Kombëtare

Ish-truproja e presidentit, Zolotov drejton Gardën Kombëtare të Rusisë, “Rosgvardia”, e formuar nga Presidenti Putin vetëm gjashtë vjet më parë, si një lloj ushtrie personale, në stilin e një garde pretoriane të ngjashme me perandorinë romake. Viktor Zolotov e ka rritur numrin e gardës në 400 000 persona.

Sipas autores, Vera Mironova, plani origjinal rus ishte që të përfundonte pushtimin brenda disa ditësh dhe kur ushtria dukej se po dështonte, Garda Kombëtare ruse mori drejtimin. Problemi është se drejtuesi i Gardës Kombëtare, nuk ka trajnime ushtarake dhe duke qenë se forcat e tij nuk kanë tanke, ata kanë qenë gjithashtu të prekshëm ndaj sulmit.

Kë tjetër dëgjon Putini?

Kryeministri Mikhail Mishustin ka detyrën e rëndësishme dhe shumë kritike për momentin për të shpëtuar ekonominë, por ka pak fjalë dhe peshë vendimmarrje për luftën. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, dhe kreu i gjigantit shtetëror të naftës Rosneft, Igor Sechin, janë gjithashtu të afërt me presidentin, sipas analistit politik, Yevgeny Minchenko. Vëllezërit miliarderë Boris dhe Arkady Rotenberg, të cilët ishin miq fëmijërie të presidentit, kanë qenë prej kohësh edhe të besuar të ngushtë. Në vitin 2020, revista Forbes i emëroi ata si familjen më të pasur në Rusi./ A2 CNN

@tn.lajmelokale
@tetovanews