Nga Jim VandeHei
Ishte rastësi, por ngjarjet ishin të ndërlidhura: brenda pak më shumë se një jave, u përballëm me një rezultat zgjedhor që shkaktoi një tronditje të thellë, një skandal të jashtëzakonshëm që përfshinte inteligjencën artificiale dhe spiunazhin, si dhe me ndërprerjen dramatike të fluturimeve nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
- Ky është realiteti ynë i ri: tronditje dhe habi të pandërprera, që shkaktojnë reaksione zinxhir në politikë, media, inteligjencë artificiale, biznes dhe kulturë.
Pse ka rëndësi: Tri tronditjet e këtij muaji ndodhën veçmas. Por shpejtësia me të cilën u zhvilluan dhe përhapja e pasojave të tyre përfaqësojnë realitetin tonë të ri.
Politika, inteligjenca artificiale, mediat dhe biznesi tashmë përbëjnë një sistem të vetëm të ndërlidhur: një goditje në njërën prej këtyre fushave shkakton menjëherë pasoja në tri të tjerat.
- Ne e quajmë këtë shpejtësi përtej kapacitetit të përpunimit (post-processable velocity): ndryshimet po ndodhin më shpejt sesa mund t’i përthithë çdo individ, kompani, treg apo qeveri.
- Frika e njerëzve nga inteligjenca artificiale tani po shndërrohet me shpejtësi në shqetësim për vetë strukturën lidhëse të qytetërimit. Një artikull i Associated Press (AP), i publikuar të dielën, shtronte pyetjen: «A mund të jetë prishur gjithçka?»
- Pamjet e frigoriferëve bosh në supermarketet evropiane, prej të cilëve ishin larguar ushqimet e prishura pas një vale sulmesh misterioze kibernetike, e përforcuan ndjesinë se lidhjet që mbajnë në funksion jetën tonë po shpërbëhen dhe se edhe lehtësitë më të zakonshme të përditshmërisë janë në rrezik.
Ajo që e bën gjithë këtë kaq çorientuese për të gjithë ne është shkalla e ndërlidhjes që kanë arritur politika, inteligjenca artificiale, biznesi dhe mediat. Skandali i spiunazhit që përfshiu Nvidia-n është një shembull i qartë:
- Mediat, fundjavën e kaluar: The New York Times raporton se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte paralajmëruar presidentin Donald Trump se themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, kishte lidhje me një person të dyshuar si spiun kinez. Rrjetet sociale shpërthejnë nga reagimet.
- Biznesi, të hënën: Aksionet e Nvidia-s bien me më shumë se 4% në hapje të tregtimit dhe vazhdojnë rënien. Pasojnë shqetësimet për pasojat e mundshme të krizës së inteligjencës artificiale në të gjithë ekonominë.
- Politika, gjatë gjithë javës: Ekipi më i lartë i Trumpit përfshihet në një valë të furishme pyetjesh se «çfarë dinin dhe kur e morën vesh». Demokratët kërkojnë seanca dëgjimore.
- Politikat publike, tani: Ligjvënësit po përpiqen me ngut të zbërthejnë rrjetin e ndërlikuar të spiunëve, gënjeshtrave dhe inteligjencës artificiale, ndërkohë që po nxitojnë të kufizojnë më tej qasjen e Kinës në çipat e Nvidia-s, të cilët i dhanë Huangut pushtetin nga i cili tani është larguar.
- Teknologjia, në vazhdim: Kompanitë e inteligjencës artificiale po rishqyrtojnë varësinë e tyre nga çipat e Nvidia-s dhe po shqyrtojnë mundësi financimi që nuk mbështeten te Nvidia.
⏱️ Dorëheqja e Huangut u njoftua vetëm 14 ditë pas publikimit të investigimit ekskluziv të bujshëm të The New York Times, muajin e kaluar, sipas të cilit ai besohej se ishte objektiv i një komploti kinez, dhe katër ditë pasi pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore.
Një zbulim, dy javë dhe drejtori ekzekutiv më i rëndësishëm në fushën e inteligjencës artificiale nuk është më në detyrë.
Tri forca e bëjnë këtë gjendje të përhershme:
🔄 1. Politika po përjeton luhatje të jashtëzakonshme
Këto ishin zgjedhjet e shtata radhazi në të cilat Shtëpia e Bardhë, Senati ose Dhoma e Përfaqësuesve ndryshuan kontrollin politik. Dhe këtë herë, kjo ndodhi në mënyra vërtet të paimagjinueshme dhe historike.
- Në vitin 2024 kishte një numër «distriktesh të ndara», ku votuesit mbështetën Kamala Harrisin për presidente, por një republikan për Dhomën e Përfaqësuesve. Këtë vit, secili prej këtyre distrikteve ndryshoi drejtim dhe zgjodhi një demokrat. Nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë precedent për këtë.
- Është e mundur që të kemi hyrë në një epokë postideologjike, në të cilën njerëzit ndiejnë shumë pak përkatësi ndaj kampeve partiake. Si mund të shpjegohet ndryshe zhvendosja e burrave të rinj me pothuajse 40 pikë nga republikanët te demokratët brenda dy vjetësh?
🤖 2. Inteligjenca artificiale po përqendron gjithçka
Një numër i vogël kompanish po bëjnë investime historike në inteligjencën mbinjerëzore, duke mbështetur njëkohësisht ekonominë gjatë këtij procesi.
- Kjo përqendron pushtet dhe rrezik të jashtëzakonshëm në shumë pak duar. Një lidhje jashtëmartesore e një njeriu tronditi të gjithë tregun.
- Nvidia prodhon përbërësin jetik të inteligjencës artificiale dhe ndihmon në financimin e pothuajse çdo aktori të madh që e blen atë.
- Por nuk bëhet fjalë vetëm për Nvidia-n. Edhe Anthropic, OpenAI, Google, Microsoft apo Amazon mund ta tronditin tregun me një njoftim të vetëm.
⛓️💥 3. Gjithçka bëhet e brishtë kur gjithçka është e ndërlidhur
Ndërprerja e fluturimeve të premten nuk kishte asnjë lidhje me inteligjencën artificiale, spiunazhin apo zgjedhjet, por megjithatë na tronditi të gjithëve.
- Duket se një kompani kontraktore po zëvendësonte kabllot e bakrit me fibra optike. Ruterët u mbingarkuan. Nisjet e avionëve u ndërprenë në të gjithë vendin për më shumë se katër orë.
- Gjithsej, më shumë se 18.000 fluturime në Shtetet e Bashkuara u anuluan gjatë tri ditëve të fundit.
- Zyrtarët dhanë shumë pak informacion për orë të tëra. Thashethemet, spekulimet dhe humori i zi mbushën boshllëkun informativ. «Alienët kanë zbarkuar», shkroi në rrjetin X romancieri Stephen King. «Kjo është arsyeja E VËRTETË e ndalimit të fluturimeve. Ata nuk duan të shkaktojnë panik në mbarë botën.»
Përfundimi: Tronditjet do të ndryshojnë. Shpejtësia jo.
Për më shumë hollësi: Shenja të reja të rritjes së rrezikut./Axios






























