Milo Gjukanoviç rikthehet në krye të politikës në Mal të Zi me një fitore të qartë në zgjedhjet presidenciale. Ndonëse një figurë polarizuese, Gjukanoviçi ka mbështetjen e Perëndimit për arsye gjeopolitike.
Kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç u rikthye nga pensionimi i vetëimponuar në detyrat qeveritare, për të arritur një fitore të konsiduerueshme në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Sipas rezultateve jopërfundimtare të Qendrës për Monitorimin e Zgjedhjeve (CEMI) të publikuara të dielën në darkë, Gjukanoviçi fitoi 53.8 përqind të votave, kurse sfiduesi i tij kryesor Mladen Bojanic, 33.5 përqind.
Numërimi jopërfundimtar i votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmoi këtë tendencë, duke i dhënë 56 vjeçarit Gjukanoviç përparësi edhe më të madhe. Asnjëri prej gjashtë kandidatëve të tjerë nuk arriti të mbledhë një numër dyshifror votash.
Fitorja e re do të thotë kthimin e Gjukanoviçit në postin që ai e ka mbajtur prej viteve 1998 deri 2002.
Mali i Zi mbështet të gjitha sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë
Përveç tri pushimeve që ka bërë nga postet, ai ka qenë që prej vitit 1991 ose president ose kryeministër.
DPS ka qenë në pushtet gjithë kohën dhe Gjukanoviçi e ka drejtuar partinë që në vitin 199. Ai deklaroi se vendosi të rikthehet me DPS në mënyrë që të mbrojë kursin properëndimor të Malit të Zi përballë tensioneve rajonale dhe fërkimeve globale midis NATO-s dhe Rusisë.
Vitet e fundit Gjukanoviçi e largoi Malin e Zi nga aleanca tradicionale e ngushtë me Rusinë. Ai e akuzoi Moskën për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti në ditën e zgjedhjeve të fundit parlamentare në tetor 2016. Podgorica ka mbështetur të gjitha sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Mali i Zi me 620.000 banorë u anëtarësua në NATO më 2017 dhe po zhvillon negociata për anëtarësim në BE. Si figurë, Gjukanoviçi polarizon jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në plan ndërkombëtar. Kundërshtarët e akuzojnë për nepotizëm dhe për korrupsion masiv si dhe për praktika diktatoriale. Një numër anëtarësh të familjes së tij mbajnë pozicione të larta politike, gjyqësore dhe në biznes.