Ballina Bota Analiza Nga taksat, tek pagat: Pse Gjermania nuk është “parajsa” që ëndërroni

Nga taksat, tek pagat: Pse Gjermania nuk është “parajsa” që ëndërroni

Nga Ela Wamsler

Mungesa e punonjësve të kualifikuar apo profesionistëve në Gjermani është kthyer në një problem serioz. Sipas të dhënave nga Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), 56% e bizneseve gjermane vuajnë nga mungesa e stafit profesional, ndërsa 1/3 e këtyre kompanive kanë punësuar punëtorë specialistë nga vendet e BE-së dhe jashtë BE-së përgjatë viteve të fundit. Megjithëse Gjermania, si kurrë më parë, ka arritur në nivelin më të ulët të papunësisë në histori, me vetëm 3.1 % sipas statistikave të muajit tetor 2019, kërkesat e tregut të punës janë më të mëdha sesa ofrohet nga popullsia ekzistuese. Sipas të dhënave zyrtare, gjysmë milioni azilkërkues kanë gjetur punë në Gjermani në katër vitet e fundit.

Lista e vendeve të punës që kanë kërkesë për krah pune nuk është publikuar zyrtarisht, por nga faqe të ndryshme lajmesh rezulton se ka nevojë për punonjës të kujdesit shëndetësor (mjekë, infermierë, sanitarë), inxhinierë elektrikë, punëtorë metali, kuzhinierë dhe IT ndër të tjera profesione dhe zanate.

Në një samit të mbajtur mes përfaqësuesve të qeverisë, shteteve federale dhe sindikatave të biznesit, reagimi i kancelares Angela Merkel tregoi emergjencën e situatës në fushën e punësimit. Ajo tha se Akti i Emigracionit të Punëtorëve Specialistë që do të hyjë në fuqi në Mars të vitit 2020, përfshin një sërë ligjesh që i hapin rrugën punonjësve të kualifikuar nga vendet jashtë BE-së që të vijnë për të punuar në Gjermani. Kërkesa për emigracion të rregulluar me ligj nuk kënaq, megjithatë, një pjesë të popullsisë, që është kundër numrit të madh të azilkërkuesve të strehuar në Gjermani ndër vite.

Në lidhje me këtë, Merkel nënvizoi në fjalën e saj gjatë samitit, se nëse nuk marrim emigrantët këtu bizneset do të migrojnë prej nesh. Momentalisht, po aplikohen disa strategji për thithjen e krahut të punës nga Brazili, India dhe Vietnami, gjë që sipas zyrtarëve gjermanë do të aplikohet edhe në vende të tjera si Meksika dhe Filipinet, që janë në hartën e vendeve të synuara. A janë këto vendet e vetme të lejuara për emigracion? Dhe a do të thotë kjo që këto strategji do të jenë rregullatorët e vetëm të përgatitjes dhe marrjes së emigrantëve?

Po emigrimi i lirë, në bazë të aplikimeve individuale, të paorganizuara, në tregun e punës, a do të mund të ketë po ashtu shanse? Pak flitet, gjithashtu, edhe për vështirësitë e emigrimit në Gjermani dhe përshtatjen me një kulturë shumë të ndryshme në kuptimin social dhe atë të punës, ku Gjermania është e famshme për disiplinën strikte.

Pse nuk është e lehtë të emigrosh në Gjermani?

Faza e parë e vështirësisë, hapi fillestar, është regjistrimi si rezident. Ky moment është shumë i rëndësishëm, pasi ti pajisesh jo vetëm me dokumentin e rezidentit, por edhe me një dosje njohëse të të drejtave dhe detyrimeve të tua (sidomos kjo e fundit), ku dalin në pah edhe vështirësitë kryesore që janë:

-Lejeqëndrimi

Për tu pajisur me dokumentat e lejeqëndrimit, kusht është që më parë të jesh i siguruar. Por për ironi, shumica e kompanive të sigurimit kërkojnë që më parë të jesh pajisur me lejeqëndrim (për të shmangur rrezikun e kontratave fiktive të sigurimit shëndetësor). E kështu, kjo kthehet në një rreth vicioz. Aplikimi ka vështirësitë e veta. Nga ana gjeografike, zyrat e regjistrimit janë të vendosura në distanca shumë të largëta nga zonat e banuara. Nëse banon pranë pranë Berlinit, në yonën e Brandenbirgut, zyra e regjistrimit të emigrantëve ndodhet në një fshat në kufi me Poloninë. Procedura zgjat mesatarisht 2 muaj, ku ti vetë duhet të paraqitesh disa herë dhe të përgatitësh një sërë dokumentash, vërtetime, kontrata shtëpie, fotokopje etj.

-Transporti publik

Është A-ja e jetesës në çdo vend. Në Gjermani, është një makth. Linjat e trenave dhe autobuzëve shpeshherë ndërpriten nga punimet apo aksidentet rrugore, gjë që ta ndryshon krejtësisht trajektoren e rrugës, duke e komplikuar shumë. Nëse nisesh për Berlin dhe treni rajonal ndërpritet me një njoftim të papritur, duhet të marrësh dy linja transporti alternative minimalisht që të shkosh në destinacionin tënd. Dhe këto janë linja të alternuara, metro ose tramvaj, në distancë disa minuta nga stacionet e trenave. Nëse nuk përdor aplikacionet në telefon, je i humbur.

-Gjuha

Nuk është fjala vetëm për gjuhën e përditshme (pa harruar faktin që gjermanët kanë dialekte të shumta dhe që ndryshojnë rrënjësisht nga gjuha letrare që mësohet në libra gramatike). Terminologjia gjermane sipas fushave të caktuara, profesionale e teknike, është shumë e komplikuar. Fjalët teknike janë fjalë të përbëra, të bashkangjitura, ku fjala e fundit përcakton kuptimin e së tërës (një fjalë teknike mund të ketë 3- 4 fjalë të ngjitura). Prandaj, njohja e terminologjisë specifike të profesionit është detyrim. Ka edhe kompani që pranojnë anglishten si gjuhë kryesore, pasi janë kompani të huaja që kanë staf ndërkombëtar, por shansi për të fituar aplikimet aty është i pakët. Kjo pasi në Gjermani ka të huaj që vijnë të punojnë me kontrata të rregulluara nga kompanitë e vendeve të tyre (transferim nga punëdhënësi) ose nga aplikimet individuale online. Pra, është një treg i synuar nga shumë.

-Qeraja

Tregu imobiliar në Gjermani është vlerësuar si një fluskë që pritet të shpërthejë së shpejti, sipas ekspertëve financiarë, pasi kostot e tokës, qoftë asaj për ndërtim apo tokës bujqësore, janë pothuajse 10-fishuar. Konkretisht, kostoja e blerjes së një shtëpie/ apartamenti në qytet është rreth 5000 Euro/m2, ndërsa jashtë qytetit 3500 Euro/m2. Po ashtu është rritur edhe taksimi mbi pronën. Të gjtihë këta faktorë kanë bërë që vlera e apartamenteve dhe shtëpive në vitet e fundit të rritet në mënyrë dramatike. Konkretisht, kostoja e qerasë së një apartamenti të vogël në qytet kushton mesatarisht 1000 euro/muaj, ndërsa në periferi 500 euro. Në qytete si Frankfurt, Këln, Dyseldorf etj, qeraja e një apartamenti për një familje me fëmijë (me 4 dhoma në total) kushton 1500 euro/muaj. Ndërsa në metropolin Berlin vetëm një dhomë me qera në një apartament (në një nga lagjet) kushton rreth 450 euro/muaj! Qeratë e larta përbëjnë një nga faktorët që i stepin punëmarrësit që të vijnë në Gjermani, krahas taksimit të lartë mbi pagën, që do ta shohim në vijim.

-Siguracioni shëndetësor

Për këtë flitet pak ose aspak, por Gjermania ka një sistem shumë të komplikuar të sigurimit shëndetësor personal. Sidomos kur je i huaj dhe nuk e kupton sistemin e pagave, taksimin e tyre sipas kategorive dhe diferencën midis punësimit në shtet dhe privat, që janë si dy botë të ndryshme. Kompanitë private të sigurimit kanë një sërë kriteresh strikte dhe procedurash që ndonjëherë zgjasin disa muaj, deri në konfirmim të pacientit që ato marrin përsipër. Në një farë mënyre ti përzgjidhesh si në një konkurs bukurie, në bazë të faktit se sa i shëndetshëm je (fjala bie, një i sëmurë kronik me diabet nuk ka shanse për tu siguruar nga ana shëndetësore). Përvecc vështirësive në gjetjen e një kompanie serioze private, kostoja e këtij shërbimi është tepër i lartë kur bëhet privatisht. Sigurimi bëhet edhe nga punëdhënësi, ku mesatarisht ky kontribut është 330- 400 euro/muaj.

Ndërsa sigurimi shtetëror ka kritere që bazohen në pagën vjetore, e cila duhet t‘i kalojë të ardhurat prej 50.000 Euro/vit të pagës bruto. Sistemi shëndetësor gjerman është një problematikë më vete. Koha për përgatitjen e dosjes shëndetësore me analiza të kryera në Gjermani zgjat, pasi mjekësia ka mangësi në staf dhe koha e pritjes ndonjëherë varion nga një deri në dy muaj. Pa konfirm të mjekut për analizat bazë apo edhe ato specifike në rast sëmundjesh kronike, nuk të konfirmohet siguracioni dhe nuk punësohesh dot. Ndërsa analizat laboratorike nga vende si Shqipëria nuk njihen fare. Nuk po marrim në konsideratë rastin e keq kur sëmuresh në Gjermani, pasi askush nuk të përgjigjet nëse nuk ke lënë takim paraprakisht. Mund të jesh shëruar derisa të vijë data e vizitës tek mjeku, por ja që kështu funksionon. Edhe këtu funksionon skema, ku i sëmururi më keq shërbehet i pari, pavarësisht nëse je pacient me takim, ndërsa pacientët privatë kanë zakonisht avantazh.

-Kostoja për edukimin e fëmijëve

Në Gjermani sistemi i pagesave për kopshtet është progresiv, ai llogaritet me përqindje nga të ardhurat mujore të familjarëve. Për një apo dy paga të prindërve që shkojnë në total rreth 4000- 5000 euro/muaj, pagesa për kopshtin është mesatarisht 120 euro/ muaj në sistemin shtetëror dhe 250 euro/muaj në privat. Në qytetet e mëdha ka mbingarkesë të numrit të fëmijëve në kopshte dhe mungesë stafi.

Këtë vit problemi më i madh u ngrit në Berlin, ku sistemi i kopshteve është falas (i vetmi land që e ofron falas, pasi kostoja e jetesës është tepër e lartë). Mungesa e kopshteve ka bërë që të kërkohet ndërtimi i godinave të reja, por kjo përsëri çon në pikëpyetjen se ku do të gjenden edukatorët për të mbushur këto mjedise, kur dihet se Berlini ka defiçit në këtë drejtim. Ekspertët e edukimit kanë ngritur edhe problematikën e mungesës së stafit pedagogjik në shkolla, ku momentalisht llogaritet një deficit prej 15.000 mësuesish që i nevojiten sistemit për vitin tjetër shkollor. Ajo që pyesin mediat gjermane është, se ku do të gjenden këta mësues? Dihet që emigrantët nuk mund ta marrin rolin e mësuesit pa e ditur gjuhën gjermane në nivel akademik. Një tjetër faktor është se mbingarkesa e shkollave në qytete të mëdha dhe pagesa jo e lartë bën që kjo punë të jetë joatraktive.

-Detyrimet mujore (mbeturinat, energjia elektrike, uji, taksat për TV, territorin etj)

Kjo është pjesa më e vështirë, sidomos për popuj që kanë probleme me edukimin e ndarjes së mbeturinave sipas llojit, siç është edhe Shqipëria. Në rast moszbatimi të duhur të ndarjes së mbeturinave gjobitesh, ndërkohë që për çdo qese me mbeturina duhet të paguash 1- 2 euro. Qelqet kanë pika grumbullimi të posaçme, ku duhet t’i depozitosh vetë duke respektuar ndarjen sipas ngjyrave të qelqit dhe orarit kur i hedh aty, pasi në fundjavë kjo gjë nuk lejohet, për arsye se shqetëson banorët afër. Mbeturinat grumbullohen në shtëpi nga kompania çdo 2 javë, sipas llojit, në bazë të një kalendari shumë të përpiktë me data dhe orare, që të jepet në dorë sapo bëhesh rezident në qytet. Kalendari është specific për çdo familje.

Regjistrimin e mbeturinave, të ujit dhe energjisë elektrike në emrin tënd duhet t’i bësh sipas procedurave administrative në bazë të orareve dhe termineve (takimeve) nga ana e stafit. Këto kërkojnë shumë shkresa, nënshkrime kontratash, printime, vula etj. Kostoja e energjisë është tepër e lartë, me një minimum prej 100 euro/muaj, që në dimër me ngrohjen rritet edhe më shumë. Ndërsa uji është pak më i lirë (uji është i pijshëm!). Taksat për televizionin shkojnë për dy kanalet shtetërore. Deklatarën e taksave duhet ta plotësosh vetë (ose të paguash një firmë për konsultime financiare) dhe ta dorëzosh brenda afateve pranë zyrës lokale të financave. Për deklarim të vonuar, aplikohen gjobat.

-Pagat

Ndryshe nga sa mendohet në Shqipëri, pagat në Gjermani nuk janë aq të larta, sidomos për kategoritë e punës që nuk preferohen nga gjermanët. Paga minimale është 1557 euro/muaj, sipas të dhënave në Korrik 2019. Paga mesatare neto llogaritet rreth 2250 Euro/muaj. Infermierët kanë një pagë rreth 2000 euro/muaj. Pagat taksohen sipas një sistemi progresiv që duket i komplikuar për jogjermanët. Taksimi mbi të ardhurat vjetore dhe sigurimet sociale arrijnë së bashku në 35 % të pagës vjetore mesatare. Sa më shumë paguhesh, aq më shumë taksohesh (deri në 45 % të pagës). Pra, nëse paguhesh me 3000 euro/muaj, paga neto që merr me vete në shtëpi pas taksimit është rreth 1900 euro. Sipas të dhënave të tjera në internet, mesatarja e jetesës për një familje është 2500 euro/muaj.(Hashtag.al)