Ballina Aktualitet Flasin bashkëshortja dhe motrat e Rexhailit, e morën me thes në kokë,...

Flasin bashkëshortja dhe motrat e Rexhailit, e morën me thes në kokë, e sollën me arkëmort (VIDEO)

Mërzi, mallëngjim, mllef, inat, vuajtje. As këto fjalë nuk e përshkruajnë dot ndjesinë e bashkëshortes së Rexhail Qerimit, i cili para disa dite ndërroi jetë në qeli, duke vuajtur dënimin për rastin “Alfa”. Pritja e bashkëshortit për t’u kthyer në shtëpi pranë saj, për të vazhduar jetën e për të krijuar familje ka qenë shumë e gjatë. Nën dënesje, ajo rrëfen se me vdekjen e bashkëshortit i janë mbyllur dyert e jetës, pasi me Rexhailin nuk kishin arritur të kenë as fëmijë. Ajo veç tjerash tregoi edhe për maltretimin e Rexhailit, gjatë kohës që ishte në burg.

Nazmije Qerimi, bashkëshortja e Rexhail Qerimit

“Varr ka qenë për mua, 13 vjet ka ndenjur në burg pa faj…Kur e morën prej shtëpie e morën duart e lidhura, kur e sollën, pas 14 viteve në arkivol e sollën. 14 vite e kam pritur që të vijë, ta shoh duke ardhur rrugës, ata e sollën me arkivol….Kur e kam parë për të parën herë, ske pas çka të shohësh, nuk shihej se çka ka në trup. Sa herë që kam shku për ta taku unë jam sëmurë duke shkuar, 14 vjet unë kam marrë sëmundje kur kam shkuar ta shoh atë, çfarë vendi”.

Dhimbjen që e ndjejnë e kanë vështirë ta shprehin edhe motrat e tashmë të ndjerit. Ato urojnë që kjo tragjedi të mos i ndodh askujt dhe të gjithë të burgosurit e pafajshëm të lirohen dhe të kthehen pranë familjeve të tyre.

Kumrije Rexhepi, motra e Rexhail Qerimit 

“Na e morën, na e rrahën, e maltretuan, e bënë gjysë njeri. Na djegën për së gjalli. Ne do dalim në protesta për ato që kanë ngelur dhe janë të pafajshëm. Për vëllain tonë që kanë bë ata diçka, ne askujt nuk i’a hapim derën, sidomos partive. Vëllai ynë ka luftuar për këtë vend, që të jetë mirë, me i pa të gjithë, jo për vete. Vdiq e shkoj, duke na e mbajtur dertin tonë, se çka ju bëra unë pa asnjë faj, pse mem mbyll, pse mem maltretu. E kanë rrahur e kanë bërë gjys njeri. E morën me duar të lidhura, me kokën në thes, na e prunë me arkivol…E ka lanë gruan, as ndihmë sociale nuk ka marrë, kush ka mund t’i ndihmoj familja dhe shoqëria”.

Shefije, motra e Rexhail Qerimit 

“Zoti i liroftë ata që janë pa faj, jau hapt derën, sepse sikur ne që po shkrumbohemi edhe dikush shkrumbohet. Inshallah Allahu ua çel derën”.

Rexhail Qerimi ndërroi jetë ditën e enjte, i vetmuar në qeli, në burgun e Idrizovës. Një ditë më vonë ai u përcoll në botën e përtejme nga mijëra miq e dashamirë.

Emine Ismaili /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews