Ballina Aktualitet Sot i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, gruas që kërkoi mbrojtje,...

Sot i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, gruas që kërkoi mbrojtje, por u vra në Pejë

Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçarja që u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës, do të përcillet sot, më 27 tetor 2026, për në banesën e fundit. Ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës. Tragjedia ka tronditur opinionin publik në Kosovë, pasi viktima kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet dhe kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj sigurisë së saj.

Familja Zekaj ka njoftuar se varrimi i Arlindës do të bëhet sot në varrezat e fshatit Radac, ku familjarët, të afërmit dhe miqtë do t’i japin lamtumirën e fundit.

U vra pak minuta pasi ishte kthyer nga policia

Arlinda Sylaj Zekaj u vra më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili dyshohet se e goditi me sëpatë.

Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi pak minuta pasi 49-vjeçarja ishte kthyer në banesë, pas qëndrimit në stacionin policor dhe shoqërimit nga një patrullë e Policisë së Kosovës.

Vrasja ndodhi në një periudhë kur viktima ishte përfshirë në procedura gjyqësore dhe kishte denoncuar kërcënime e shqetësime lidhur me sigurinë e saj.

Tri ditë para vrasjes kishte kërkuar ndërhyrje urgjente

Më 22 tetor, vetëm tri ditë përpara ngjarjes tragjike, Arlinda i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë me një kërkesë, përmes së cilës kishte ngritur shqetësime për trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e një vendimi gjyqësor.

Sipas dokumenteve dhe sqarimeve të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Pejë kishte nxjerrë më 16 tetor një vendim që i mundësonte Arlindës kthimin dhe shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor.

Prokuroria ka bërë të ditur se më 22 tetor, pas vlerësimit të rrethanave, kthimi i menjëhershëm i saj në banesë ishte konsideruar i rrezikshëm. Për këtë arsye, ishte udhëzuar që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit

Më 23 tetor, dy ditë përpara vrasjes, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, për veprën penale të kanosjes.

Ndërkohë, sipas një njoftimi të publikuar sot, Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tij edhe në lidhje me dyshimet për mospërfillje të një vendimi gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, më 25 tetor, disa orë përpara vrasjes, ai dyshohet se e kishte kërcënuar Arlindën dhe kishte vepruar në kundërshtim me urdhrin e mbrojtjes.

I dyshuari për vrasjen vazhdon të jetë në kërkim

Albert Sylaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Arlindës, vazhdonte të ishte në arrati sipas raportimeve të publikuara gjatë ditës së sotme.

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim dhe ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për sigurimin e informacioneve që mund të ndihmojnë në lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Nën hetim edhe veprimet e institucioneve

Vrasja e Arlinda Zekajt ka ngritur pikëpyetje serioze nëse institucionet përgjegjëse kishin marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj.

Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar analizimin e plotë të rastit, për të përcaktuar nëse ka pasur lëshime institucionale apo përgjegjësi individuale.

Po ashtu, është kërkuar shqyrtimi i veprimeve të policisë, prokurorisë dhe institucioneve të tjera të përfshira në trajtimin e ankesave të viktimës.

Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se kishte ndërmarrë veprime dhe kishte kërkuar trajtim urgjent të rastit nga institucionet përkatëse. Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar nëpërmjet hetimeve nëse masat e ndërmarra kanë qenë të mjaftueshme dhe në përputhje me detyrimet ligjore.

Sot lamtumira e fundit

Ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes dhe përgjegjësive të mundshme institucionale vazhdojnë, familja Zekaj sot do t’i japë lamtumirën e fundit Arlindës.

Varrimi i saj do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës.

Rasti i saj ka rikthyer në vëmendje nevojën për reagim të shpejtë dhe mbrojtje efektive të personave që denoncojnë dhunë dhe kërcënime në familje./TN