Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke treguar transformimin e Alpeve. Në videon prej 2 minutash tregohet si ato janë shndërruar në një destinacion të mrekullueshëm turistik.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë përmbledhje në 120 sekonda të transformimit fantastik të Alpeve shqiptare, nga një zonë e harruar, e braktisur dhe e izoluar, në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik gjithëvjetor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kjo është zbuluar nga “The Wealth-X billionaire census 2018”, një raport që regjistron super-të pasurit ndërkombëtarë
Numri i miliarderëve në botë vazhdon të rritet dhe në 2017 pasanikët u rritën me 357 njësi, duke arritur një shifër rekord prej 2.754. Kjo është zbuluar nga edicioni i pestë i “The Wealth-X billionaire census 2018”, një raport që liston miliarderët që banojnë në Tokë. Në 12 muajt e fundit popullsia e super-të pasurve është rritur me 14.9% dhe krenohet me një aset total prej 9.2 trilionë dollarëve.
Raporti
Sipas asaj që lexohet në raport, në vitin 2017 ka pasur një “përmirësim të ndjeshëm” në pasuritë e miliarderëve: “Edhe pse vitin e kaluar ka pasur një dozë të ndjeshme të trazirave politike, thotë Winston Chesterfield, drejtor i ‘Wealth-X’, kompani e specializuar në vlerësimin e aseteve individuale që çdo vit publikon kërkime mbi super-të pasurit, – performanca e jashtëzakonshme e tregjeve të kapitalit dhe e ekonomisë globale në përgjithësi kanë dhënë fitime të fuqishme në sektorin e financave, të mallrave, të teknologjisë dhe të industrisë. Në një mjedis gjeopolitik që ndryshon me shpejtësi, ndikimi mbi ekonominë botërore të këtij grupi më ekskluziv të njerëzve vazhdon të rritet”.
Të dhënat statistikore
Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar si vendi me popullsinë më të madhe të miliarderëve. Në të vërtetë, jashtë shtetit numërohen 680 pasanikë me një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2016. Numri i super-të pasurve po rritet me shpejtësi edhe në Kinë. Në ish-Perandorinë Qiellore janë 338 miliarderë, me një rritje prej 36% në 12 muaj.
Më poshtë janë Gjermania, India, Zvicra, Rusia, Hong Kongu dhe Mbretëria e Bashkuar. Njeriu më i pasur në botë është amerikani Jeff Bezos me një pasuri prej 133 miliardë dollarësh (vetëm muajin e kaluar padroni i Amazon ka fituar edhe 12 miliardë dollarë). 10 më të pasurit në botë kolektivisht zotërojnë një pasuri prej 660 miliardë dollarësh.
Në vitin 2017 ka pasur gjithashtu një bum të grave super të pasura: popullsia femërore miliardere është rritur me 18% dhe ka arritur 321 njësi, krahasuar me një rritje prej 14% në numrin e meshkujve. Megjithatë, gratë përfaqësojnë vetëm 11.7% të super-të pasurve ndërkombëtarë.
“Ne kemi dashur të ndalemi te 20, por … surprizë: 21 është një vajzë e vogël, që po vjen në jetë”.
Në Youtube ka kronikë speciale për super familjen britanike, Radford, që ka njoftuar në rrjetet sociale pritjen e një fëmije tjetër, të 21-tin e shtëpisë për të qenë më të saktë.
42-vjeçarja Sue dhe 46-vjeçari Noel, nga Morecambe, Lancashire, respektivisht mami dhe babi kanë shprehur gëzimin e madh në Instagram, ku njoftojnë pritjen e vajzës duke komentuar imazhin e ekos me ultratinguj, ndërsa 47 mijë ndjekësit e tyre kanë mbetur të shokuar.
Në videon që qarkullon në YouTube, Sue ka një mesazh për fëmijët e saj: “Ne po kthehemi në shtëpi pasi kishim një takim shumë të veçantë dhe të këndshëm, merreni me mend se çfarë!”. Pastaj, në shtëpi tregon barkun.
Megjithatë, vetëm disa muaj më parë, themeluesit e familjes më të madhe të Britanisë i kishin siguruar fëmijët se do të ndaleshin te djali i 20-të, Archie, i cili ka lindur në shtator. Pritja e fëmijës së 21-të do të jetë e rrallë pasi do të jetë pothuajse 30 vjet më i ri se vëllai më i vjetër.
Më i madhi Chris, në fakt, është 28 vjeç. Pas tij vjen Sophie – 23, Chloe – 21, Jack – 20, Daniel – 18, Luka – 16, Millie – 15, Katie – 14, James – 13, Ellie – 12, Aimee – 11, Josh – 9, Max – 8, Tilly – 7, Oscar – 5, Casper – 4 dhe Hallie e Archie, të cilët kanë lindur në shtator 2017.
Prokuroria Publike e Tetovës nëpërmjet kumtesës informon se gjatë përgatitjes së Propozimit të Veçantë për Akuzë dhe Propozimin Prokurorial për personat e përfshirë në ngjarjen e armatosur në Reçicë të Vogël është bërë lëshim teknik i paqëllimshëm.
Në fakt, ashtu siç thonë, në propozimin e dërguar deri te gjykata kompetente qëndron se prokurori publik i cili punon në lëndë ka propozuar paraburgim “deri në shqiptimin e aktvendimit” për një pjesë të personave që janë të përfshirë në akuzë.
“Theksojmë se bëhet fjalë për mbikëqyrje dhe gabim të pastër teknik e cila është rregulluar dhe korrigjuar menjëherë në akuzë dhe propozimin prokurorial dhe më pas janë dërguar në gjykatën kompetente. Në pajtueshmëri me këtë është bërë edhe korrigjimi i informatës për ngritjen e akuzave të dërguar deri te mediat”, thonë nga PTHP Tetovë.
Në informatën e korrigjuar në ueb-faqen e Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë qëndron se “prokurori publik i Tetovës ka propozuar tre të akuzuar të cilët janë privuar nga liria, dhe një nga të akuzuarit i cili edhe më tej është në arrati”. Njëkohësisht, Prokuroria e Tetovës ka theksuar se lëshimi teknik nuk e rrezikon rrjedhën e procedurës së mëtutjeshme. /Art Channel/
Aktivisti i shoqërisë civile Valon Bela ka shkruar se një deputet i partisë në pushtet ka fituar një tender shumëmilionësh që ka të bëjë me autoshkollat në rajonin e Pollogut. Sipas informacioneve nga koluaret partiake, bëhet fjalë për një deputet të BDI-së.
Ndërsa Bela ka thumbuar me këtë postim në facebook:
Vjen një lajm i mirë nga pushteti aktual;
Një deputet shqiptar ka fituar tenderin milionësh për ‘autoshkollën’ (monopol) për rajonin e Pollogut.
Qyre ti niher…
Mendo ti se s’ka hajr n’këtë mandat
Pak më shumë se gjysma e shqiptarëve shpenzojnë më shumë para se që kanë të ardhura, thotë një studim i fundit i Bankës Qendrore të Spanjës. Ky studim titullohet “anketa e kompetencave financiare” dhe tregon se, 54% e shqiptarëve deklarojnë se gjatë 12 muajve të fundit, shpenzimet e tyre kanë qenë më të larta se të ardhurat.
Te të ardhurat ndërkohë hyjnë të gjitha, pra veç pagës edhe të ardhurat nga remitencat, qiratë apo burime të tjera. Ndërkohë më pak se gjysma e atyre që janë në deficit, pra që shpenzojnë më shumë se ç’fitojnë, ose më saktë 41% e tyre, deklarojnë se e financojnë këtë deficit nëpërmjet borxhit.
Ky borxh mund të jetë si në formën e kredive bankare, ashtu edhe në formën e huamarrjes ndaj të afërmve apo miqve. Përqindja i referohet në të gjitha rastit totalit të popullsisë dhe jo vetëm popullsisë së rritur, gjë që i bën edhe më alarmante shifrat, raporton ScanTV.
Shqipëria është një ndër të paktat vende të marra në analizë, dhe e vetmja në Ballkanin Perëndimor, kështu që raporti nuk ofron një bazë krahasimore me të ngjashmit.
Gjithsesi në raport me vendet e tjera të Evropës, me 54% të popullsisë në deficit, Shqipëria ofron normën e tretë më të lartë në Evropë, pas Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.
Ndër të tjera, mesatarja e vendeve të marra në analizë fiksohet në 35%, mesatarja e vendeve të OECD në 28% dhe mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian në 27%, pra saktësisht sa gjysma e normës së Shqipërisë.
Ora 7 ju sjellë një storie për fabrikën e përpunimit të arit e vetmja e këtij lloji në Ballkan.
Ajo gjendet në qytetin e Gjakovës por si realizohet punët në këtë fabrikë unike, tillë, në çfarë faza kalon përpunimi i arit e shohim përmes stories së Shqipe Berishës.
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur dje në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e Maqedoni, si dhe për mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ata vlerësuan lart raportet ndërfqinjësore dhe theksuan nevojën e kultivimit të mëtejmë të tyre e të bashkëpunimit me interes reciprok, si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe të arsimit e të kulturës.
Veseli e Ahmeti konsideruan se Kosova dhe Maqedonia, si dy faktorë të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, tashmë kanë hyrë në rrugën e pandalshme të integrimit euro-atlantik, si perspektivë e vetme për të ardhmen e të dyja vendeve.
Veseli, vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm, ashtu edhe në orientimin euro-atlantik të Maqedonisë.
Nga ana e tij, kryetari i BDI-së vlerësoi lart hapat që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe rritjen e përfaqësimit e të njohjes ndërkombëtare të saj, transmeton Klan Kosova.
Taulant Mehmeti, Muhamed Retokoceri dhe Hakan Shehu, kanë filluar garën ndërkombëtare “Big Data dhe Analytics – 6th Annual Big Data and Analytics EdCon”, e cila po mbahet në Shangai të Kinës.
Kjo garë ka për qëllim krijimin e zgjidhjeve inovative dhe analitike, duke përdorur teknikat më të reja dhe platformat inteligjente.
Studentët e UBT-se, nën mentorimin e ligjëruesit, Artan Salihu, po prezantojnë projektin me temën “Roli i kultivimit të blegtorisë në ndryshimet klimatike globale”.
Për realizimin e këtij projekti janë përdorë teknikat më të fundit nga Data Science dhe AI, për të studiuar trendët dhe ndikimin e kultivimit të bagëtisë në emetimin e gazrave ndotës për ambientin. Ata kanë bërë krahasimin e ndikimit të këtij sektori me sektorët tjerë, si: energjia dhe transporti.
Përkrahje dhe kontribut të madh për këtë projekt kanë dhënë edhe rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe dr. Murthy Rallapalli.
Kanë kaluar gati tri dekada, por Serbia nuk mund të mburret se kaloi lehtë me helmimet e shqiptarëve nëpër shkolla.
Dikush në Podujevë po mbledh dëshmi për ta paditur atë në Gjykatën e Strasburgut.
E nismës ka gjasë t’i bashkohen shumë viktima të fushatës.
Për më shumë, ndiqeni kronikën nga Arbëresha Shpati.
Qeveria e Kosovës mbajti sot mbledhjen e saj të rregullt në të cilën u morën disa vendime.
I pari ka të bëjë me udhëtimet e ministrave jashtë vendit. Sipas urdhrit të shefit të ekzekutivit, tash e tutje, qeveritarët nisur nga vetë Haradinaj, detyrohen në detaje të raportojnë se ku po shkojnë, për çfarë arsye, sa do të qëndrojnë, sa veta do të marrin me vete e të tjera.
Qeveria të martën e miratoi mes tjerash edhe Statutin e Trepçës që për Haradinajn është lajm i madh. Ky i fundit mohoi se do të bisedohet me Serbinë për Gazivodën.
Gjatë mbledhjes ishte një temë tjetër që i përplasi ministrat e Nismës dhe PDK-së.
Për vrasjen e grave u fol sot në Prishtinë në konferencën me temën “Drejtësi për gratë e vrara në aktet e dhunës në familje”, organizuar në kuadër të festivalit FemArt. Pjesë e konferencës ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga e cila tha se është e zhgënjyer me institucionet e vendit për mosmbrojtje të grave.
Se numri i grave viktima të dhunës në familje është në rritje e tha zëvendëskryeprokurorja e shtetit Sevdije Morina. Ndërkohë, përfaqësues nga BE-ja thanë se do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar ndajë këtij fenomeni, që është i pranishëm gjithandej në botë.
Me vete ka marrë disa lloje të gjarpërinjve për të treguar se sa janë helmues, dhe në cilat vende të vendit tonë jetojnë. Marko Naumovski, një student i mjekësisë së përgjithëshme, ishte më interesanti me prezantimin e tij. Ai kishte me vete disa gjarpërinj ku i mbante në alkohol.
“Këtu kemi gjarprin smog i cili paraqet gjarprin medicinal.
Ndërsa gjarpërinjt helmues të cilët mund të hasen në teritorin e Republikës së Maqedonisë, ky është Poskoku i njohur sipas bririt në majë të kokës dhe larmave në pjesën e shpinës, këtu e kemi Laramanin gjithashtu lloj helmues dhe laramanin kokë-mprehur i cili haset në lartësi mbidetare prej 2600 metrave.
Të gjitha këto tre lloje janë lloje helmuese, vdekjeprurëse për njerëzit dhe helmi i tyre është hemotoksik që do të thotë e sulmon sistemin kardiovaskular”, tha Marko Naumovski, student i Mjekësisë së përgjithshme.
Njëra nga organizatoret e këtij eventi në Fakultetin Filozofik të Kirillit dhe Metodit, thotë se është e kënaqur me interesimin dhe kreativitetin e shfaqur të studentëve. Përveç temave të përditshme disa prej studentëve kanë bërë edhe tema hulumtuese.
“Mund të them se çdo vit kemi numër më të madh të të rinjve të cilët veçmë janë të njoftuar me këtë ngjarje, e dinë se çfarë ofron, e dijë se ku mund të drejtohen për informacione për aktivitetet e organziatave të të rinjve dhe atyre joqeveritare, i vizitojnë ligjeratat dhe bëhen pjesë e ndonjë organizate”, tha Stefani Spirovska, “MOV”.
Kjo ngjarje e organizuar nga “Mov” u quajt “Stacioni i Studentëve” dhe është hera e gjashtë që bëhet një organizim i tillë.
Mediat greke spekulojnë me emrat e mundshëm, ndërsa zyrtarët në Shkup dhe në Athinë po heshtin. Pas takimit të ministrave Dimitrov dhe Koxias në Bruksel, në rret më të ngushtë kanë hyrë tre propozime. Edhe pse ende nuk ka informacione zyrtare nga dy qeveritë, megjithatë, tre propozimet që janë në lojë dhe për të cilët Zaev dhe Cipras mund të arrijnë marrëveshje, janë – “Republika e Maqedonisë së Re”, “Republika e Maqedonisë së Epërme” dhe “Republika e Maqedonisë Veriore”.
Nëse ndodh një gjë e tillë, sipas analizave të mediave greke, hapi i ardhshëm është që ky dokument të votohet në Kuvendin e Maqedonisë. Kur këtë dokument do ta miratojnë deputetët, Greqia me shkresë do ta njoftojë NATO-në se e heq veton ndaj Maqedonisë për hyrje në Aleancë, por pasi që të bëjë revizion të Kushtetutës. Pastaj, më 29 qershor, në Samitin e BE-së, Maqedonia do të marrë datë për fillimin e negociatave me BE, ndërsa, më 11 korrik vendi ynë edhe zyrtarisht do të marrë ftesë për hyrje në NATO.
“Në shtator ose në tetor, në Maqedoni do të mbahet referendum për emrin e ri. Pas referendumit, Kuvendi i Maqedonisë me dy të treta të shumicës parlamentare duhet të miratojë rishikim të Kushtetutës. Pas përfundimit të referendumit dhe revizionit të Kushtetutës së Maqedonisë, marrëveshja do të dërgohet në Kuvendin e Greqisë për ratifikim”, analizë e televizionit grek Skaj.
Zhvillim të ngjashëm parashikoi edhe ish-shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshoski por duke mos lënë pa thumbuar pushtetin.
“Në bazë të përkrahjes së pritur nga LSDM-ja dhe votuesit shqiptar, Zaev do të kërkojë përkrahjen e opozitës në Kuvend dhe me dy të treta të shumicës parlamentare të ndryshohet Kushtetuta për shkak të emrit. Në qoftë se disa nga deputetët shprehen kundër ndryshimit të emrit, PPS-ja dhe institucionet e tjera qeveritare do të ushtrojnë presionin e duhur”, shkruan Antonio Milloshoski në Facebook.
Sipas informacioneve, kryeministrat Zaev dhe Cipras kanë komunikim të rregullt mes tyre ndërsa pritet që këto ditë të caktohet takim i cili, sipas prognozave, do të jetë takimi kyç për mbylljen e kontestit për emrin. Gjatë ditës së djeshme, fjalë të mëdha dërgoi shefja e diplomacisë evropiane e cila deklaroi se është e inkurajuar nga përparimi i negociatave.
Sapo që erdha nga mëngjesi pune me ministrin e punëve të jashtme të FYROM, së bashku me ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtarë të BE-së dhe më lejoni të them se të gjithë ne jemi të inkurajuar nga përparimi i arritur në procesin e negociatave mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit. Të gjithë ne do ta përkrahim këtë proces, duke qenë optimist se do të arrihet një rezultat pozitiv për këto negociatat e rëndësishme”, tha Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e BE-së.
Fjalë pozitive për negociatat dhe për zhvillimin e bisedimeve dërgoi edhe eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Han, në profilin e tij në Twitter. Ministrat Koxias dhe Dimitrov dje deklaruan se detyrat që u kanë dhënë kryeministrat janë kryer me sukses dhe tani pason periudha e harmonizimit, punë që duhet ta kryejnë ekspertët juridik të të dy vendeve. Fjalën përfundimtare do ta ketë Zaev dhe Cipras.
Përgatiti Antonio Krstevski
Në shtator, ish-agjenti Sllobodan Bogoevski përsëri do të përballet në gjykatë me krerët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi pas padisë penale për shpifje dhe ofendim të cilën ata e parashtruan kundër tij. Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, ndërsa lëndën e ktheu në procedurë të re. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se janë bërë disa shkelje të procedurës.
“Është sjellë aktvendim i cili është i paqartë, i pakuptimtë dhe kontradiktor. Gjykata Themelore Shkupi 2 nga njëra anë pohon se është dhënë deklaratë gjatë procedurës gjyqësore para gjykatës në SHBA, ndërsa, nga ana tjetër shpall se Sllobodan Bogoevski në atë deklaratë ka bërë shpifje, gjë që sipas gjykatës nuk është e mundshme. Nuk u tha arsyeja se pse u refuzuan provat e dorëzuara nga ana e të paditurit”, Aktvendimi kundër Sllobodan Bogoevskit pas padisë penale të parashtruar nga Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi.
Avokatët e Bogoevskit presin që gjykata në sjelljen e vendimit të veprojë sipas udhëzimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit.
“Në një pjesë të aktvendimit, gjykata e Apelit ka konstatuar se bëhet fjalë për deklaratë në kornizat e procedurës së veçantë gjyqësore. I padituri Sllobodan Bogoevski nuk ka pasur për qëllim që ta dëmtojë renomenë e paditësve, por vetëm të dëshmojë për atë që ai e di në lidhje me këtë lëndë të cilën dikush e ka pranuar se është bërë në atë mënyrë siç tregojnë të gjitha provat”, tha Cvetanka Nastova, avokate.
Nga ekipi i avokatëve të Ahmetit dhe Xhaferit, thanë se ende nuk e kanë marrë aktvendimin dhe andaj do të mbeten të përmbajtur për komentim.
Padia penale ka të bëjë me dëshminë e Bogoevskit, të dhënë para gjykatës rajonale në Nju Jork për rastin Magjar Telekom. Bogoevski para kësaj gjykate në Nju Jork deklaroi se Ahmeti, Xhaferi dhe kryeministri i atëhershëm, Vllado Buçkovski, nga ish-drejtorët e Magjar Telekomit kanë marrë ryshfet në vlerë prej 2,5 milionë eurove për të siguruar garancë se në tregun e Maqedonisë nuk do të ketë konkurrencë, përkatësisht nuk do të hyjë një operator tjetër për telekomunikim.
Nga 218 shtete qytetarët e Maqedonisë lëvizin pa viza në 125 prej tyre. Sipas raportit të fundit të firmës “Henli End Partners”, për dy vite Maqedonia ka lëvizur për 5 vende më lart, duke u ranguar kështu e dyzet e njëta me radhë për vlerën e pasaportës.
Sipas profesorit universitar, Ylber Sela vlera e pasaportës së një shteti varet nga disa parametra. Ai shton se vendi jonë është në tranzicion demokratik, megjithatë duhet punuar për të rritur edhe më shumë vlerën e pasaportës.
“Normalisht që vlera e një pasaporte është shumë e madhe, pasi që njerëzit që pajisen me pasaportë normalisht që kanë të drejtën e udhëtimit në vende të ndryshme të botës dhe janë disa parametra të cilat i japin vlerën pasaportës, varet se shteti sa është i fuqishëm ekonomikisht, politikisht. Do të thotë në të gjitha sferat. Politikanët apo edhe ata që udhëheqin me shtetin duhet të mundohen që ta rrisin vlerën e pasaportës, sepse sa më e fuqishme të jetë ajo aq më shumë qytetarët kanë përfitime kundrejt shteteve tjera në sistemin ndërkombëtar”, tha Ylber Sela, profesor universitar.
Me pasaportë maqedonase përveç në vendet të BE-së, mund të udhëtohet edhe në mbi 90 shtete tjera. Japonia që është e para në ranglistën e raportit, shtetasve maqedonas nuk u kërkon vizë për udhëtim atje. Veç saj, vizë nuk duhet edhe për Hong Kong, si rajon i veçantë i Republikës Popullore të Kinës, përderisa për udhëtim në vendet tjera të Kinës duhet vizë. Vetëm me pasaportë mund të udhëtohet edhe në Singapor, Republikën Dominikane, Guatemalë, Bahamas e tjerë. Sipas rangimit të “Henli End Reports”, Maqedonia ka lënë pas vete në listë shtetet fqinje si Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Ndërkaq në fund të listes figurojnë kryesisht vendet e lindjes së mesme. Pasaporta Maqedonisë, vlerën e saj e shtoi me liberalizimin e vizave në vitin 2009.
Përpara se të bihet dakord për emrin e mundshëm të shtetit, duhet që në radhë të parë i njëjti të analizohet brenda Maqedonisë. Kështu konsideron analisti Nijazi Muhamedi. Sipas tij, ekziston një disbalans i theksuar në mes palës greke dhe asaj maqedonase kur vjen në shprehje angazhimi i ekspertëve rreth kësaj marrëveshjeje. Sipas tij rreth 60 ekspertë grekë janë angazhuar për këtë çështje. Ndërkaq vendimet e tyre vetëm se aprovohen nga 5-6 ekspertë maqedonas.
“Unë do t’i rekomandoja grupit negociator maqedonas, pikërisht Zaevit, që në leximin e këtij drafti të marrëveshjes, nëse nuk duan të kenë probleme mëtutje, ku shqiptarët do të jenë faktor abolut për pranimin ose hedhjen poshtë. Ta redaktojmë nga pala maqedonase, në bashkarisht, ku na prek ne, ku i prek ata dhe pastaj viz-a-vi grekëve tu dalim me argumente”, tha Nijazi Muhamedi, analist.
Sipas Muhamedit, do të ishte vendim i shpejtuar nëse propozimi “Republika Veriore e Maqedonisë” do të miratohej në kuvend dhe pastaj do të kalonte në referendum. Nga ana tjetër, analisti Petar Arsovski thotë se përpjekjet e ndërtimit të një shoqerie multietnike janë shumë më e rëndësishme se sa referencat gjeografike të emrit të ri.
“Mendoj se përparimi i ligjit të gjuhëve, theksimi i multietnicitetit në Maqedoni, kultura e bashkësive dhe përfshirja e tyre në shoqëri, që janë 100 herë më të rëndësishme për bashkësitë. Zhvillimi ekonomik lokal, qasja në mbrojtje sociale dhe shëndetësdore janë kategori që janë 100 herë më të rëndësishme, se sa, nëse referencat “Veriore” ose “e epërme” ka më shumë domethënie për shqiptarët ose maqeodnasit”, tha Petar Arsovski, analist.
Arsovski thotë se integrimet e Maqedonisë në BE dhe në NATO, qytetarëve u interesojmë më shumë se sa përcaktimet e emrit. Ditët e fundit u kuptua se palët liferojnë me propozimin Republika e Maqedonisë së Veriut, megjithatë deri më tani asgjë nuk është zyrtare.
Parkun Kombëtar të Divjakës e vizituan këtë fundjavë 50 turistë norvegjezë, që së bashku me informacionin e marrë rreth këtij parku, bënë të mundur ta vizitonin nga afër dhe të linin përshtypjet e tyre mbresëlënëse.
Në Shtëpinë e Pritjes, në hyrje të parkut, norvegjezët u pritën nga Drejtori Ardian Koçi dhe stafi teknik.
Pasi u njohën me historikun e parkut, florën dhe faunën e tij të rrallë, me të dhëna të tjera turistike, ata u shoqëruan nga guidatorët e parkut në vendet më të kërkuara të tij, siç janë Ishulli i Pelikanit, godullat e shpendëve ujorë dhe vija bregdetare e pishave.
Së bashku me turistët norvegjezë, ishin vizitorë edhe 110 studentë të degës Histori-Gjeografi të Universitetit të Elbasanit dhe 60 studentë nga Universiteti i Shkodrës.
Tashmë Parku i Divjakës është kthyer në një atraksion turistik të vizitueshëm në çdo ditë të vitit.(atsh)
Qeveria aktuale e Zoran Zaevit po tenton që të krijojë depresion kolektiv në shoqëri.
Kështu ka akuzuar nga Gostivari punën e kësaj shumice qeveritare kryetari i VMRO-DPMNE-së, Kristijan Mickovski.
Sipas Mickovskit, kjo situatë e krijuar duhet patjetër të ndërpritet, sepse e njëjta po cenon dinjitetin e çdo qytetari të vendit.
Kreu i VMRO-së thotë se Qeveria aktuale gjatë tërë kohës mundohet që të pamundurën ta bëjë të mundur, jo realitetin ta imponojë si realitet, ndërsa gënjeshtrat si të vërteta.
Sipas Mickovskit, kjo bëhet me qëllim të demotivimit dhe deprimimit të qytetarëve.
“VMRO është e bindur se së shpejti do ta demontojë dhe demaskojë atë, dhe kërkon që të gjithë qytetarët e vendit bashkërisht t’u thonë ndal këtyre përpjekjeve të Zoran Zaevit dhe ekipit të tij”,- thotë kryetari i VMRO-së, Kristijan Mickovski.
Komiteti i Helsinkit në Greqi ka denoncuar gazetën “Proto Thema” për qëndrime raciste ndaj shqiptarëve. Reagimi erdhi pas botimit të një shkrimi nga ana e gazetarit Themis Anastesiadhis.
Ai i ka quajtur shqiptarët, “kafshë që erdhën në Greqi në gjendje kafshërore dhe ne i bëmë njerëz”. Për më tepër, në shkrimin e tij gazetari Anastesiadhis thotë se grekët e kanë vetë fajin që i bënë shqiptarët njerëz.
Menjëherë pas këtij shkrimi, Komiteti i Helsinkit në Greqi vendosi të kryejë denoncimin pranë departamentit kundër dhunës raciste në shkelje të ligjit./Vizion Plus