Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt është shprehur kundër ndarjes së Kosovës.Ai u shpreh se ndryshimi i kufijve do të sillte destabilizim në rajon dhe më gjerë.
Ai theksoi se Gjermania është kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës, duke shtuar se nuk do të zgjidhte asnjë problem. “Mua nuk ka mundur askush të më japë përgjigje bindëse në pyetjen se cilat probleme do t’i zgjidhte një ndarje e tillë.
Mos vallë do të sillte ndonjë lloj përmirësimi për shumicën e serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në jug të Ibrit? A do ta përmirësonte situatën e qendrave historike dhe fetare, siç janë manastiret ortodokse serbe?
A mos do ta fuqizonte përfaqësimin e komunitetit serb brenda shoqërisë kosovare? Jo!”-tha ambasadori gjerman për gazetën Zëri.
Ambasadori Heldt, nënvizoi se zgjidhja do të ishte përqëndrimi tek kushtet e jetesës së të gjithë popullsisë serbe në Kosovë dhe jo vetëm në disa qarqe, si edhe i konsideroi si të tmerrshme sulmet ndaj grupeve të pelegrinëve ortodoksë serbë dhe gjuajtjet me granata dore ndaj shtëpive të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës./sn/