Pikërisht sepse ekzistojnë rreziqe, të rinjtë duhet të mësojnë se si ta përdorin inteligjencën artificiale, argumenton “MIT Technology Review”. Në numrin e saj shtator-tetor, revista amerikane u jep fjalën atyre që përbëjnë “Gjeneratën IA”.
Burimi: MIT Technology Review
Në kopertinën e numrit shtator-tetor 2026 të revistës amerikane MIT Technology Review, shprehja “IA gjeneruese” është transformuar, sikur të ishte korrigjuar me stilolaps të kuq nga një mësues, në “Gjenerata IA”.
Për këtë numër, revista amerikane është përqendruar te më të rinjtë dhe ngre pyetjen:
“Çfarë do të thotë për fëmijët tanë të rriten në epokën e robotëve bashkëbisedues dhe agjentëve të inteligjencës artificiale?”
Në editorialin e tij, kryeredaktori Mat Honan shpjegon:
“Duhet t’i përgatisim fëmijët tanë për të jetuar në botën reale, në atë që ne kemi krijuar, jo në atë që kishim ëndërruar. Si mund t’i ndihmojmë të mbijetojnë dhe të zhvillohen në universin që kemi ndërtuar? Në epokën e IA-së, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është urgjente.”
Për ta realizuar këtë, ekipi i MIT Technology Review bashkëpunoi me ekipin e Anyway, një revistë që u drejtohet fëmijëve dhe të rinjve nga 9 deri në 15 vjeç.
Së bashku, ata përzgjodhën temat që duheshin trajtuar. Mbi të gjitha, takuan fëmijë dhe adoleshentë në Shtetet e Bashkuara dhe u kërkuan atyre të shprehnin me fjalët e veta se çfarë ndienin për inteligjencën artificiale dhe për të ardhmen që i pret.
“Këta të rinj ndanë ide komplekse, interesante dhe, në shumicën dërrmuese të rasteve, të thella dhe të sofistikuara”, thotë kryeredaktori.
“Matësi i sikletit”
Kjo nuk do të thotë se inteligjenca artificiale nuk paraqet rreziqe.
Fëmijët mund të përballen realisht me përmbajtje të papërshtatshme, të mbështeten te një chatbot në vend që të përdorin gjykimin e tyre ose t’i besojnë një përgjigjeje të gabuar.
Por pikërisht këto rreziqe, sipas autorëve, janë arsyeja pse fëmijët duhet të udhëhiqen dhe të mësohen se si t’i përdorin mjetet e inteligjencës artificiale.
“Ne nuk refuzojmë t’i mësojmë fëmijët tanë të ngasin makinën. U mësojmë të kontrollojnë pikat e verbra”, vërejnë autorët e një prej artikujve.
Ata kanë krijuar gjithashtu një të ashtuquajtur “cringe-o-meter”, që mund të përkthehet si “matës i sikletit”: një shkallë përmes së cilës të rinjtë e intervistuar vlerësojnë nivelin e sikletit ose parehatisë që u shkaktojnë situata të ndryshme.
Shembujt përfshijnë kërkesën ndaj IA-së që të shkruajë një mesazh për dikë që të pëlqen ose që të përfundojë një projekt krijues në vendin tënd.
Duke vazhduar metaforën e drejtimit të makinës, autorët përfundojnë:
“Duke pasur parasysh qasjen gjithnjë e më të madhe në mjete të IA-së që, të paktën teorikisht, mund të mendojnë, të flasin apo madje të krijojnë miq në vend të tyre, shumica e këtyre të rinjve duket se dëshiron t’i mbajë vetë duart në timon.”















