Ballina Bota Sfidat e reja të Presidentit Trump

Sfidat e reja të Presidentit Trump

Ndërsa Presidenti Donald Trump përgatitet për një rishfaqje në skenën globale gjatë takimit të G-20s në Argjentinë, aleatët dhe kundërshtarët po radhisin sfidat në politikën e brendshme që e presin Presidentit gjatë vitit të ardhshëm. Dhoma e Përfaqësuesve do të jetë tashmë nën kontrollin e demokratëve duke mbartur me vete dhe mundësinë e hetimeve të shumta si dhe përmbushjen e hetimit ndaj Rusisë, të udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

Duke bërë fushatë për një kandidat republikan për në Senat në shtetin Mississippi, Presidenti Trump ofroi ndoshta një perspektivë rikandidimi në vitin 2020.

“Nën udhëheqjen republikane Amerika po lulëzon. Amerika po begaton dhe Amerika po fiton sërish, duke fituar si kurrë më parë. Ne jemi sërish të respektuar. Jemi të respektuar sërish si komb”, – deklaroi Presidenti Trump.
Por, Presidenti Trump do të përballet me një realitet të ri në janar, kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, si rezultat i zgjedhjeve të mesmandatit.

“Pra, populli amerikan votoi për ndryshimin. Ata votuan për të balancuar Presidentin Trump dhe një Kongres që do t’i ndalte përpjekjet e tij për të hequr kujdesin shëndetësor. Këtë do të marrin pas dy vitesh të gjata”, – tha Senatori demokrat, Chuck Schumer.

Presidenti Trump duhet të përballet tashmë me balancën e re të pushtetit në Uashington.

“Demokratët do të udhëheqin Dhomën e Përfaqësuesve dhe do të jenë në gjendje të hetojnë Presidentin, diçka që nuk e bënin dot kur ishin pakica. Kjo do t’u mundësojë atyre platformën për të vënë në dukje dallimet me Presidentin mbi një sërë çështjesh”, – thotë analisti John Fortier, i Qendrës së Politikave Dypartiake.

Disa demokratë ndoshta do të jenë më të hapur për të gjetur gjuhën e përbashkët me Presidentin, për çështje si përmirësimi i infrastrukturës.
Por, stili politik konfrontues i Presidentit Trump është një ndërlikim madhor, thotë analisti Jim Kessler.

“Rritet çmimi për çfarëdolloj marrëveshjeje që ai do të kërkojë të arrijë me demokratët. Pra, nëse do të dojë marrëveshje, do të duhet të sillet si dikush që e dëshiron , dhe jo si dikush që dëshiron thjesht të luftojë dhe të jetë në qendër të cirkut”, – thotë zoti Kessler.

E panjohura e madhe për Presidentin Trump do të jetë rezultati i hetimeve ndaj Rusisë të udhëhequra nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, të cilat mund të jenë drejt përfundimit. Presidenti Trump e ka kritikuar hetimin si një gjueti shtrigash, por rezultati mbetet një mister politik.

“Nuk dimë se çfarë ka Prokurori Mueller. Nuk dimë kur do ta bëjë të njohur. Nuk dimë nëse kur të hapim gazetat javës tjetër, do të shohim p.sh. 15 akuza të reja. Kjo është ajo që qëndron mbi kokën e kësaj administrate”, – thotë Elaine Kamarck, e Institutit Brookings.

Presidenti Trump mund gjejë disi ngushëllim tek fitorja të martën e republikanes Cindy Hyde-Smith në një garë që i la republikanët me një kontroll edhe më të madh të Senatit, 53 vende nga 100, për dy vitet e ardhshme./voa