Ballina Kosovë Çka i mori jetën solistit të grupit të ‘Ilirëve’, zbardhen detajet, edhe...

Çka i mori jetën solistit të grupit të ‘Ilirëve’, zbardhen detajet, edhe policia deklarohet për vdekjen e Shemsi Krasniqit – Shemit

Shemsi Krasniqi, solisti i grupit të rock-folk-ut vendor “Ilirët”, i njohur me emrin artistik si Shemi, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prishtinë.

Burime të Gazetës Express thanë se ai u gjend i vdekur ditën e sotme rreth orës 15:00 në banesën e tij pas një sulmi në zemër.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar një ekip i Emergjencës.

Shemi ishte pjesë e grupit “Ilirët” që u formua në vitin 1981.

“Ilirët” me Shemin në mikrofon ishin një prej grupeve muzikore më aktive gjatë viteve ’80 dhe ’90. /Prive By Liberta Spahiu

Policia deklarohet për vdekjen e Shemit

Shemsi Krasniqi dyshohet se vdiq nga sulmi në zemër gjatë ditës së sotme.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i pyetur nga Gazeta Express lidhur me këtë rast tha;

“Sot rreth orës 15:00 kemi  pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në  rrugën UÇK në Prishtinë.

Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku vdekjen e viktimës (mashkull)  e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmerren veprimet e nevojshme policore”, tha ai.

Sot u nda nga jeta Shemsi Krasniqi – Shemi, një zë që ka hyrë në shtëpitë tona pa trokitur. Si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikut një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg.
Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo.
Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për dhimbjen e humbjes. Ngushëllime për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë publikun që e deshi, sepse kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar.
Të gjithë ne ta nderojmë me respektin që i takon, duke e mbajtur gjallë në kujtim dhe në mirënjohje.
Disa zëra nuk mbarojnë me një lajm, ata vazhdojnë sa herë që një këngë ngrihet si flamur në zemër. Ashtu do të dëgjohet përherë Shemi jonë, xhamadan i këngës e shpirtit.
U prehtë në paqe. I lehtë i qoftë dheu.