Ballina Aktualitet U caktua numri i lëndës për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

U caktua numri i lëndës për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Gjykata Themelore e Tetovës e ka caktuar numrin e lëndës për zjarrin në spitalin modular, ku vdiqën 14 persona. Lënda mban numrin K450/22 ndërsa ende nuk është caktuar gjyqtari i cili do e udhëheq rastin, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave fizik dhe një personi juridik për rastin e djegies së spitalit.

Raportohet që bëhet fjalë për ish-drejtorin e spitalit, drejtori i shëndetësisë, udhëheqësi i qendrës për kovid, dhe Spitali i Tetovës si subjekt juridik, por zyrtarisht nuk konfirmojnë emrat.

Dy të parët akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për – Krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

I akuzuari i tretë për veprën penale Mos respektimi i rregullave shëndetësore gjatë epidemisë sipas nenit 206 paragrafi 1 të Kodit penal.

Personi juridik akuzohet për veprën penale- Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 288 dhe Mosveprimi sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë sipas nenit 206.

Raporti i krim-teknikës kishte vlerësuar që zjarri është shkaktuar nga një lidhje e shkurtë e qarkut elektrik ku ishte i lidhur defibrilatori.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.