Ballina Teknologji Plani i frikshëm i “OpenAI” që mund ta kërcënojë njerëzimin

Plani i frikshëm i “OpenAI” që mund ta kërcënojë njerëzimin

Kompania amerikane për inteligjencë artificiale, “OpenAI”, raportohet se po punonte në një sistem aq të avancuar sa që ka shkaktuar frikë të madhe te stafi se po kërcënohet njerëzimi.

Siç ka raportuar “Reuters”, stafi hulumtues në këtë kompani i pati shkruar letër bordit drejtues për këtë shqetësim, para se të shkarkohej shefi ekzekutiv Sam Altman.

Letra e papublikuar më herët dhe algoritmi që po zhvillonte kompania, ishin zhvillimet kyçe para përjashtimit të Altmanit, kanë thënë dy burime për agjencinë prestigjioze të lajmeve. Altman u shkarkua të premten, e qysh të martën u rikthye pasi 700 punëtorë kërcënuan me largim dhe deshën t’i bashkoheshin Microsoftit bashkë me udhëheqësin e tyre të shkarkuar.

Burimet kanë cituar letrën si një nga arsyet që ka përdorur bordi për shkarkimin e Altmanit.

“OpenAI” ka refuzuar ta komentojë këtë letër. Megjithatë ka pranuar se ka pasur një mesazh të brendshëm për projektin e quajtur “Q*” dhe një letër drejtuar bordit para ngjarjeve të fundjavës. Një zëdhënës i “OpenAI” ka konfirmuar se ai mesazh, i dërguar nga zyrtarja e lartë e kompanisë Mira Murati, ka qenë vetëm paralajmërim i stafit për disa raportime të mediave.

Në “OpenAI” një pjesë e stafit beson që “Q*” mund të jetë shpërthimi më i madh i deritashëm i asaj që njihet si inteligjenca artificiale. “OpenAI” e definon këtë projekt si sistem autonom që tejkalon kapacitetet njerëzore në kryerjen e funksioneve ekonomike.

Sipas raportimit, modeli i ri ishte planifikuar që të zgjidhte probleme matematikore, ka thënë një burim për “Reutersin”. Hulumtuesit ishin të bindur se “Q*” do të mund të kishte sukses për shkak se do të shfrytëzohej nga studentët.

Aktualisht inteligjenca artificiale po përdoret për shkrime dhe përkthime. Por aftësia e kryerjes së problemeve matematikore kërkon aftësi më të mëdha duke bërë që ky sistem të ngjasonte edhe më shumë me inteligjencën humane.

Në letrën drejtuar bordit, hulumtuesit kishin alarmuar për rrezikun që posedonte sistemi i ri, kanë thënë burimet pa specifikuar saktësisht shqetësimet. Ka pasur diskutime të kamotshme mes shkencëtarëve për rrezikun që sjellin makineritë e mençura. Një nga shqetësimet ishte nëse vetë robotët mund të vendosin ta shkatërrojnë njerëzimin po që se është në interes të tyre.

Hulumtuesit po ashtu kanë alarmuar edhe për një ekip shkencëtarësh, që po punonte në përmirësimin e modeleve të caktuara të inteligjencës artificiale në kryerjen e punëve shkencore.

Altman udhëhoqi ekipin e “OpenAI” drejt bërjes së “ChatGPT-së” si aplikacionin me rritjen më të shpejtë në histori. Ai ka nxitur investime të majme.

Para se t’i lajmëronte disa vegëza të reja këtë muaj, Altmani paralajmëroi se “avancime të mëdha” janë në prag.

@tn.lajmelokale
@tetovanews