Ballina Blog Faqe 881

ZHERNOVSKI : MPJ-JA ËSHTË MINISTRI ME BESIM MË TË MADH TEK QYTETARËT

Zv/ministri i sapo zgjedhur i MPJ-së së Maqedonisë, Andrej Zhernovski në rrjetin social “Facebook” ka publikuar fotografi nga takimi i parë që e realizoi me ministrin Nikolla Dimitrov.

“Është nder që të jesh në mesin e ekipit të ministrisë me besim më të madh tek qytetarët”, ka shkruar Zhernovski i cili para këtij funksioni ishte deputet nga radhët e LDP-së dhe kryetar i Komunës Qendër./tv21/

Shitet për 7 mln euro piktura e Van Gogh

Për 7 milionë euro është shitur në një ankand të Francës një peizazh i hershëm i Vincent van Goghut, piktorit të madh që luftoi përgjatë të gjithë jetës së tij me lënien në errësirë dhe mosvlerësimin.

“Riparueset e rrjetave në duna” përcjell përmes formave dhe ngjyrave të tij të magjishme një copëz nga jeta e grave të thjeshta fshatare. Van Gogh e krijoi kur ishte vetëm 29 vjeç, gjatë periudhës që po kalonte duke jetuar në afërsi të Hagës.

Piktura u ble nga një koleksionist amerikan, pas një lufte të madhe, që e shtyu çmimin mbi 3-5 milionë eurot e parashikuara për të. Ky është i pari krijim i mjeshtrit të madh holandez, që shitet në Francë prej më shumë se 20 vitesh.

Siç shpjegon drejtuesi i ankandit, Francis Briest, në këtë kuotim kaq të lartë u arrit sepse sot, zor se gjen më Van Gogh në treg.

Pikturat e atij që u shuajt pa e ditur sesa do ta vlerësonte bota një ditë, sot gjenden përgjithësisht nëpër koleksione private apo muze. Për këtë arsye, blerësit janë të gatshëm të paguajnë shuma marramandëse, vetëm që të kenë në duart e tyre vepra të një cilësie dhe rëndësie të tillë.

Hera e fundit që çekiçi i ankandit ra në Paris për një pikturë të Van Goghut ishte në mesin e viteve 1990, kur “kopshti në Auvers” u shit për 10 milionë dollarë. Majin e ’90-s, portreti i Dr. Gachet mori atë që atëherë ishte çmimi më i lartë për një pikturë, kur u ble në ankand për 82.5 milionë dollarë./TCH/

“CIVIL”: PO PËRGATITET TERRENI PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME

Organizata Civil vlerëson se po përgatitet terren për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale. Sipas Xhabir Derallës, Maqedonia ende nuk është e gatshme për zgjedhje të rregullta e jo më të parakohshme, pasi me modelin për përbërjen e KSHZ së që e kanë vendosur pushtetarët, thotë se asesi nuk mund të ketë reforma në KSHZ e cila është shtylla e organizimit të zgjedhjeve.

“Civil” është i bindur se KSHZ ja nuk është as e gatshme as e liruar nga ndikimi politik për referendumin lidhur me emrin dhe për zgjedhjet. Sipas Derallës, duhet të ketë më shumë vështirësi ligjore që do të dekurajojnë partitë për të bërë manipulime financiare por edhe do t’i zmbrapsin ata që duan të bëjnë korrupsion votash.

Ish-anëtari i KSHZ së, Aleksandar Novakovski është në një vijë me Derallën se KSHZ nuk mund të reformohet me modelin e zgjedhur dhe se Maqedonia nuk ka kapacitet demokratik për momëntin që të organizojë as zgjedhje e as referendum.

Civil sugjeron që të gjendet ndonjë model i përshtatshëm me të cilin anëtarët e KSHZ-së nuk do të kishin asnjë lidhje me politikën. /shn/

LENÇE RISTOSKA: PSP-JA DO TË HAPË RASTE TË REJA

Prokurorja Lençe Ristoska ka paralajmëruar hapjen e rasteve të reja hetimore nga Prokuroria Speciale Publike. Ajo shpreson se kompetencat e PSP-së do të shtrihen edhe më tej në ngjarjet që kanë lidhje me korrupsionin në nivele të larta.

“Duhet vendime ligjore për ndryshimin e ligjit që të sigurohet se PSP do të ketë bazë të përhershme për vazhdimin e punës së saj”, thekson prokurorja Lençe Ristoska në konferencën e organizuar nga Instituti për Politika Evropiane.

Prokurorja ka thënë se në disa raste kanë ngesur punët për shkak se në hetime ka elemente që kanë karakter ndërkombëtar.

Ajo ka thënë se karakteristika themelore e PSP-së është autonomia, ndërsa sipas saj reformat nuk do të jenë gjithëpërfshirëse nëse nuk përfshihet edhe PSP-ja. /SHENJA/

Pribe: Në Maqedoni ka përparim, por duhet ende punë

Raporti i BE-së për përparimin e Maqedonisë tregon përparim të dukshëm në disa sfera, por ka edhe shumë sfera tjera ku duhet shumë të punohet, të realizohen reformat e nevojshme në procesin eurointegrues.

Në raportin padyshim që çështje thelbësore dhe prioritet është sundimi i së drejtës me gjitha aspektet, ka thënë Rajnhard Pribe i cili merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për reforma dhe sistemin e sigurisë që mbahet në Ohër.

“Reformat në të cilat themi ne, njashtu edhe në raportin e BE-së, duhet të realizohen jo vetëm për përparimin e procesit eurointegtrues, por më shumë për vetë shtetet dhe qytetarët”, ka thënë Pribe.

Arabia Saudite lëshon patentat e para për femrat

Arabia Saudite ka lëshuar patentat e para për shoferet femra pas shumë dekadash. Kjo nismë është marrë disa javë para se të hiqet ndalimi i ngasjes së makinave nga femrat,transmeton oranews.

Dhjetë femra morën patentat të hënën në qytete të ndryshme në Arabi.

Pritet që të ketë shumë aplikime në prag të 24 qershorit kur ndalimi i femrave për të drejtuar makinën të përfundojë.

Ligjet e Arabisë Saudite kërkojnë që gratë të kërkojnë leje për vendime dhe veprime të ndryshme, dhe kjo shtrihet në ndalimin e ngarjes së makinës. Më parë familjet duhet që të punësonin shoferë private për të transportuart femrat e shtëpisë.

Por grupet e të drejtave në mbretëri kanë bërë fushatë për vite me radhë për t’i lejuar gratë që ti japin makinës dhe disa prej tyre janë futur në burg për sfidë ndaj sundimit.

“Janë rreth 2000 gra që do ti bashkohen rradhës së shoferëve të licensuar në mbretëri,”-tha në një deklaratë Ministria e Informacionit në Arabinë Saudite.

Në deklaratë thuhej se 10 gra morën patentat duke ‘bërë historinë’.

Këshilla për kujdes ndaj lëkurës së thatë

Ka shumë arsye pse lëkura thahet, disa nga to janë; gjenetika, dëmet nga mjedisi, dëmet që shkaktohen nga dielli , ndikimi i klimës në shëndet. Pavarësisht shkakut, lëkura është e thatë dhe ju duhet të tregoni kujdes për të.

Diçka që e dini të gjithë, por duhet ta zbatoni, është kujdesi që duhet ta tregoni për ta mbajtur lëkurën në nivelin normal të lagështisë.

Vazhdimisht duhet të përdorni çka keni nevojë, ose sa keni nevojë, që lëkura të qëndrojë e lëmuar, kështu do të jetë më e lehtë që të jetë e hidratuar, përcjell KosovaPress. Ky veprim i thjeshtë i përsëritur vazhdimisht mund të sjell ndryshime të mëdha për lëkurën e thatë.

Si të veproni nëse kafshoheni nga gjarpri

Me nxehjen e motit edhe gjarpërinjtë fillojnë të dalin më shumë, e posaçërisht në vendet më rurale ku ka pyje ose vende të braktisura afër.

Statistikat tregojnë se vetëm në SHBA rreth 8,000 njerëz kafshohen nga gjarpërinjtë në vit, transmeton Telegrafi.
Por, kafshimet e tilla janë rrallëherë fatale, pasi që vetëm pesë prej tyre vdesin në vit, megjithëse helmi i gjarprit mund të shkaktojë dëme serioze.

Helmi i gjarprit shkakton dhimbje, ënjtje e me shumë mundësi edhe plagë rreth pjesës së kafshuar.

Çfarë të bëni e çfarë të mos bëni nëse kafshoheni nga ndonjë gjarpër.

– Shkoni te mjeku sa më shpejt që është e mundur. Edhe nëse gjarpri nuk ka qenë helmues, ju prapëseprapë rrezikoni infeksione të ndryshme.

– Lëvizeni sa më pak gjymtyrën ku iu ka kafshuar gjarpri në mënyrë që të ngadalësohet procesi i shpërndarjes së helmit.

– Mbani mend pamjen e gjarprit – përshkrimi i gjarprit e ndihmon doktorin ta ketë parasysh se çfarë lloji i gjarprit iu ka kafshuar.

– Mbajeni mend kohën në sa ora ka ndodhur sulmi në mënyrë që doktori ta ketë parasysh sa shumë është shpërndarë helmi.

– Largojeni çdo aksesor rreth zonës së kafshuar para se të fillojë ënjtja.

– Nëse keni shumë dhimbje, mund të përdorni Tylenol.

– MOS u përpiqni ta zini ose vrisni gjarprin sepse rrezikoni t’ju kafshojë prapë.

– MOS provoni ta thithni helmin me gojë sepse ky është vetëm mit dhe nuk funksionon – në fakt, ju rrezikoni ta vendosni helmin në gojë.

– MOS përdorni aspirinë, ibuprofen apo ilaçe tjera të cilat jua hollojnë gjakun.

Ekspertët tregojnë se gjarpërinjtë rrallëherë janë agresivë dhe ju sulmojnë vetëm atëherë kur ndihen të kërcënuar, kështu, nëse hasni në ndonjë gjarpër, mos e ngacmoni!

VMRO: PROTESTUESIT I DHANË MESAZH ZAEVIT SE “NUK SHITEN INTERESAT KOMBËTARE”

VMRO-ja ka lëshuar sot një deklaratë ku komenton protestën në Shkup, duke theksuar se qytetarët dolën dhe kundërshtuan “krimet e Zoran Zaevi dhe kartelit të tij të pushtetit”, siç e cilëson partia opozitare. Sipas partisë, qytetarët i thanë shumë Zaevit për “terrorin politik dhe torturën kundër qytetarëve të pafajshëm”.

“Qytetarët kundërshtuan shitjen e interesave shtetërore dhe kombëtare. Ndërsa Zaev dhe karteli i tij në pushtet po bëhen më të pasur, qytetarët po bëhen më të varfër. Qytetarët maqedonas janë më keq çdo ditë. Asgjë që ishte premtuar para zgjedhjeve nuk u përmbush. Të gjitha ato që morën në këtë vit janë premtime të rreme dhe shpresa të rreme, shanse të shkurtuara, zero ekonomi dhe asnjë investim kapital të realizuar”, vlerëson VMRO-ja.

Sipas kësaj partie, nuk ka paga minimale prej 500 euro, fermerët nuk kanë subvencione më të larta, pensionistët nuk kanë pension më të lartë, nuk asnjë rimbursim 15% të TVSH-së, nuk ka asistencë sociale prej 12,000 denarë dhe 600 km autostradë të re.

Shqiptarët në njësitet speciale në Maqedoni numërohen në gishta (Video)

Vazhdon Përfaqësimi joadekuat i shqiptarëve në njësitë speciale. Gentian Dauti, i cili është polic në njësinë për intervenim të shpejtë, përmes Facebook-ut ka reaguar për numrin e ulët të shqiptarëve në këtë njësit.

“Komandant i njësitit (Командант на Единицата) është maqedon, zëvendësi maqedon , 3 ndihmës Komandanta janë maqedon, Komandanta te objekteve (Командири на чета) janë 10 dhe ndihmës 10, domethënë as 1 Shqipëtar, Komandant udhëheqës (Командир на вод) të 30 policëve ka vetëm 1 Shqipëtar, gjithësej prej 15, udhëheqës si (лидер) i 5 policëve ka vetëm 8 Shqipëtar gjithësej prej 72, Instruktora prej 20 asnjë shqiptar ,nëpër shtabe asnjë Shqipëtar me cfarë fjalësh dilni e tregoni që i kemi të drejtat e barabarta??”

Sipas këtij reagimi të Dautit, në njësinë ku ai bën pjesë, ka policë me rreth 15 vjet përvojë pune por që nuk avancohen edhe pse i plotësojnë kriteret. Me ironi, Gentiani shkruan se i vetmi përmirësim që është bërë në njësinë për intervenim të shpejtë, është punësimi i 3 kuzhinierëve shqiptarë. I pyetur për avancimin e shqiptarëve nëpër njësi speciale të vendit, zëvendësministri i brendshëm Agim Nuhiu tha se kjo ditë nuk është e largët.

“Jemi të orientuar dhe tani është në rrjedhë e sipër edhe një konkurs, ku kemi kërkesa për inkuadrime të reja, kemi motivuar punonjës shqiptarë që edhe ata të jenë pjesë e njësive speciale dhe dua të them se rreth 40 shqiptarë në njësitin për intervenim të shpejtë”, tha Agim Nuhiu – zv/ministër për punë të brendshme.

Në njësinë speciale për rend publik, përfaqësimi i shqiptarëve është 30% tha Nuhiu, duke mos fshehur faktin se në njësiti për intervenim të shpejtë “Tigrat” nuk është i punësuar asnjë shqiptar.

“Kolegët e mi paraprak të cilët kanë qenë në pozitën e zëvendësministrit kanë qenë të orientuar për të motivuar shqiptarët që të inkuadrohen në këtë njësi, por ka munguar interesimi i duhur, ka pasur edhe hile në drejtim të selektimit por edhe demotivim që shqiptarët të mos inkuadrohen në këtë njësi”, u shpreh Agim Nuhiu – zv/ministër për punë të brendshme.

Nuhiu tha se ka shqiptarë që kanë kapacitete profesionale dhe morale për të drejtuar me njësi speciale të vendit dhe shumë shpejtë një pjesë e tyre “do të marrin detyra menaxheriale në kuadër të këtyre njësive speciale”, megjithatë zëvendësministri nuk jep asnjë afat kohor se kur mund të bëhen këto emërime./TV21/

ËSHTË SHPALLUR KONKURS PËR ANËTARË TË PËRKOHSHËM NË KSHZ

Konkursi për anëtarë të ri të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për gjashtë muajt e ardhshme u publikua sot. Bëhet fjalë për anëtarë të parkohshëm të Komisionit, sepse deri në vjeshtë pritet të miratohet ligji i ri zgjedhor, në të cilën do të përfshihet edhe përëbërja e KSHZ-së.

Sipas rregulloerve, kryetari dhe dy anëtarë të KSHZ-së do të duhet që të jenë nga opozita kurse partitë në qeveri, duhet që të propozojnë nënkryetar dhe tre anëtare.

Anëtarët do t’i zgjedhë Parlamenti me shumicë votash.

Zaev me apel deri te Ivanovi që të dekretoj ligjin për gjuhët

Kryeministri Zoran Zaev, sot edhe njëherë ka drejtuar apel deri tek presidenti Gjorge Ivanov që të firmos Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe me këtë t’i hap rrugë funksionimit të demokracisë në shoqëri.

“Ky veprim i Ivanovit përcjell mesazhin se presidenti mundet të vendos kur të dojë dhe cilindo Ligj të bllokoj përmes vetos. Kjo nuk është demokraci funksionale. Përgjegjësia është e madhe”, deklaroi Zaev.

“Emri”, Kocias: Ka ardhur koha për përgjigje të mëdha

Mendoj se po vjen momenti të themi “po”-në ose “jo”-në e madhe, ndërkohë që ti kupton vështirësitë që gjenden para teje, tha në një intervistë për televizionin shtetëror grek, ERT, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kocias, lidhur me ngjarjet e fundit në bisedimet greko-maqedonase për çështjen e emrit.

“Mendoj se lidershipi i vendit tonë mik në veri, ka kuptuar vështirësitë e mëdha që ekzistojnë për zbatimin e një marrëveshjeje për emrin dhe kjo gjë ka luajtur rol për ta rishikuar këtë marrëveshje, të bisedojë për sqarime të caktuara për vetë marrëveshjen, ndërkohë që jam i bindur se për disa ditë kjo do të tejkalohet”, tha Kocias.

Ministri grek nuk zbuloi se për cilin emër palët kanë rënë dakord pasi “këtë do të duhet ta publikojnë dy qeveritë, respektivisht dy kryeministrat”.

”Ka tri variante që janë ‘Republika e Maqedonisë Veriore’, ‘Republika e Maqedonisë së Epërme’, dhe “Republika e Maqedonisë së Re’, pasi ‘Republika e Maqedonisë (Shkup)’ u hodh poshtë nga pala greke, ndërsa ‘Republika e Maqedonisë së Vardarit’, nga pala maqedonase”, theksoi Kotzias./am/

Parashikimi i motit

Moti sot në Maqedoni pritet të jetë me diell dhe i ngrohtë, pasdite pritet të shfaqen edhe vranësira të pakta.

Në mesditë dhe gjatë pasdites në disa rajone të ketë rrebesh shiu dhe vetëtima, që gjatë fundit të ditës do të jenë më të shumta, sidomos në lindje të vendit.

Temperatura do të lëvizë nga 22°C e deri më 34°C.

Saga Fevziu dhe fillimi i fundit i emisioneve tallava

Nga Dritan Hila

Përfolja për largimin e gazetarit Blendi Fevziu nga televizioni Klan, pavarësisht përpjekjeve të miqve të tij gazetarë për ta paraqitur si eveniment, kaloi pa u vënë re, ashtu sikurse blerja e supozuar nga Top Channel nuk është një ngjarje e merkatos televizive.

Duke folur historikisht, Fevziu dhe brandi i tij Opinion është themeluesi i debatit televiziv i ndjekur vetëm një vit më vonë nga “Dritare” i Rudina Xhungës. Për shumë vite ata do të mbeteshin të vetmet tribuna elitare të komunikimit të politikanëve me publikun por edhe të debateve televizive mes gazetarëve dhe politikanëve apo specialistëve, dhe publiku priste me padurim orarin e tyre. Por kjo kohë ka vite që ka mbaruar.

Të ndodhur nën presionin e konkurencës, për të fituar publik, secili zgjodhi një rrugë alternative. Fevziu zgjodhi atë të spektaklit dhe për hir të tij nuk kurseu asnjë parametër profesional. Të gjithë jemi dëshmitarë se pjesa e dytë dhe e tretë e emisionit ktheheshin në një kakofoni ku folësit mbivendoseshin me njëri-tjetrin. Askush nuk e mbante mend përse fillonte sherri; vendin e specialistëve dhe profesionistëve e zunë bulldogë dhe pitbullë të skenave televizive të cilët të vetmen aftësi kishin për të debatuar pa e pasur në vesh se çfarë thoshte bashkëbiseduesi dhe rëndësi kishte shfaqja. Ishte lloji i spetakli me më pak kosto pasi aktorët ishin falas. Ky format solli që shumë specialistë apo intelektualë të mos merrnin pjesë në emisione duke sjellë zëvendësimin e tyre me gjithfarëditës që flasin me kompetencë nga çrregullimet seksuale e deri në udhëtimet në Mars.

Rrjedhojë e kësaj ishte rënia e nivelit të ndjekësve. Mjaftonte të shikoje komentet e shikuesve për të kuptuar nivelin e tyre kulturor, dhe pas kësaj bezdinë akoma më të madhe të intelektualëve për të marrë pjesë në debate të tilla.

Si një ndër dy emisionet më të mëdha për kohën, tërhoqi nga mbrapa edhe ata që erdhën më vonë. Për shkak të presionit të audiencës; të pronarëve që kërkojnë shikueshmëri; për mungesë stafi që të bëjnë emisione cilësorë apo të kollajllëkut duke mbledhur gjashtë veta me të vetmin preokupim që të stimulosh sherrin, solli rënien e cilësisë dhe rrjedhimisht të audiencës.

Futja e emisionit katër herë në javë ishte grushti i fundit në shkatërrimin e këtij formati emisionesh. Shqipëria nuk prodhon aq shumë ngjarje dhe personazhe që të ketë vend për katër emisione në javë, krahas dhjetërave që janë në kanalet e tjerë. Detyrimisht gjithçka do binte në mediokritet.

Gjithë historia tjetër është llogjika e biznesit e Aleksandër Frangaj. Mbase Frangaj i ka kërkuar zhvendosjen në kohën e dytë; mbase i ka kërkuar reduktimin e emisioneve dhe të shpenzimeve. Fevziu nuk do ketë pranuar pasi e konsideron rënie prestigji. Kuptohet në intervistën që jep se Fevziu është i trembur dhe e kërcënon se Klan do pësojë fatin e TV Arbërisë nëse nuk ka emision politik, e cila për hir të së vërtetës falimentoi për shkak të shkujdesjes së pronarit dhe jo sepse i munguan muhabetet politike.

Kalimi ose jo e Fevziut në Top Channel është thjesht një çështje teknike. E vërteta është që njerëzit janë lodhur nga emisionet tallava. Nuk kishte si ndodhte ndryshe me këto krijimtari sui generis të tregut shqiptar. Le të shërbejë kjo ngjarje për riformatimin e tregut ku gazetarët ose të bëjnë emisione politike ose spektakle, ku politika ka fashën e saj elitare të publikut dhe nuk ka pse konkuron spektaklin. Në u mbyllshin fare, askush nuk do t’i qajë.

Sot bëhet varrimi i Jeton Rexhepit, ja çka shkruan imami i fshatit Llërcë

’Të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi’’
Të nderuar,Koleg, miq, shoke, Dita e djeshme per banoret e Llerces ka qen nga ditet me te veshtira ku nga një numer shumë i madhe i Forcave Serbo-Maqedone ndëroi Jetë ish Ushtari i UÇK-së VLLAU JONË Shoku JONË ‘’JETNANI’’
Allahu e befte prej Banorve te Xhennetit ndersa familjes Durimin.
Varimi behet sot pas Namazit te Drekes”, shkruan në profilin e tij në Facebook Besim Memedi, imam i fshatit Llërcë, transmeton Tetova News.

Nga Maqedonia ikin edhe kamionxhinjtë

Nga Maqedonia nuk ikin vetëm mjekët apo programuesit, por edhe vozitësit profesionist të kamionëve si dhe mjeshtrit e profileve të ndryshme të ndërtimtarisë. Njohësit e sektorit të transportit thonë se në shtet në vitet e fundit janë importuar me mijëra e mijëra kamionë të profileve të ndryshme, por megjithatë mungojnë vozitës profesionist që do të transportojnë mallra brenda dhe jashtë Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Bile me pensionimin e vozitësve apo ikjen e tyre jashtë shtetit , është shumë vështirë që ato të zëvendësohen me shoferë të tjerë me përvojë.

Nga Asociacioni i shoqatave të punëdhënësve të kompanive që kryejnë transport “Makam-Trans”, thonë se ikja pas një vendi pune të paguar më shumë jashtë shtetit, por edhe pakujdesia e institucioneve relevante që të krijojnë kuadër të vozitësit profesionistë e që do të aftësohet në bankat shkollore për këtë profil që kërkohet në tregun e punës, kanë shkaktuar edhe mungesën e vozitësve të kamionëve në shtet.

“Shoferët nga Maqedonia ikin në Gjermani dhe shtetet e tjera perëndimore të joshur nga kushtet më të mira të punës dhe pagesës më të madhe, si dhe për shkak të faktit se u hap mundësia që në mënyrë legale të punojnë dhe jetojnë në këto shtete. Gjithashtu, edhe në nivel të Evropës mungojnë shoferë profesonistë të kamionëve, bile llogaritet se deri në vitin 2020 në tërë Bashkimin Evropian do të mungojnë 1 milion vozitës profesionist të kamionëve për shkak të vajtjes në pension të një pjese të madhe të vozitësve në shtetet perëndimore”, thotë për KOHA, Biljana Muratovska nga Shoqata e transportit “Makam-Trans” .

Sipas saj, problem i mungesës së vozitësve profesionist të veturave të rënda, e ka burimin tek mos-përgatitja me kohë e kuadrove të tilla që kërkohen në tregun e punës.

“Mungesa e vozitësve profesionist të kamionëve vjen nga mos-shkollimi i tyre që nga shkolla e mesme për të këtë drejtim , ose mungesa e shkollimit të profileve të tyre që nga bankat e shkollës mesme, për shkak se jo të gjithë gjysmë-maturantët kanë mundësi të vijojnë shkollimin e lartë. Ne tani kërkojmë , që edhe në mënyrë institucionale të aftësohen vozitës në aspektin profesional duke ju ofruar edhe mbështetje financiare, sidomos për nxënësit nga viset rurale që janë edhe rajone më të varfra , që të mundet nesër pas përfundimit të shkollës mesme, që të dalin nga shkollimi i mesëm profesional edhe kuadro që menjëherë mund të punësohen duke zgjidhur edhe ekzistencën e tyre jetësore” shton më tej Muratovska.

Nga ana tjetër, analizat e ndryshme tregojnë se krahas Evropës, edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ju mungojnë afër 50 mijë vozitës të kamionëve.

Sipas gazetës “Uashington Post”, rreth 51.000 shoferë janë të nevojshëm për të plotësuar kërkesën e paraqitur nga a kompani të tilla si Amazon dhe Valmart që po dërgojnë më shumë mallra në të gjithë vendin, tregojnë analizat e Shoqatave Amerikane të Kamionëve. Mungesa e vozitësve po krijon edhe vonesat të dërgesave si dhe rritje të kostos, për mallrat që i blejnë amerikanët. Shoqata e kamionëve parashikon se ka ekzistojnë gjasa të mëdha që kjo gjendje të përkeqësohet në vitet e ardhshme.

Bile mjaft kompani transportuese janë aq të dëshpëruara për situatën me vozitësit, saqë ofrojnë edhe bonuse të nënshkrimit të kontratës si dhe paguajnë rritje të pagës.

Shoferët e kamionëve që kanë kryer këtë aktivitet prej katër muaj deri në 40 vjet, thonë se jeta e vështirë ku shumica prej tyre rrallë shohin familjen si dhe mungesa e respektit nga shoferët e automjeteve , policia apo kompanitë e mëdha të shitjes me shumicë largojnë të interesuarit të merren me këtë profesion.

Shoferët shprehen për gazetën se një pjesë e tyre fitojnë 100 mijë dollarë , ndërsa shumica e tyre kanë paga vjetore më të vogla se 50 mijë dollarë. Nga ana tjetër, statistikat zyrtare thonë se paga mesatare në këtë veprimtari ekonomike është 42 mijë dollarë në vit. Pavarësisht vështirësive dhe ngarkesës së madhe në punë , një pjesë e madhe e vozitësve thonë se do ta rekomandonin punën e vozitësit për miqtë dhe familjen, sepse, sipas tyre kjo është paraja më e lehtë që mund të merrni pa diplomë kolegji.

Të pathënat e Rita Orës, rrëfehet babai: Si e zbuluam talentin, kur iku nga shtëpia 17-vjeç…

Vogëlushja shqiptare Rita Ora u shpërngul në moshën 1-vjeçare nga Kosova në Angli së bashku me prindërit e saj dhe motrën e madhe Elena, aty nga fundi i viteve ‘90. Por, ndërsa rritej e jetonte në Londër, do të ishte “e mbështjellë” me kulturën, njerëzit dhe traditat e vendit nga u largua. Gjyshi Besim Sahatçiu, një regjisor i shquar në Kosovë, dhe gjyshja e saj aq e ëmbël dhe fisnike do të jetonin së bashku me prindërit e Ritës në të njëjtën shtëpi. Shpirtin e kishin ende në Kosovë.

I ati Besnik Sahatçiu Ora, rrëfen për “Shqiptarja.com” si nisi suksesi i këngëtares shqiptare në botë. Zbulimi i talentit nga mësuesja angleze kur ishte 9 vjeç dhe roli i parë si aktore në moshën 12-vjeçare.

Intervista

Ju zoti Besnik jeni babai i artistes së famshme Rita Ora, por edhe djali i një regjisori të shquar kosovar Besim Sahatçiut, dhe keni lindur në Kosovë. Ju kujtohet në rininë tuaj si e keni përjetuar ndarjen e Kosovës me Shqipërinë, kur ju jetonit nën varësinë e Ish shtetit Jugosllav?

-Unë sot jam 57 vjeç. I kam përjetuar edhe si student demonstratat në ‘81-shin. Atëherë kam qenë 17-18-vjeç. Kam përjetuar luftën dhe megjithatë isha shumë i lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur në rininë time, para se të fillonte lufta. Pastaj më vonë kam përjetuar edhe ngjarjet e pavarësisë së Kosovës, e të tjera. Unë kam qenë i lidhur me ngjarjet e Kosovës që në rini, sepse ne si rini kishim dëshirën të ishim së bashku me Shqipërinë. Ashtu mendonte atëherë e gjithë rinia kosovare dhe prindërit tanë që e vuanin ndarjen, dhe kjo dëshirë ishte e madhe. Asnjëherë nuk kemi menduar se jemi dy, kemi menduar se jemi një, shqiptarë e Shqipëri. Ai ka qenë ideali i asaj kohe, kur Kosova përjetonte nga njëra anë shtypjen e serbëve dhe nga ana tjetër mbylljen e kufijve për shkak të regjimit diktatorial në Shqipëri.

Zoti Kopi Kyçyku, biografi i gjyshit tuaj Besim Sahatçiut, më pati treguar në një intervistë të mëparshme se e keni origjinën nga Shkodra. A kishit të afërm që ju kishin mbetur në Shqipëri?

-Po ne kemi një prejardhje nga Shkodra prej stërgjyshit tonë. Xhaxhallarët e mi kanë ditur më shumë, por sot nuk janë gjallë. E dimë se kemi origjinë prej familjes Kazazi nga Shkodra, dhe ata kanë ardhur në Kosovë disa vëllezër të kësaj familje, njëri nga shkuar në Gjakovë, njëri në Pejë, njëri ka mbetur në Kaçanik. Kjo është historia. Kanë ardhur prej Shkodrës andej dhe kemi mbetur në ato qytete, ku kemi mbetur, dhe kemi marrë mbiemrin Sahatçiu. Ende kemi kushërinj që kanë mbajtur mbiemrin Kazazi nga ata që erdhën në Kosovë.

Kushëriri ynë Abaz Kazazi, që ka qenë guvernator i bankës së Kosovës, ende është gjallë. Ai është kushëriri ynë direkt, dhe nuk e ka ndërruar mbiemrin. I ka mbetur Kazazi. Kjo është historia. Gjyshërit tanë kanë ardhur prej Shkodrës, dhe kanë mbetur në ato qytete që përmenda, duke ndërruar mbiemrin. Nuk e kemi ndërruar vet ne mbiemrin, por mbiemrin na e kanë ndërruar se të parët e mi, gjysh stërgjyshi janë marrë me tregti, me zeje, pra sahatçinj, orëndreqës, me tregtinë e orëve. Ndaj janë thirrur Sahatçi (orëndreqës). Dhe në atë kohë siç kemi qenë nën ndikimin otoman ngeli nga orëndreqës në Sahatçiu. Dhe unë duke qenë shumë i afërt me babën (se ai ishte, jo vetëm një regjisor në profesion, por edhe ishte i lidhur shumë e letërsinë), e si bisedonin shpesh për librat, e pyes njëherë: “Babë, po Sahatçiu nuk është emri ynë origjinal. A duhet ta lëmë ashtu siç është. Apo duhet shtuar edhe Ora sipas shqipes. Dhe kur i thashë këtë, unë e kisha edhe një vizion, se atëherë Rita ishte e vogël, mirëpo kishte shprehur një talent të madh. Dhe une mendova që nëse ndodh diçka që ajo të eci, është shumë më lehtë në atë botën perëndimore me promovu emrin.

Në fotografitë e fëmijërisë, Rita shfaqet shumë ekspresive si karakter, cila ka qenë natyra e saj e vërtetë?

-Po gjithmonë ajo ka qenë më e “trenta” (çamarrokja) në familje. Dhe s’është ndalur për çfarë ka dashur ta bëj, asnjëherë.

Më tregoni, ju lutem, hapat e parë të Ritës si këngëtare, si i nisi?

-Rita ka kënduar gjithmonë në korin e shkollës në Angli. Dhe në atë kohë kur ishte në moshën 8-9-veçare, gjithmonë mësuesja e muzikës e ka marrë në korin e shkollës, dhe në çdo vit kur bëheshin Kërshendellat (Krishtlindjet) dhe ajo këndonte dhe interpretonte. Dhe për shkak se mësuesja na tha se fëmijën e keni të talentuar edhe për aktrim, edhe për muzikë, mendoj se është më mirë, nëse keni mundësi ta çoni në një shkollë më profesionale. Po atëherë ishte gjallë edhe baba Besimi, gjyshi i Ritës, dhe ai atëherë na tha: “Çojeni në shkollë të aktrimit”.

Kështu u lidhën rrethanat, në kohën e caktuar, momentin e caktuar. Ishte dhe fati i saj dhe talenti dhe ndërsa të gjitha u lidhën së bashku, erdhi dita dhe e kemi çuar në një shkollë prestigjioze në Londër. Kemi pasur vështirësi me e pagu, se ishte shkollë e rregullt, jo me korrespodencë. Ishte shkollë private dhe ka kushtuar shumë. Mirëpo ia kemi dalë qysh unë me bashkëshorten kemi punuar shumë për ta ndihmuar atë, por nuk e kemi ditur nëse do të arrinte sukses, por në fund të fundit erdhi ai moment që ajo ia doli.

E keni pasur të vështirë komunikim si prind me të në moshën e adoleshencës. Ka një pikë të jetës së tyre që prindërit hasin në vështirësi të komunikimit. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?

-Vështirë ka qenë, sepse në moshën 17-vjeçare, Rita ka dalë prej shtëpisë, sepse e ka marrë në Amerikë Jay Z, që e ka marrë që asaj kohe e kanë nënshkruar kontratën me Roc Nation.

Ishit i shqetësuar që iku aq herët nga shtëpia?

-Natyrisht se ajo ishte ende fëmijë, por nga ana tjetër kishim atë krenarinë, se po arrin shumë gjëra dhe po zhvillohet. Kështu që dhe kjo na ka mbajtur pak me kurajë, për të na shëruar nga dhimbja e mungesës. Rita ka qenë dëgjuar shumë në atë kohë, se ishte e para shqiptare, që arriti një nivel aq të lartë, por tani ne me të drejtë mburremi se janë shumë artistë të tjerë që po marrin emër në botë. Është Dua Lipa, është Bebe Rexha, Era Istrefi, kemi dhe futbollistë të shumtë që tregojnë sukses dhe talent në botë.

Me Jay Z, që e promovoi për herë të parë pati një ndarje jo të mirë për shkak të gjyqit, apo ka mbetur miqësia e mirënjohja mes tyre?

-Tani unë nuk duhet të flas shumë për këto. Po ashtu kane qenë interesat e secilit prej tyre dhe ashtu i kanë kryer punët. Për promovimin që i bëri artisti Jay Z ajo është mirënjohëse. Ata të dy kanë një respekt të dyanshëm për njëri-tjetrin. Jay Z është emër shumë i suksesshëm, si artist, si biznesmen. Mirëpo në një çast të caktuar interesat i kanë pasur të tjera, por Jay Z është një faktor shumë i madh që i ka ndihmuar Ritës për të mbërritur aty ku është, edhe në ditët e sotme rrinë së sëbashku, kur takohen me atë dhe me Bionce.

Le të kthehemi sërisht tek rrënjët shqiptare. Sepse koha e qëndrimit tuaj nuk mjafton për të përshkruar karrierën e Rita Orës. Cilat janë marrëdhëniet e saj me gjuhën shqipe, me Kosovën, shqiptarët?

-Rita ka shkuar qysh një vjeç në Londër, por edhe atje kemi pasur një komunitet të vogël shqiptarësh. E atje Rita ka ndenjur me shoqet. E kemi komunikuar me familjet shqiptare. Kështu që ajo ka folur edhe gjuhën, edhe në familje e kemi folur gjuhën se ne në emigracion kemi jetuar së bashku me prindërit. Ajo ka folur shqip me gjyshërit dhe me shokë e shoqe të Shqipnisë. Asaj i është dashur gjithmonë të tregoj edhe origjinën se nga është.

Deri në cilën fazë të suksesit e arriti ta shihte Ritën gjyshi i saj, Besim Sahatçiu.?

-Gjyshi nuk e arriti me pa suksesin e madh, por ai arriti ta shikonte kur Rita mori pjesë në një rol të vogël në moshën 12-vjeçare në një serial televiziv në BBC, të quajtur “The Brief” dhe ka qenë shumë i lumtur dhe na tha se ajo është gati për të arritur suksese. Por suksesin e mëvonshëm, fatkeqësisht nuk e ka arritur, sepse babai im në 2005-n ka vdekur. Suksesi i Ritës ka marrë zhvillime më vonë.

Së fundi, çfarë mund të thoni për koncertin e saj në Tiranë?

-Për koncertin e Tiranës, ndihme i nderuar dhe i falënderoj për organizimin e koncertit, veçanërisht kryebashkiakun Erjon Veliaj. E falënderoj që e krijoi këtë mundësi për të ardhur Rita në Tiranë. Dhe besoj se do vijojë me të tjerë artistë. Është pozitive për rininë. Shqiptarja.com

Vjen hiti më i ri i Ledri Vulës me Lyrical Son, “Princess Diana” (VIDEO)

Sot është publikuar kënga e re e ledri Vulës, në bashkëpunim me Lyrical Son.

Ky projekt është shoqëruar edhe me një videoklip shumë të veçantë.

Ndërkohë, kënga “Princess Diana” është publikuar pak më parë, derisa klikimet po vazhdojnë për Ledrin dhe Lyrical Son./Gazetametro.net