Ballina Aktualitet Si e komentojnë mediat e huaja ngritjen e akuzave ndaj Berishës

Si e komentojnë mediat e huaja ngritjen e akuzave ndaj Berishës

Ngritja e akuzave nga SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Agjencia e lajmeve Reuters shkruan këtë të diel se “prokurorët shqiptarë kanë akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij për akuza korrupsioni për një marrëveshje toke që përfshinte terrenet e një klubi sportiv”.

Reuters citon SPAK se “Berisha përdori ndikimin e tij si kryeministër nga viti 2005 deri në 2009 për të ushtruar presion “për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor të të tjerëve, përfshirë burrin e vajzës së tij”. Në shkrim nënvizohet se dhëndri i Berishës u arrestua vonë të shtunën ndërsa vetë Berisha është deputet dhe ka imunitet nga ndjekja penale.

“Ai është urdhëruar të mos largohet nga vendi dhe të paraqitet në polici. Procedimi penal filloi në vitin 2020 kur ministri aktual i Brendshëm Taulant Balla akuzoi Berishën si të përfshirë në privatizimin e terreneve dhe objekteve të tjera sportive që i përkisnin FC Partizani në kryeqytetin Tiranë, të cilat më pas u zëvendësuan me ndërtesa shumëkatëshe. Berisha ka akuzuar kryeministrin aktual Edi Rama se ka orkestruar të gjithë çështjen” – shkruan ndër të tjera Reuters.

Agjencia kujton se në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara ndaluan hyrjen e Berishës dhe familjes së tij duke thënë se si kryeministër ai ishte përfshirë në “akte korruptive si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar politikanët aleatë dhe anëtarët e familjes së tij”. Sipas Reuters, “Berisha tani është lider i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, por është përfshirë në beteja ligjore për udhëheqjen e saj me një fraksion tjetër”.

Lajmin e ka publikuar edhe agjencia Associated Press. Ajo bën një përmbledhje të akuzave të SPAK dhe reagimit të Berishës që akuzoi Ramën se qëndron pas kësaj çështjeje. “Rama nuk i është përgjigjur menjëherë pretendimeve të Berishës” – shkruan “Associated Press”.

“Në maj të vitit 2021, qeveria amerikane ndaloi Berishën dhe familjen e tij të ngushtë të hynin në vend për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se gjatë mandatit të Berishës si kryeministër 2005-2013, politikani ishte përfshirë në akte korruptive dhe kishte përdorur “pushtetin e tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. “Që atëherë, Partia Demokratike kryesore e opozitës së Berishës është në trazira me fraksione të ndryshme që luftojnë për udhëheqjen e partisë dhe regjistrimin ligjor” – citon AP.

“Lufta kundër korrupsionit ka qenë thembra e Akilit e Shqipërisë postkomuniste, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit. Berisha ishte zyrtari i katërt i lartë shqiptar që iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion” – shkruan AP. Lajmi është pasqyruar edhe nga mediat amerikane. ©LAPSI.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews