Shefja për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara thotë se zyrtarët e inteligjencës po shohin “përpjekje të vazhdueshme ruse”, për të përdorur mediat sociale dhe burime të tjera, për të krijuar ndarje në mes të popullit amerikan.
Sekretarja për Siguri Kombëtare, Kristjen Nielsen, gjatë një tubimi të sekretarëve të Shteteve të Bashkuara në Filadelfia më 14 korrik, tha se rusët po përdorin mediat sociale si “zëdhënës simpatikë dhe fronte të tjera për të nxitur mosmarrëveshje dhe përçarje në mes të popullit amerikan”.
Ajo shtoi se megjithatë, këto përpjekje nuk janë “domosdoshmërisht të përqendruara në politikanët dhe fushatat politike”.
Sekretarja Nielsen gjithashtu tha se nuk ka shenja se Rusia po synon që të ndërhyjë në zgjedhjet afatmesme të këtij viti, me të njëjtën “shkallë dhe shtrirje”, që ndërhyri në zgjedhjet presidenciale më 2016 në SHBA.
Komentet e Sekretares Nielsen erdhën vetëm një ditë pasi Juria e Madhe në SHBA akuzoi 12 oficerë të inteligjencës ruse për rolin e tyre në sulmet kibernetike në Partinë Demokrate dhe publikimin e emaileve të vjedhura dhe informacioneve të tjera gjatë fushatës presidenciale më 2016.
Të 12 të akuzuarit janë identifikuar si oficerë në drejtorinë kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Inteligjencës ruse, që njihet si GRU. Kjo drejtori është një nga agjencitë kryesore të inteligjencës në Rusi, së bashku me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).
Zyrtarët e GRU-së “në kapacitetet e tyre zytare u angazhuan në një përpjekje të vazhdueshme për të sulmuar rrjetet kompjuterike të Komitetit të fushtatës së Partisë Demokrate dhe fushatës presdienciale të kandidates Hillary Clinton”, është thënë në një deklaratë të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Paditë, që janë bërë publike nga zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, janë publikuar vetëm disa ditë përpara se presidenti Donald Trump të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin më 16 korrik në Helsinki.
I pyetur nëse do të flasë me Putinin për këto padi, Trump – i cili vazhdimisht ka minimizuar akuzat kundër Rusisë – tha: “Gjithçka që mund të bëj është të them ‘A e keni bërë?’, ‘Mos e bëni përsëri’. Por, ai (Putini) mund ta mohojë këtë gjë”, është shprehur presidenti amerikan.
Kremlini vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA. Ministria e Jashtme ruse i ka cilësuar paditë si “një komedi e turpshme”, duke shtuar se ato kanë për qëllim që të pengojnë samitin në Helsinki.
Në komentet e saj, Sekretarja Nielsen tha se agjencia e saj do të ndihmojë zytarët në qytetet dhe shtetet e SHBA-së për të përgatitur sistemin elektoral për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike nga Rusia dhe gjetkë.
“Edhe pse votat nuk janë ndryshuar” gjatë zgjedhjeve presidenciale më 2016, tha ajo, “çdo përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet tona – qoftë suksesshëm apo jo – është sulm direkt në demokracinë tonë”.
Zyrtarët e disa shteteve gjatë tubimit në Filadelfi thanë se është e rëndësishme që presidenti Trump të ketë një qëndrim më të ashpër kundër Rusisë, në mënyrë që të ndihmojë që publiku të ketë besim në zgjedhjet e ardhshme.