Ballina Aktualitet Sot ngrihet sipari i sezonit të ri të skijimit në Kodrën e...

Sot ngrihet sipari i sezonit të ri të skijimit në Kodrën e Dielit

Sot zyrtarisht do të hapet sezoni i ri i skijimit në Kodrën e Diellit në Tetovë, informojnë nga Ski qendra në Kodrën e Diellit, njofton Portalb.

Siç thuhet në njoftim, ski-ashensorët dhe teleferikët do të funksionojnë nga ora 8:45 deri në ora 15:30.

Për shkak të motit të ngrohtë sezoni i skijimit po vonon me javë të tëra, qendrat turistike në vendin tonë në humbje. Qendra e skijimit Kodra e Diellit gjatë një viti ka pasur 153 ditë me shtresë bore, ndërsa mesatarja për Mavrovën ka qenë deri më 111 ditë me shtresë të borës gjatë 12 muajve.

Megjithatë, bëhet fjalë për mesataren e ditëve me shtresë bore që është matur për periudhën 1971-2000 nga ana e Drejtorisë për punët hidrometeorologjike në këto dy qendra skijimi. Nga perspektiva e tanishme, numrat e këtillë duken joreale, duke pasur parasysh faktin se qendrat dimërore-rekreative këtë vit kanë shumë vështirësi për ta hapur sezonin e skijimit dhe sporteve të tjera dimërore.

Adem Avziu, drejtor i qendrës turistike Kodra e Diellit, më 18 janar sqaron për Portalb.mk se humbjet e deritanishme në këtë qendër dimërore-rekreative për shkak të pamundësisë së fillimit të sezonit të skijimit janë rreth 500 mijë euro. Ai shton se në Kodrën e Diellit, sezoni i skijimit zakonisht fillon më 15 dhjetor, dhe realisht deri më tani ka pasur vonesë mbi një muaj për shkak të kushteve klimatike – ngrohjes globale.

“Temperaturat sa i përket kësaj periudhe kohore në Kodrën e Diellit kanë qenë më të larta të mundshme ndonjëherë. Kemi pasur ditë ku temperatura maksimale ka qenë 15 gradë celsius e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur në këtë periudhë kohore në Kodrën e Diellit. Kemi pasur shumë pak ditë me reshje bore dhe ka dominuar klima e ngrohtë dhe pa reshje dhe pa shtresë dëbore në malet e Sharrit”, sqaroi Avziu.

Kah fundi i dhjetorit të vitit të kaluar kompania italiane “TechnoAlpin”, e cila është e interesuar që të investojë në Kodrën e Diellit e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike, duke përfshirë edhe investimin në sistemin për borë artificiale.

Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

@tn.lajmelokale
@tetovanews