Ballina Lajme Artan Hoxha me detaje të forta: Të fshehtat e arrestimit të Ergys...

Artan Hoxha me detaje të forta: Të fshehtat e arrestimit të Ergys Agasit, “dorëzimi i kontrolluar”, marrëveshjet dhe çfarë mund të ndodhë më pas

Gazetari investigativ Artan Hoxha ishte i ftuari i parë në sezonin e ri të emisionit “Kjo Javë” në News24, me autore dhe moderatore Nisida Tufën, ku për afro 50 minuta analizoi disa nga zhvillimet më të forta të aktualitetit shqiptar.

Në qendër të intervistës ishte arrestimi i Ergys Agasit, por Hoxha foli edhe për raportet e Agasit me pushtetin, arsyen pse, sipas tij, arrestimi ndodhi pikërisht tani, mundësinë që Agasi të bashkëpunojë me drejtësinë, transferimin e tij në burgun e Bradasheshit, marrëveshjet dhe premtimet që mund të ketë lënë pas, si dhe për çështjen e Belinda Ballukut dhe përfshirjen e emrit të Igli Tares në hetime.

Në pjesën tjetër të intervistës u diskutua për ngjarjen e rëndë në zonën e Radhimës dhe Orikumit, konfliktet për pronat dhe investimet strategjike, vrasjet e pazbardhura në Mirditë dhe Rrëshen, protestat kundër qeverisë, mbylljen e llogarive në Instagram, si dhe rikthimin e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më poshtë intervista e plotë, e redaktuar gjuhësisht për publikim. Pretendimet dhe vlerësimet për persona, institucione dhe ngjarje janë deklarata të gazetarit Artan Hoxha gjatë intervistës.

Arrestimi i Ergys Agasit – Hoxha: “Po të ishte çështje e SPAK-ut, do ta kishin arrestuar që në dhjetor”

Nisida Tufa e nisi intervistën pikërisht me arrestimin e Ergys Agasit, duke e pyetur Hoxhën nëse bëhej fjalë për një arrestim të mirëfilltë apo për një zhvillim që duhej lexuar ndryshe, veçanërisht pas fotografive dhe lidhjeve politike që kishin qarkulluar publikisht.

Artan Hoxha tha se, në këndvështrimin e tij, arrestimi i Agasit nuk duhet parë thjesht si një operacion i SPAK-ut.

“Ti nise me SPAK-un, por në fakt arrestimi i Ergys Agasit nuk është çështje SPAK-u. Po të ishte çështje SPAK-u, do ta kishin arrestuar që vitin e kaluar, në dhjetor”, tha Hoxha.

Publicitet

Sipas gazetarit, arrestimi ndodhi pas rreth dhjetë muajsh jo sepse autoritetet nuk dinin se ku ndodhej Agasi.

Hoxha këmbënguli se gjatë gjithë kësaj periudhe ai kishte deklaruar publikisht se Agasi nuk ishte larguar nga Shqipëria dhe se lëvizte mes Durrësit, Tiranës dhe zonave të tjera.

“Kam thënë gjithë kohës që nuk ka ikur jashtë shtetit. Ka qenë në Durrës, ka qenë në Tiranë. Edhe atë ditë që u kap në Elbasan, ai kishte lëvizur nga Tirana drejt Elbasanit”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, pikërisht mënyra e arrestimit krijon pikëpyetje.

Ai solli si shembull arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, për të cilin, sipas Hoxhës, ishte angazhuar një strukturë e posaçme policore, ndërsa në rastin e Agasit operacioni ishte zhvilluar në mënyrë shumë më të zakonshme.

Hoxha tha se një person me profilin, lidhjet dhe informacionin që i atribuoheshin Agasit nuk mund të përfundonte papritur në duart e disa efektivëve të zakonshëm pa ndodhur më parë një ndryshim i rëndësishëm në raportet e tij me strukturat e pushtetit.

“Një personazh kaq i madh, me këtë aureolë, me gjithë këto lidhje dhe me gjithë këtë pushtet, nuk e kapin dy policë të grupit të gatshëm të komisariatit të Durrësit. Kjo është ajo që kërcet”, u shpreh ai.

“Agasi nuk ishte gangster tipik – dikush ia delegoi pushtetin”

Një nga deklaratat më të forta të Hoxhës ishte ajo mbi origjinën e fuqisë që, sipas tij, kishte fituar Ergys Agasi.

Gazetari tha se Agasi nuk vinte nga bota klasike e krimit.

“Ergys Agasi nuk është njeri që vinte nga bota e krimit. Nuk ishte një gangster tipik. Ishte një njeri të cilit dikush ia delegoi pushtetin dhe pastaj, me atë pushtet aq të madh që iu delegua, bëri atë që bëri”, tha Hoxha.

Sipas tij, fuqia e Agasit nuk mbështetej te automjetet e blinduara apo te një strukturë tradicionale kriminale, por te lidhjet me pushtetin dhe te informacioni që dispononte.

Hoxha ngriti pyetjen se si një person që, sipas perceptimit publik, kishte mundësi të merrte informacion për emërime dhe lëvizje në polici, mund të ndiqej për dy javë pa marrë dijeni.

“Ky njeriu që dinte çdo gjë, që kishte informacion, ndiqej dy javë dhe askush nuk e njoftonte? Kjo nuk qëndron”, tha ai.

Sipas Hoxhës, për një periudhë të gjatë Agasi kishte një lloj “imuniteti” të pashkruar, i cili në një moment të caktuar iu hoq.

“Pse tani? Sepse u kthye në rrezik për pushtetin”

Pyetjes së Nisida Tufës se pse arrestimi ndodhi pikërisht tani, Hoxha iu përgjigj se, sipas interpretimit të tij, Agasi ishte kthyer në problem jo për botën e krimit, por për nivelet e larta të pushtetit.

“Ne vazhdimisht e kemi quajtur koordinator të krimit, por ai nuk ishte problem për botën e nëndheshme. Ishte problem për pushtetin”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, rëndësia e Agasit qëndronte te informacionet që mund të kishte mbi marrëdhëniet mes pushtetit dhe personazheve të botës së krimit.

“Agasi nuk ka dokumentuar çfarë kanë bërë grupet kriminale të Shqipërisë. Ka dokumentuar çfarë ka bërë pushteti me botën e nëndheshme. Ky është problemi”, tha Hoxha.

Ai shtoi se Agasi, sipas tij, nuk përbënte rrezik për njerëzit “poshtë”, por për ata “lart”.

Hoxha e lidhi ngritjen e Agasit me mbështetjen politike, duke thënë se pushteti që ai kishte fituar nuk mund të ishte krijuar vetvetiu.

“Kush ia delegoi këtë pushtet? Kryeministri i Shqipërisë. Kush ia shkriu imunitetin? Kryeministri i Shqipërisë”, deklaroi Hoxha, duke e paraqitur këtë si interpretimin e tij politik të ngjarjeve.

Transferimi në Bradashesh dhe pikëpyetjet e Hoxhës

Gazetari u ndal gjatë edhe te vendi ku u dërgua Agasi pas arrestimit.

Sipas tij, fillimisht ishte krijuar përshtypja se Agasi do të dërgohej në Durrës ose në një institucion paraburgimi në Tiranë, ndërsa më pas përfundoi në Bradashesh.

Hoxha tha se ky ndryshim i kishte tërhequr vëmendjen.

“U bë gati qelia në burgun e Durrësit. Pastaj e kthyen në Bradashesh. Pse e kthyen? Nuk e di. Kjo është një gjë që nuk po e gjej dot”, tha ai.

Sipas Hoxhës, Bradasheshi nuk është destinacioni tipik për një person me profilin e Agasit menjëherë pas arrestimit.

Gazetari deklaroi gjithashtu se, në fazën e parë, kontaktet e tij do të ishin shumë të kufizuara.

“Në këto momentet e para nuk e kanë lejuar në takime, përveç avokatit. Për ta takuar duhet miratim, përveç familjarëve të afërt. Çdo gjë duhet me leje të SPAK-ut dhe SPAK-u është shumë rigoroz”, u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se institucioni ku ndodhet duhet të tregojë kujdes maksimal për sigurinë dhe shëndetin e Agasit, pikërisht për shkak të rëndësisë së asaj që ai mund të dijë.

Deklarata e fortë: “Unë e quaj dorëzim të kontrolluar për t’i mbyllur gojën”

Pika më e fortë e analizës së Hoxhës erdhi kur u pyet nëse Ergys Agasi mund të fliste dhe të bashkëpunonte me drejtësinë.

Gazetari u shpreh skeptik.

Sipas tij, pasi Agasi tashmë ndodhet brenda sistemit penitenciar, motivimi për të folur bëhet shumë më i vogël.

“Unë nuk shpresoj më që Agasi të flasë. Maksimumi mund të negociohet ndonjë favor, kushtet e burgut, por kaq”, tha Hoxha.

Më pas bëri deklaratën më të drejtpërdrejtë të intervistës:

“Ergys Agasi është arrestuar për t’i mbyllur gojën. Unë prandaj e quaj dorëzim të kontrolluar për t’i mbyllur gojën.”

Kjo është një tezë dhe interpretim i Artan Hoxhës dhe jo një fakt i konfirmuar nga organet e drejtësisë.

Gazetari argumentoi se Agasi, nëse do të fliste, mund të rëndonte pozitën e tij penale dhe, sipas tij, mund të krijonte probleme edhe për njerëzit e afërt.

“Avokati i vet do t’i thotë: nëse flet, rëndon pozitën tënde. Nëse flet, mund të rrezikojë edhe familjen jashtë. Atëherë si do të flasë?”, u shpreh Hoxha.

Në fund të intervistës ai e përmblodhi këtë qëndrim me një batutë të fortë:

“Edi Rama ka aq shanse të japë dorëheqjen sa shanse ka Ergys Agasi të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.”

Akuzat dhe dënimi – çfarë parashikon Hoxha

Hoxha tha se, sipas tij, çështja penale ndaj Agasit mund të zgjerohet me akuza të tjera, por nënvizoi se deri në momentin e intervistës nuk kishte akuza për vrasje apo trafik narkotikësh.

Sipas tij, kjo është e rëndësishme edhe për nivelin e mundshëm të dënimit.

Gazetari përmendi skenarë hipotetikë të dënimit, duke theksuar se një dënim i reduktuar për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe kohës së paraburgimit mund ta ulte ndjeshëm periudhën reale të qëndrimit në burg.

Ai shtoi se hetuesit mund të përpiqen të zgjerojnë çështjen edhe në drejtime të tjera, përfshirë episodet e dyshuara të rrëmbimeve, por, sipas tij, deri në atë moment nuk kishte një akuzë të kategorisë së krimeve më të rënda si vrasja apo trafiku i drogës.

“Problemi i Agasit nuk mbaron me dosjen penale”

Hoxha tha se çështja e Agasit, sipas informacioneve dhe analizës së tij, nuk përfundon me procedimin penal.

Ai foli për premtime, kontrata dhe marrëveshje që mund të jenë bërë gjatë periudhës kur Agasi konsiderohej i fuqishëm.

“Ka premtime të tjera të pambajtura. Ka leje ndërtimi që ende nuk janë dhënë, leje që janë dhënë dhe nuk kanë filluar, troje apo toka në pozicione shumë të leverdishme, marrëveshje dhe kontrata”, tha Hoxha.

Gazetari shkoi edhe më tej, duke pretenduar se mund të ketë pasur raste kur Agasi u kishte premtuar personave apo grupeve se do të ndikonte pranë organeve të drejtësisë.

Ai përmendi “organizata apo grupe kriminale” për të cilat, sipas tij, Agasi mund të kishte marrë përsipër të ndikonte te institucionet për të zbutur pozitën e personave nën hetim.

Po ashtu, Hoxha foli për pagesa të mëdha që mund të jenë marrë në këmbim të premtimeve për leje ndërtimi, tenderë apo mundësi të tjera biznesi.

Në këto raste, tha gazetari, problemet që mbeten nuk janë domosdoshmërisht të pushtetit, por mund të kthehen në detyrime personale të vetë Agasit.

Agasi dhe Belinda Balluku – “Nuk kanë qenë aleatë”

Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe raporteve mes Ergys Agasit dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Hoxha kundërshtoi idenë se ata kanë qenë domosdoshmërisht aleatë.

“Agasi nuk ka qenë aleat i Ballukut. Ka përfaqësuar një degë tjetër të pushtetit”, tha ai.

Sipas gazetarit, para operacioneve të mëparshme ndaj zyrave dhe banesave të Agasit kishte filluar të dukej një dobësim gradual i fuqisë së tij, ndërkohë që një krah tjetër brenda pushtetit po forcohej.

“Nuk di që të kenë qenë bashkëpunëtorë. Kanë pasur një lloj dualiteti, por nuk kanë qenë as armiq”, tha Hoxha.

Sipas tij, largimi i një figure të fuqishme nga skena forcon automatikisht pozitat e figurave të tjera që mbeten.

Igli Tare dhe vila – Hoxha: “Rrezikojmë të shohim vetëm pjesën që shkëlqen dhe jo tablonë e madhe”

Nisida Tufa e pyeti më pas për ish-futbollistin dhe drejtuesin e njohur sportiv Igli Tare, i cili ishte pyetur në kuadër të hetimeve që lidhen me Belinda Ballukun.

Artan Hoxha tha se ndiente keqardhje për përfshirjen e emrit të Tares në këtë histori, duke e cilësuar atë një nga shqiptarët më të njohur në sportin ndërkombëtar.

Por sipas tij, pikërisht fama e Tares mund të ketë efektin e zhvendosjes së vëmendjes publike nga çështja më e madhe.

“Është personazh që tërheq shumë vëmendje. Nuk ka shqiptar që nuk e njeh Igli Taren dhe e njohin edhe mediat e huaja. Është lajm që ‘shet’. Fut Igli Taren dhe e ke të garantuar klikimin, shikimin dhe shpërndarjen”, u shpreh Hoxha.

Ai përdori metaforën e një pjese të mozaikut që ndriçon aq shumë sa publiku humbet nga sytë pamjen e plotë.

Sipas Hoxhës, pyetja themelore nuk duhet të jetë vetëm se çfarë ka ndodhur me një vilë, por çfarë ka ndodhur me qindra milionë euro të shpenzuara në projekte publike, rrugë, tunele dhe autostrada.

“Publikut sot i intereson ku kanë vajtur paratë e shqiptarëve. Çfarë ka bërë ky pushtet me paratë e shqiptarëve?”, tha ai.

Hoxha theksoi se shkalla e përfshirjes së Tares është çështje që duhet të sqarohet nga hetimi dhe procesi, por paralajmëroi kundër përqendrimit vetëm te një emër i njohur.

Për Ballukun: “Më shumë se burgu, duhen gjetur paratë dhe pronat”

Në analizën e tij për Belinda Ballukun, Hoxha tha se nuk e sheh paraburgimin si objektivin kryesor.

Sipas tij, për politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë, drejtësia duhet të përqendrohet para së gjithash te pasuria, pronat dhe destinacioni i parave.

“Unë nuk prevaloj shumë nga fakti që duhet t’i arrestosh. Duhet t’i hetosh dhe të gjesh ku i kanë çuar paratë, sepse ato u interesojnë qytetarëve”, tha gazetari.

“Nëse e çon në burg, merr një dënim minimal dhe nuk i prek pronat, nuk i gjen dot asgjë, çfarë fituam ne?”, pyeti ai.

Hoxha tha se pret që hetimi ndaj Ballukut të përfundojë në gjykim, ndërsa deklaroi se Rama, sipas tij, e ka mbrojtur politikisht atë më shumë se figura të tjera.

Ai tha gjithashtu se Balluku vazhdon të ketë ndikim dhe njerëz të saj në terren dhe nuk e ka humbur plotësisht fuqinë politike.

Sipas Hoxhës, Balluku nuk duhet parë vetëm si individ, por si përfaqësuese e një grupi më të gjerë interesash politike dhe ekonomike.

Dinamo, Manchester City dhe “levat e pushtetit”

Në këtë kontekst, Hoxha përmendi edhe projektet rreth klubit Dinamo dhe bashkëpunimin me Manchester City.

Ai argumentoi se emra si Agasi dhe Balluku duhet të shihen, sipas tij, si figura që marrin fuqi nga një qendër politike dhe që përdoren në periudha të ndryshme për projekte të ndryshme.

“Të gjithë këta, Gysi, Belinda dhe të tjerët, janë thjesht leva të pushtetit, i cili herë pas here kalon njërin përpara, tjetrin e tërheq mbrapa dhe në një moment i asgjëson dhe vazhdon me projektin e radhës”, tha Hoxha.

Ngjarja në Radhimë dhe Orikum – “Nuk ishte episod i shkëputur”

Intervista kaloi më pas te ngjarja e rëndë në zonën e Radhimës dhe Orikumit, ku u raportua për persona të armatosur dhe për një konflikt të lidhur me një hotel dhe pretendime financiare e pronësore.

Hoxha tha se ngjarja nuk duhej parë si episod i izoluar.

Sipas tij, ajo ishte vazhdim i një konflikti që kishte nisur shumë më herët dhe që lidhej me interesa të mëdha pronësore dhe investime turistike.

“Ajo që ndodhi në Radhimë është thjesht vazhdimi i një seriali që ka kohë që ka nisur”, deklaroi ai.

Hoxha përmendi biznesmenin Vasil Bedinaj, të cilin e përshkroi si një nga operatorët më të mëdhenj të hotelerisë në zonën e Vlorës, dhe palën tjetër të konfliktit, të lidhur, sipas tij, me një nga kompanitë e mëdha në Shqipëri.

Gazetari ngriti pyetjen se si mund të krijohet një konflikt i tillë në një zonë ku njëra palë ka marrë status investitori strategjik, ndërsa institucione të tjera i njohin pretendime pronësore palës tjetër.

“Konfliktin duhet ta zgjidhte shteti. Të dyja palët janë taksapagues të mëdhenj dhe kishin marrë leje për ta zhvilluar zonën”, tha Hoxha.

Akuzat e Hoxhës për përdorimin e policisë

Hoxha lidhi konfliktin në Radhimë me një operacion të mëparshëm policor në Elbasan.

Sipas tij, në atë operacion ishin ndaluar 23 persona pas një informacioni anonim për një takim mes personave të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale.

Gazetari pretendoi se operacioni mund të ketë qenë përdorur për të ushtruar presion në një konflikt pronësor.

Ai tha se pamjet që, sipas tij, do të sqaronin natyrën reale të operacionit, nuk u publikuan asnjëherë.

“Si ka mundësi që në Shqipëri organizatat kriminale përdornin policinë? Nuk dilnin vetë. Përdornin policinë”, deklaroi Hoxha.

Këto janë akuza të gazetarit të bëra gjatë intervistës dhe jo përfundime gjyqësore të konfirmuara.

Kritika për Ramën dhe vendimin për “ullishten”

Hoxha komentoi edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama pas konfliktit në zonën turistike.

Sipas tij, qeveria nuk mund të distancohet nga një konflikt pronësor pasi vetë institucionet shtetërore kanë dhënë statuset, lejet dhe dokumentet përkatëse.

“Kush është njeriu që i jep licencat për zhvillim? Edi Rama. Kush është njeriu që jep lejen pasi ka parë hartën pronësore? Kryeministri. Po kush është njeriu që tani e bën ullishte? Përsëri Edi Rama”, tha Hoxha.

Ai e krahasoi rastin me një projekt tjetër në Tiranë, pas stadiumit “Arena Kombëtare”, ku sipas tij kishte pasur plane për dy kulla, por zona përfundoi si lulishte.

“Nëse kryeministri sillet me territorin e këtij vendi duke bërë në një vend lulishte, në një vend ullishte dhe në një vend tjetër duke dhënë leje për kullë, atëherë problemi nuk është vetëm te biznesmenët”, tha Hoxha.

Mirdita dhe Rrësheni – “Mister nuk ka, konflikti vazhdon prej më shumë se një dekade”

Një tjetër temë ishte vrasja e fundit në Mirditë dhe zinxhiri i gjatë i atentateve në zonën e Rrëshenit.

Nisida Tufa e pyeti Hoxhën pse ngjarja ishte mbështjellë me kaq mister.

Përgjigjja e gazetarit ishte e prerë:

“Mister nuk ka aty. Asnjë kokërr misteri.”

Sipas Hoxhës, në Mirditë ekziston prej më shumë se një dekade një konflikt mes një familjeje në njërën anë dhe disa familjeve të tjera në anën tjetër.

Ai pretendoi se origjina e konfliktit lidhet me një ngarkesë heroine në Romë dhe me mosmarrëveshje për paratë e saj.

Nga ai moment, sipas gazetarit, konflikti është zhvendosur në Rrëshen dhe ka prodhuar një seri vrasjesh e atentatesh.

Hoxha përmendi vrasjen e pjesëtarëve të familjeve të përfshira dhe atentatin e mëparshëm ndaj Preng Gjinit, duke theksuar se shumë prej këtyre ngjarjeve nuk janë zbardhur.

“Si është e mundur që ndodhin kaq shumë ngjarje dhe në asnjë rast nuk kapen autorët?”, pyeti ai.

Sipas Hoxhës, në zonën e Mirditës shumë njerëz pretendojnë se e dinë se kush qëndron pas ngjarjeve, ndërkohë që hetimet nuk kanë prodhuar rezultate përfundimtare.

“Nëse shteti nuk ndërhyn, njëra palë do të përpiqet të asgjësojë tjetrën”

Hoxha dha një paralajmërim serioz për vazhdimin e konfliktit.

Sipas tij, nëse shteti nuk ndërhyn fuqishëm, cikli i hakmarrjes do të vazhdojë.

“Konflikti aty nuk mbyllet ndërsa njëra nga palët nuk asgjësohet. Kur nuk hyn shteti, njëra palë vazhdon të asgjësojë palën tjetër”, u shpreh ai.

Ai përmendi familjen Bardhi dhe tha se pjesëtarët e saj po vriten njëri pas tjetrit.

Hoxha bëri thirrje që familjet e përfshira të mendojnë për gratë, fëmijët dhe vazhdimin e jetës, në vend që cikli i vrasjeve të kalojë brez pas brezi.

“Po mbarojnë burrat. Çfarë do bëjmë? Do kalojmë te gratë, do kalojmë te fëmijët? Ku do ndalojë kjo histori? Këtu duhet të hyjë shteti”, tha ai.

Sipas gazetarit, vrasja e fundit nuk është fundi i konfliktit, por “thjesht ngjarja e radhës”, nëse nuk ndërhyhet.

Protestat – “Meritojnë përgëzim që e mbajtën ndezur për më shumë se tre muaj”

Në pjesën e fundit të intervistës u diskutuan protestat kundër qeverisë.

Hoxha tha se njerëzit që kanë protestuar për më shumë se tre muaj duhen përgëzuar për këmbënguljen.

Sipas tij, është e pazakontë që një protestë të mbahet aktive për kaq gjatë.

Megjithatë, ai pranoi se protesta nuk ka më të njëjtën energji dhe masivitet që kishte në fillim.

“Protesta vërtet nuk e ka më energjinë, madhësinë dhe mbështetjen që kishte në muajin e parë”, tha Hoxha.

Ai shprehu pritshmërinë që me ardhjen e studentëve dhe rikthimin e plotë të institucioneve në punë gjatë shtatorit, protesta mund të marrë energji të re.

Mbyllja e llogarive në Instagram – Hoxha akuzon qeverinë për luftë propagandistike

Nisida Tufa ngriti edhe çështjen e mbylljes së mbi 200 llogarive në Instagram dhe presionit të pretenduar ndaj aktivistëve.

Hoxha tha se zgjatja e protestës i kishte dhënë kohë qeverisë të përshtaste strategjinë e saj.

Sipas tij, qeveria po përpiqet që protestuesit t’i ndajë, t’i diskreditojë, t’i vendosë në konflikt me njëri-tjetrin dhe t’u bëjë presion.

“Zgjatja e kohës i dha mundësi qeverisë të tentojë t’i përçajë, t’i denigrojë, t’i sulmojë, t’i fusë në konflikt me njëri-tjetrin, t’i diskreditojë dhe t’u bëjë presion”, deklaroi Hoxha.

Ai pretendoi se qeveria shqiptare është shumë e aftë në përdorimin e propagandës, rrjeteve sociale dhe algoritmeve.

Sipas tij, pasi pa fuqinë që rrjetet sociale mund të kishin kundër saj, qeveria bëri lëvizje për ta kthyer avantazhin teknologjik në anën e vet.

Hoxha: “Fuqia e protestës është numri”

Megjithatë, gazetari tha se protestuesit duhet të kuptojnë se fuqia kryesore e tyre është pjesëmarrja masive.

“Nëse te Kuvendi shkojnë 10 mijë veta, nuk ka polici që del përpara. Nëse Kryeministrinë e rrethojnë 10 mijë veta, situata është tjetër”, u shpreh ai.

Sipas Hoxhës, një protestë me 30 apo 40 mijë pjesëmarrës do të krijonte një realitet krejt tjetër politik dhe policor.

Ai tha se Edi Rama, sipas tij, nuk është politikan që e konsideron dorëheqjen si zgjidhje në kushte normale politike.

“Ky kryeministër nuk e njeh dorëheqjen. Nuk është në formimin dhe në mendjen e tij”, tha Hoxha.

Kur Nisida Tufa e pyeti nëse mund të shkojë situata drejt dorëheqjes së Ramës, Hoxha u përgjigj me batutën:

“Edi Rama ka aq shanse të japë dorëheqjen sa shanse ka Ergys Agasi të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.”

Ambasadori i ri amerikan dhe vizita e Berishës në SHBA

Në minutat e fundit të intervistës, Artan Hoxha komentoi edhe ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri dhe vizitën e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara.

Hoxha e përshkroi ambasadorin e ri si një ushtarak karriere me eksperiencë në misione të rëndësishme dhe tha se ardhja e tij është zhvillim me rëndësi për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, veçanërisht në një periudhë me zhvillime të rëndësishme politike dhe zgjedhore.

Për rikthimin e Berishës në SHBA, Hoxha tha:

“Rikthimi i Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara është një ngjarje e rëndësishme për Partinë Demokratike. Kryesisht është një arritje personale për zotin Berisha.”

Sipas Hoxhës, Berisha kishte luftuar për vite për të arritur pikërisht këtë rezultat dhe e konsideronte pamundësinë për të udhëtuar në SHBA si një njollë në biografinë e tij politike.

“Nëse ka njeri në këtë vend që e di si funksionojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është Sali Berisha. Dhe ai e arriti këtë gjë”, tha Hoxha.

Megjithatë, ai bëri dallimin mes interesit personal dhe politik të Berishës dhe interesit më të gjerë publik.

“Kjo është arritje personale për Berishën dhe për Partinë Demokratike, jo për shqiptarët. Shqiptarët kanë interesa të tjera në këtë moment. Më shumë sesa çfarë do bëjë Berisha atje, na intereson çfarë do bëjmë ne këtu dhe çfarë do bëjë kryeministri i këtij vendi”, përfundoi Artan Hoxha.

Intervista u mbyll me falënderimin e Nisida Tufës për gazetarin, ndërsa Hoxha uroi një sezon të mbarë për emisionin “Kjo Javë”, duke bërë me humor edhe një urim tjetër: që ngjarjet e forta të aktualitetit të ulnin disi ritmin.

“Ka shumë zjarr. Nuk e mbajmë dot gjithë këtë atmosferë mbytëse”, tha Hoxha në përfundim./TN