Ballina Aktualitet Arben Taravari: Aleanca për Shqiptarët fillon negociatat për hyrje në Qeveri

Arben Taravari: Aleanca për Shqiptarët fillon negociatat për hyrje në Qeveri

ASh shqyrton mundësinë nëse ia vlen të hyjë në Qeveri / Taravari: Do të formojë komision për ta shqyrtuar çështjen

Kuvendi i Aleancës për Shqiptarë autorizoi Kryesinë që të vazhdojë negociatat dhe të sjellë vendim për hyrje në Qeveri, ose eventualisht ndërprerje të negociatave për hyrje në Qeveri theksoi kryetari i Aleancës për Shqitparë Arben Taravari pas përfundimit të Kuvendin Qendror të ASh-së.

“Do e shohim, do e diskutojmë tani ku bashkë në Kryesinë Qendrore do të formojmë një komision i cili do të jetë i autorizuar për të biseduar për çështjen konkrete se a ja vlen apo jo”, tha Taravari.

Nga ASH nuk bëjnë të ditur nëse është formuar ekipi që do të negocion me liderët e partive që përbëjnë shumicën parlamentare. Burime nga ASH bëjnë të ditur se kryesia e partisë do t’i cakton anëtarët e ekipit negociues, varësisht dinamikës së bisedimeve.

Kur ish-kryeministri Zaev deshi t’ua marrë ministrinë e Shëndetësisë dhe t’ua jap një ministri pa portofol të ashtuquajtur për reforma, Aleanca për Shqiptarët në 2017-tën e lëshoi Qeverinë duke thënë se nuk duan të drejtojnë “ministrinë e byrekut”.

“I dhashë propozim kryeministrit që të bëjë edhe një zëvendëskryeministër për të çuar byrek ministrave dhe atë ministri do t’ia jap me kënaqësi Bashkimit Demokratik për Integrim”, kishte thënë Ziadin Sela, ish kryetar i Aleancës për Shqiptarë.

Tash 5 vite më vonë përsëri në skenën politike është rikthyer tema për hyrjen e ASh-së në Qeveri, por kësaj radhe me qëllimin e përforcimit të shumicës parlamentare që rruga e Maqedonisë drejt BE-së të mos ketë pengesa.

Ndonëse u përfolën disa oferta që i ishin bërë ASh-së, kreu i kësaj partie Arben Taravari i hodhi poshtë zërat duke thënë se nuk ka propozim konkret nga mandatari Dimitar Kovaçevski.

“Ka pasur kanale komunikimi, ka pasur biseda joformale, pra asgjë s’ka qenë formale. S’kemi ndarë as ministri as drejtori e as asgjë. Tash për tash”, tha Arben Taravari, kryetar i Ash-së.

Edhe pse ende pa ofertë konkrete, Kuvendi Qendror i ASH-së e autorizoi Kryesinë që të vazhdojë negociatat me Qeverinë dhe të sjell vendimin përfundimtar për hyrjen në Qeveri. Ky vendim erdhi pasi në pjesën e tyre të Kuvendit, Taravari i prezantoi faktet dhe argumentet. Pas marrjes së dritës jeshile, Kryesia e ASH-së do të formojë ekip negociator që do të komunikojë me Qeverinë.

“E shohim tani në parti, do të formojmë në Kryesi Qendrore një komision i cili do të jetë i autorizuar dhe do të bisedojë për çështje konkrete, a ja vlen apo nuk ja vlen”, th Taravari.

Megjithatë para këtij vendimi, Taravari duke shprehur qëndrimin personal tha se për të më mirë është opozitarizmi, por shtoi se janë disa gjëra që nuk mund të thuhen.

“Unë 7 vjet jam në opozitë, përveç 3-4 muaj që isha ministër. Për vete shumë më lehtë dhe shumë më mirë më vjen opozitarizmi. Të jetë personale si Arben Taravari as që e kisha diskutuar, por prapë ka konstilacione të caktuara të cilat nuk mund të thuhen publikisht”, shtoi Taravari.

Taravari dje është takuar edhe me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, ku mes tjera është biseduar edhe për mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare, por sipas Taravarit nëse nuk arrihen numrat e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, nuk ia vlen të zgjerohet shumica parlamentare.

“Personalisht, nuk mendoj se në qoftë se nuk ka numër 80, ja vlen të zgjerohet Qeveria. Por them se ka gjëra të cilat mund të ndihmojnë edhe duke u zgjeruar Qeveria”, tha Taravari.

Taravari dje ka zhvilluar takimin edhe me ambasadoren e SHBA-ve, Angela Ageler, por mohoi se ka pasur ndërhyrje ose sugjerime nga ndërkombëtarët dhe faktorët politikë të rajonit që Aleanca të bëhet pjesë e Qeverisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews