Harvey Geh, reporter për lajmet ndërkombëtare, The Sun
Aleatët evropianë po hartojnë plane evakuimi përmes asaj që konsiderohet «thembra e Akilit» e NATO-s, ndërsa drejtues të shërbimeve të inteligjencës në të gjithë kontinentin paralajmërojnë për mundësinë e një sulmi rus brenda disa javësh.
Polonia dhe Lituania po përgatisin plane për procedurat e evakuimit përmes Korridorit të Suwałkit, mes shqetësimeve në rritje për një sulm të mundshëm nga Vladimir Putin.
Korridori i Suwałkit është një brez i ngushtë tokësor, rreth 60 milje (afërsisht 100 kilometra) i gjatë, përgjatë kufirit mes Polonisë dhe Lituanisë.
Drejtuesit e NATO-s prej kohësh kanë frikë se një luftë e gjithanshme me Moskën mund të shpërthejë pikërisht në këtë pikë kritike.
Meqenëse ky korridor shtrihet mes Bjellorusisë, aleate e Rusisë, dhe enklavës ruse të Kaliningradit, e cila është e militarizuar rëndë, ai është shndërruar në një nga përparësitë kryesore mbrojtëse të Perëndimit.
Nëse Moska do të vendoste ta ndërpriste këtë korridor të ngushtë, ajo do t’i izolonte shtetet baltike — Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë — duke ua ndërprerë rrugët tokësore drejt pjesës tjetër të NATO-s.
Vilniusi dhe Varshava po punojnë për një marrëveshje që do të krijonte një kornizë për evakuimin, bëri të ditur Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave e Lituanisë.
Drejtuesi i saj, Vilmantas Vitkauskas, tha: «Procedurat, logjistika dhe kapacitetet infrastrukturore po analizohen së bashku me kolegët nga Polonia dhe vetë plani duhet të hartohet pasi të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.»
Njoftimi vjen ndërsa Lituania po zhvillon stërvitje në shkallë kombëtare për të testuar reagimin ndaj kërcënimeve të mundshme, si lufta hibride, sulmet kibernetike dhe sabotazhi.
Vendet kufitare janë përballur me një valë në rritje operacionesh të fshehta, ndërsa Moska teston se deri ku mund ta shtyjë NATO-n.
Planet e evakuimit mund të përfshijnë gjithashtu kontrolle kufitare për të siguruar zhvillimin e mobilizimit dhe për të «penguar largimin nga vendi të personave që mbajnë role të caktuara kyçe».
Rreth 20 zyrtarë polakë udhëtuan në Lituani për të marrë pjesë në stërvitjet e reja që testojnë procedurat kufitare.
Në stërvitje janë përfshirë rreth 3.000 zyrtarë dhe afërsisht 1.000 vullnetarë. Ato pritet të zgjasin deri më 2 tetor.
Putin po përpiqet të pengojë mbështetjen evropiane për Ukrainën përmes sulmeve të luftës së tij të fshehtë.
Moska e ka shtuar presionin ndaj vendeve të NATO-s gjatë muajve të fundit, ndërsa zyrtarët perëndimorë e akuzojnë Kremlinin për inkursione të rrezikshme me dronë dhe akte sabotazhi.
Në një nga paralajmërimet më të forta deri tani, inteligjenca daneze tha se Rusia mund të ndërmarrë një sulm ushtarak kundër një shteti të NATO-s brenda vetëm disa muajsh.
Në një raport të publikuar të enjten, shërbimi tha se Rusia mund të kryejë sulme me rreze të gjatë kundër infrastrukturës së NATO-s ose të ndërmarrë një inkursion në një vend fqinj.
Raporti u publikua vetëm disa orë pas një zjarri në një stacion satelitor Starlink në Poloninë qendrore, të cilin autoritetet lokale e përshkruan si një «akt sabotazhi».
Disa javë më parë, avionët e NATO-s u ngritën në ajër për të rrëzuar një dron në Lituani, një fregatë ruse hodhi flakadanë drejt një helikopteri të mbrojtjes daneze, ndërsa një dron i dyshuar rus doli në breg në një plazh polak — tri incidente kërcënuese brenda së njëjtës natë.
Në gusht, Gjermania e fajësoi publikisht Rusinë për një tentativë sulmi me dron në aeroportin e Leipzigut.
Shërbimet daneze thanë se Rusia mund të përpiqet të vërë në provë Nenin 5 të NATO-s, i cili përcakton parimin e mbrojtjes kolektive të vendeve anëtare.
Ndërsa kryeministri polak Donald Tusk deklaroi më herët këtë muaj se Rusia po përgatit sulme «hibride» me dronë dhe raketa kundër aleatëve të Kievit./The Sun















