Nga 1 marsi hyn në fuqi detyrimi ligjor për bankat që të zbatojnë autentifikim të përforcuar të klientëve gjatë pagesave online me karta pagese. Qëllimi është të sigurohet mbrojtje më e madhe e mjeteve financiare të qytetarëve dhe kompanive përmes kontrolleve shtesë të sigurisë për verifikimin e identitetit gjatë pagesave pa prani fizike.
– Autentifikimi i përforcuar i mundëson klientit të bankës që, gjatë pagesave në internet, përveç futjes së të dhënave të kartës, të japë edhe një konfirmim shtesë për transaksionin përmes aplikacionit zyrtar të bankës, i cili instalohet në telefonin mobil dhe i mundëson atij të ndjekë në mënyrë të sigurt llogaritë dhe të miratojë pagesat. Në vend të konfirmimit të deritanishëm me kod SMS, klienti do të marrë njoftim përmes aplikacionit të bankingut mobil dhe do të duhet ta aprovojë transaksionin. Konfirmimi bëhet me PIN të aplikacionit, gjurmë gishti ose njohje të fytyrës. Pa këtë konfirmim, pagesa nuk do të mund të realizohet, edhe nëse dikush i posedon të dhënat e kartës – sqarojnë nga banka qendrore.
Autentifikimi i përforcuar si detyrim ligjor për ofruesit e shërbimeve të pagesave buron nga Ligji për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave. Ai po zbatohet gradualisht në vend dhe tashmë përdoret gjatë kontrollit online të llogarive bankare nga klientët, si dhe gjatë pagesave me karta në pikat fizike të shitjes ose përmes urdhërpagesave në banking elektronik dhe mobil.
– Me zbatimin e autentifikimit të përforcuar edhe për pagesat në internet nga 1 marsi 2026 përmbyllet procesi i harmonizimit me rregullat dhe standardet që aplikohen në Bashkimin Evropian për kryerjen e sigurt të pagesave online. Me këtë ndryshim forcohet besimi në pagesat digjitale dhe përmirësohet mbrojtja e përdoruesve – theksojnë nga Banka Popullore.















