Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur për të diskutuar kërkesën e SPAK-ut për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut dhe nuk ka aprovuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Ulsi Manja i cili prezantoi raportin e anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve, deklaroi se nuk ka vend për zëvendësim të masës së sigurisë.
Vetë kryeministri Edi Rama foli në mbledhje dhe bëri të qartë mbështetjen për kërkesën e SPAK-ut. Në fillim të fjalës së tij, Rama tha se Balluku nuk është akuzuar as për vjedhje e as për korrupsion. Ai e quajti “turravrap të pakuptueshëm” pezullimin e saj, që e cilësoi si “masë absurde” pasi pezulloi funksionin.
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK me akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”.
Fjala e plotë e Edi Ramës:
Faleminderit, kryetar.
Sot ne jemi këtu,
që të shpallim publikisht qëndrimin tonë
në lidhje me kërkesën e Prokurorit Special për të autorizuar
kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut.
ndaj saj është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar,
jo për vjedhje,
jo për korrupsion dhe gjë
të ndonjë sendi tjetër të lidhur me ndonjë skenë krimi apo
flagrancë në kryerjen e një vepre të rëndë penale,
po vetëm për dyshimin
e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres së Infrastrukturës dhe
Energjisë ka kryer veprën penale të pabarazisë
në tendera publik,
gjashtë vite më parë,
bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë
në celularin e një ish-drejtori dhe mbi këtë
fakt ende krejt të pahetuar asokohe,
por si rëndom të servirur më parë
përmes korrierësh që hyjnë e dalin te kuzhina e stacionit të trenit,
si gjellë qenësh në
700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik, u vendos
fillimisht me një turravrap
të pakuptueshëm nga prokurori dhe gjykatësi i
seancës paraprake,
pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar,
një masë absurde, që siç e kemi shpjeguar më parë,
pezulloi faktikisht funksionin, jo thjesht personin,
prandaj edhe nuk ka ndodhur kurrë dhe askund tjetër në botë
një budallallëk i kësaj natyre.
Pastaj, pa pritur fare përfundimin e procesit
të hapur prej nesh në Gjykatën Kushtetuese
për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e pushtetit ekzekutiv,
sapo gjykata pezulloi masën e
pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte çështjes
në themel,
erdhi turravrapi i dytë:
kërkesa që diskutojmë sot dhe e diskutojmë me të drejtën që na jep
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të autorizuar ose jo arrestin
e një deputeti,
gjë për të cilën do flas konkretisht ca më poshtë.
Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër dhe, fatkeqësisht,
të bërë zakon nga grupet hetimore të stacionit të trenit,
të cilat i përdorin mediat
si forca paramilitare të fajësimit dhe të asgjësimit
publik të subjekteve të tyre,
mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngrihen të tëra
valët e detit të urrejtjes,
që ziejnë e ziejnë e ziejnë
pa pushim në 700 tenxheret e pazarit tonë politik mediatik dhe
të mblidhen të gjitha retë e fantazive perverse të rrjeteve
sociale,
për ta kthyer njeriun në një kriminel: 300 vila, dy jahte,
10.000 euro solucione magjike për një larje makine. Ndërkohë rrugët
e ndërtuara në periudhën
e drejtimit të saj u shëmbën që të gjitha nga korrupsioni,
shirat u derdhën me gjyma dhe
përmbytjet mbuluan edhe malet e Shqipërisë nga mungesa e kanaleve të vjedhura prej saj,
deti u bë kos për qenërinë e pazarit politik dhe
mediatik. Dhe erdhi më në fund, me thirrje histerike jashtëderdhjesh në bulevard,
e shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe ndaj
njeriut që e çoi Partinë Demokratike për jufka në Dibër
dhe asfaltoi krejt në Fier, me gjithë gazin e Zëgjësit,
hapëllaç. Burri i parë në historinë e Europës
që Komiteti i Helsinkit mori në mbrojtje nga një vajzë,
mëshirë Zëgjësi, mbyll kapak.
Por ndërkohë që Belinda Balluku u kthye
në shtrigën që duhet djegur në turrën mesjetare të druve
me zjarr molotovësh
dhe të gjitha fondet e mobilizuara si asnjëherë më parë
në këto vite nga burimet e shtetit,
të organizmave financiare ndërkombëtare apo të sipërmarrjes
private për infrastrukturën, u kthyen në para të grabitura prej asaj vetë,
unë pikërisht sot dua t’u them shqiptarëve se ndryshimin
epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin
e infrastrukturës dhe në sektorin energjetik të vendit tonë,
nuk e solli koha, nuk e sollën as thjesht paratë.
Para janë harxhuar plot edhe më parë për ato rrugët e lëna rrugëve.
Nuk e solli askush dhe asgjë
tjetër, përpos votës së tyre për këtë parti,
për qeverinë e kësaj partie,
ku bën pjesë edhe Belinda Balluku,
si anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste,
si një ndër njerëzit tanë më të votuar dhe më
të mbështetur nga zgjedhësit, e cila për gjashtë vjet me radhë
drejtoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke punuar pa orar,
luftuar pa rezervë, për të realizuar në afat dhe në cilësi
objektivat ambicioz të programit tonë qeverisës,
mes 1001 vështirësish në këta dy sektorë që kanë
vuajtur gjatë prapambetjen historike për shumë arsye.
E di që edhe këtu mes nesh ka disa që
mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës dhe
skuadrave të udhëhequra prej saj në territor burojnë nga fuqia
e pushtetit që ajo kishte.
Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e afërta vendore në qarkun e Fierit,
ku ajo do të vazhdojë të drejtojë qarkun dhe nuk do të jetë
më në asnjë pushtet ekzekutiv.
Por ajo që unë di me siguri është një gjë tjetër:
se pakkush nga ne këti i mban si Belinda Balluku kontaktet
me territorin, duke shkuar rregullisht në zonat që mbulon si drejtuese
politike.
Nuk kam fare në plan ta shpall
as hero dhe as viktimë Belindën sot dhe
uroj që në hetimin e çështjes, për të cilën ajo akuzohet se ka kryer një vepër penale,
prokuroria të shterojë çdo pistë që mund
të çojë tek korrupsioni,
sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18-tave varet vetëm nga këmbët e veta,
me ligj dhe me zakon. Ndërkohë që unë si kryeministër,
ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që s’e kanë idenë e kësaj detyre,
nuk e kam as të mundur,
por nuk e kam as të lejuar,
qoftë nga ligji e qoftë nga zakoni,
që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori.
Nuk kam ndërmend as t’ju them, aq më tepër juve që
e njihni më mirë se të tjerët,
që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë,
pasi ca më shumë e ca më pak,
e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të,
sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht që të dalë e vetja.
Nuk kam, jo e jo, ndërmend ta shpall të pafajshme
për çka akuzohet, apo
të shkel për të vijën kuqe
të cilën e kam vizatuar përpara
deputetëve në këtë sallë, të nesërmen e miratimit
të reformës në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj,
duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia dhe duke hyrë në përmbajtjen e çështjes,
gjëra që takojnë ekskluzivisht
avokatit, apo prokurorit dhe gjykatësit,
jam s’jam unë dakord me këta të fundit. Por nga ana tjetër, nuk kam ndërmend
as që në një moment si ky, t’i lë pa përmendur
transformimet e mëdha në dy sektorët që ministrja ka drejtuar dhe ndjekur përditë,
pa ndaluar asnjë ditë, gjatë këtyre gjashtë vjetëve.
Në vendin tonë janë ndërtuar dhe rindërtuar
me standarde europiane rreth 1.000 km të rrjetit
të ri rrugor kombëtar. Nuk llogaris rrjetin dytësor dhe tretësor,
sepse nuk është në kompetencën dhe autoritetin e ministrisë dhe të qeverisë,
por të bashkive dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Ndërkohë 40 kantiere janë aktualisht të hapura në të gjithë
vendin dhe do të jenë vlerë e shtuar e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian,
që nga aksi Elbasan-Rrogozhinë,
i cili mbyllet në 2027,
me ecuri mbi 60% aktualisht,
tek Elbasan-Qafë Thanë, që po ashtu mbyllet në 2027-ën,
duke i vënë në dispozicion jo vetëm Shqipërisë,
po edhe Bashkimit Europian dhe NATO-s Korridorin e 8-të,
i cili për 30 vjet u bllokua
në Komisionin Europian nga të tjerë për të mos
u kualifikuar dhe klasifikuar si korridor i rrjetit
europian të transportit dhe e zhbllokuam ne
në Samitin e
Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor këtu në Tiranë, dhe i cili
njëkohësisht është shpallur korridor
sigurie për mobilitetin e forcave të NATO-s,
edhe Elbasan-Banjë, apo bipasi i Fierit dhe i Vlorës,
rrugë të cilat numëroheshin dikur me daulle dhe me
ritma, majë krahu,
në inventarin imagjinar të mijëra e mijëra kilometrave të Diti Ziut dhe të Punit Ziut që
ra përhisi Shqipërisë dje dhe ka rënë përfyti opozitës nga lindja dhe deri në agoninë
e saj,
po të cilat në fakt ishin vetëm gropa borxhesh dhe plagë të hapura rrugëve,
janë vepra që janë kryer pikërisht në këto gjashtë vite, ashtu siç u krye
dhe Orikum-Dukat, apo tuneli i Llogarasë,
për të cilin flitet në havan e tymit
të tenxhereve dhe në uturakët e qimbarëve,
për miliona e miliona të vjedhur,
po të vetmet miliona e miliona të vërteta, deri tani që flasim,
janë ato të përfituarat më tepër nga
rritja e fluksit të makinave drejt bregdetit tonë, për ekonominë
dhe financat e vendit.
Palasë-Dhermi, Kardhiq-Delvinë, e shumë premtuar edhe ajo,
madje edhe ajo në atë inventarin imagjinar të Ditë-Punit,
por realizuar vetëm në të njëjtën periudhë.
Korçë-Ersekë, tjetër vlerë e madhe e shtuar. Qukës-Qafë Plloçë,
një gropë në formë humnere e Dërdmenit të lartpërmendur,
e cila na mbeti në kurriz bashkë me projektin e hartuar nga analfabetë me
dy gishta dhe
e rinisëm krejt nga e para si projekt, duke e bërë fytyrën shollë me kreditorët e huaj,
për të vazhduar të na mbështesin.
Ka përfunduar dhe ajo.
Bajpasi i Tepelenës, Ura e Ali Pashës, Maliq-Lozhan, Berat-Ballaban,
për të vazhduar me Thumanë-Kashar dhe me rrugën e Arbrit,
dy ëndrra në beze për shumë e shumë vite, kur thonë “Tirandë”,
ndërsa sot janë realitete me dobi të jashtëzakonshme. Apo unaza e madhe e Tiranës,
edhe këtë e llogariste katrani në atë
inventarin imagjinar të mijëra e mijëra kilometrave,
u bë realitet vetëm pasi ju qep ministrja e infrastrukturës,
tamam duke qëruar oriz, kur i thonë llafit,
se në çdo 100 metra kishte një problem: jo shpronësimi
këtu, jo kanali atje,
jo kabilot e nëndheshme të RTSH-së më tutje,
jo kolektori poshtë, jo lumi me klubin mbi vete,
jo përroi me lavazhin mbi vete, jo dreqi me leje, jo i biri pa leje,
jo ky me legalizim, jo ai në proces legalizimi,
jo ata që s’luanin vend se kanë qenë me ne, jo ata që s’hapnin rrugën se ishin me ata,
jo dreqërit dhe të bijtë që nxisin ato protestat me bllokime këtu e atje,
bam, bariu e bam i biri, bum, fallxhiu e ham i ati,
derisa u qëruan të tërë dhe u krye edhe unaza e madhe e Tiranës.
Bulqizë-Martanesh, Maqellarë-Peshkopi,
ura e madhe e Kukësit, bashkë me vijaduktet e rrugës së Kombit,
të gjitha të mbetura në havan e premtimeve dhe të pritjeve shumëvjeçare, u mbyllën dhe ato,
doli dhe rruga e Kombit nga ajo gryka e Shishës,
pa llogaritur gjithë peripecitë e tjera të saj.
Janë aktualisht në ndërtim rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës,
segmenti i parë i bajpasit të Tiranës, Vaqarr-Kashar,
ndër plot të tjera që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë,
një Shqipëri që s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë e 700 tenxhereve,
që buçasin për ditë dhe për natë: skandal këtu, skandal atje, shpërtheu andej,
plasi këtej, ikën të tërë jashtë nga Shqipëria,
ikën të tërë brenda nga qeveria, bam, bum e bam, bum.
Andaj, unë dua t’i ftoj të gjithë ju
që jeni këtu dhe ata që na kanë besuar drejtimin e Shqipërisë,
po edhe këdo tjetër që nuk ka frikë, ta provojë, ta marrë me mend
që t’ia heqim për një çast vendit të gjitha këto arterie
të reja dhe ta marrin edhe njëherë me mend rrugën e vjetër për Dibër,
atë që nuk mbaronte kurrë, e kur ti thoshe “Peshkopi”,
në fakt s’ishe akoma te Burreli.
Të shkojë njëherë për Vlorë dhe ta harrojmë bajpasin,
t’i bie nga Radhima dhe të fillojnë të kapërcejnë llogoren,
të ikinë njëherë për Sarandë nga Gjirokastra, përmes asaj rrugës me rrotullime,
ku rrotulloheshe dhe pastaj
edhe veten dy metra mbi pikën ku ishe përpara se
të filloje rrotullimin, dhe pastaj futeshe prapë në rrotullimin tjetër.
Të provojnë edhe njëherë atë sekën nga ajo rruga e mëparshme,
që dikur detyroi një shokun tonë që bënte fushatë andej
t’u thoshte kolonjarëve: “Çudi si e votoni ju Partinë Socialiste”. Kujtohet ai shok,
se merrej duke bërë atë rrugë. Dhe po ndalem me kaq, se kam frikë se mos
i zë rruga ata që po na dëgjojnë, duke udhëtuar nëpër atë Shqipërinë
e asaj infrastrukture të hububushme. Por besoj se çdo mendje të lirë
nga urrejtja politike i mjafton kaq: një udhëtim i shpejtë, mbrapsht
në kohë, për ta pranuar pa asnjë gajle
vlerën e punës kolosale që është bërë.
Flasim pak për hekurudhat, se kollaj të thuash: “Ku i keni hekurudhat?
Pse s’i bëni hekurudhat? S’keni një hekurudhë! S’keni, se nuk keni turp! Nuk keni!” Por të rindërtosh
infrastrukturën hekurudhore nga hiçi,
ku e katandisi liria-demokracia e fillim viteve ’90,
duhet jo thjesht një përpjekje dhe një durim shumë i madh, por dhe një reputacion i vendit,
një situatë ekonomike dhe një aftësi financimi
që deri dje Shqipëria nuk e kishte asgjëkundi.
Tanimë ne nuk kemi thjesht një synim,
po kemi një plan konkret për të ndërtuar rreth
530 km hekurudhë sipas standardeve të Bashkimit Europian,
të elektrifikuar dhe të integruar në rrjetet europiane.
Projekte konkrete, procese pune konkrete.
Hekurudha Durrës-Tiranë-Aeroporti i Rinasit aktualisht
në ndërtim, do të jetë linja e parë e elektrifikuar në vend me 12 stacione përgjatë saj,
e cila do të nisë operimet në fillim të vitit të ardhshëm.
Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, lidhja me Malin e Zi, është aktualisht në proces prokurimi.
Ndërtimi pritet të nisë në fund të këtij viti dhe të përfundojë
në 2030-ën,
pjesë e korridorit.
Janë rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë, që nis ndërtimin
po në fund të këtij viti dhe përfundon në fund të vitit 2028,
si dhe projekti Rrogozhinë-Pogradec dhe kufi me Maqedoninë e Veriut,
aktualisht në fazën e projektimit.
Ka përfunduar, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës,
studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën
Durrës-Prishtinë, me gjatësi 105 km,
14 tunele dhe 43 ura.
Në takimin e fundit me kryeministrin Kurti,
kemi folur edhe për dy pista financimi të huaj, të cilat do t’i eksplorojmë bashkarisht.
Ka nisur hartimi i projektit të detajuar për linjat Vlorë-
Aeroporti i Vlorës dhe Sukth-Porto Romano, që do të lidhin portet dhe aeroportet
në rrjetin hekurudhor. Ndërkohë që po studiohet edhe rindërtimi i hekurudhës
Durrës-Vlorë, për herë të parë me qeverinë tonë.
Edhe kjo diçka e këtyre gjashtë viteve,
sepse nuk dua t’i kthehem kohës
kur erdhëm për të qeverisur dhe u bëmë
me detyrim përcaktimi zjarrfikës dhe
mbushës gropash nga të katër anët,
si në financat e shtetit, ashtu edhe në rrugët e rëna e rrugëve e në çdo sektor tjetër.
Një strategji reale, funksionale kombëtare e aviacionit civil,
e fokusuar në infrastrukturë, në konkurrencë dhe në ndërlidhje,
që ka rritur aksesin e qytetarëve në aviacion
nga 13% që ishte në vitin 2019, në 34% që është sot.
Liberalizimi i tregut ajror ka sjellë operatorë të rinj, duke ulur çmimet e biletave,
duke rritur numrin e fluturimeve direkte nga Tirana,
dhe duke e bërë Tiranën
qendër të aviacionit rajonal.
Besoj që askush nga ata që nuk e kanë mendjen
të kapur peng nga tenxheret politike dhe mediatike,
nuk e ka harruar kohën, që s’është dhe aq e largët,
kur ne ishim në qeveri me trashëgiminë e rëndë mbi supe,
dhe kur fluturohej nga Shqipëria apo për Shqipëri, biletat ishin
më të shtrenjtat në Europë, në Europë!
Sot kemi aeroportin më të madh për nga kapaciteti
në Ballkanin Perëndimor dhe prej vitesh e kemi lënë pas aeroportin rajonal të Beogradit,
i cili ka qenë ai, kur Rinasi ishte një pistë
me një terminal që ishte më i vogël se kjo salla këtu.
Sepse kam qenë dhe unë në atë terminal kur kemi shkuar me ekipin kombëtar për të luajtur
jashtë:
disa tavolina, ca karrige, ca mbulesa me kuadrate të kuqe,
mbi mbulesën me kuadrate edhe një mbulesë tjetër
të bardhë në formë rombi, edhe mbi atë ca gota qelqi
që duhet të hapësh gojën kaq për të futur gotën që të derdhësh ujin në gojë.
Po juve, brezi i ri, nuk i keni parë ato gota,
prandaj edhe sot kujtoni se jeta është më e lehtë.
Aeroporti i Tiranës sot ka
80 destinacione dhe 27 linja
ajrore, duke arritur të përpunojë në vitin
që sapo mbyllëm, 11.6 milionë
pasagjerë,
247% më shumë krahasuar me vitin
2019, para se të futej
në funksion gjithë strategjia për të cilën fola.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në fazën përfundimtare
të ndërtimit dhe do të fusë në Shqipëri, përveç
fluturimeve transoqeanike, edhe modele të reja biznesi të aviacionit,
kargo dhe mirëmbajtje.
Nuk besoj se duhet t’ja kujtojë njeriu këtë, se sa herë është
premtuar, ëndërruar, imagjinuar aeroporti i Vlorës,
por tani që po përfundon, mund të them që për Vlorën,
më e mira është e gjitha përpara në drejtim të perspektivës ekonomike.
Ndërtimi i portit të ri tregtar dhe ushtarak
me një krah në Porto Romano
parashikon trefishimin e kapaciteteve përpunuese aktuale dhe krijimin e një zone
të lirë ekonomike,
parkun logjistik. Ndërkohë që hap rrugën e dy porteve të reja të thata,
në Prishtinë dhe në Shkup,
duke krijuar një nyje të re me fuqi strategjike dhe logjistike të konsiderueshme,
jo thjesht për rajonin,
por dhe si një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian
dhe NATO-n. Dhe dua të them këtu dy fjalë për Porto Romanon.
Është një nga proceset më të ndërlikuara, ndoshta më i ndërlikuari që ne kemi bërë.
Është një plan strategjik që ka krijuar
edhe xhelozi.
Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh
që janë në stade të caktuara zhvillimi.
Një proces shumë
i sofistikuar me projektin e studios më
të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për
ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale, Royal Haskoning nga Holanda.
Një garë jashtëzakonshme
me pjesëmarrje nga të gjitha anët,
por e monitoruar nga BE-ja, nga konsulenti Royal Haskoning përsëri, dhe
armiqësi ndaj projektit.
Nuk do flas më shumë, por një gjë dua ta them këtu: ata që e luftojnë projektin,
ata që s’po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin,
ne e dimë kush janë. Dhe i kam bërë llogaritë
gabim, sepse projekti
do të bëhet.
Unë nuk kam plan B. Vetëm për Bashkimin Europian,
për çdo gjë tjetër jam tek “S’ka problem”.
Investimet e tjera në proces përfshijnë dhe transformimin e triportit të Vlorës
në një port të mirëfilltë tregtar,
i shumë munguar për Vlorën, dhe ndërtimin
e katër marinave turistike në Durrës,
Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin.
Nuk do flas për marinën e Sarandës, se po më shikon Ulsiu,
s’dua të krijoj konfuzion këtu për raportet
shumë të kthjellta që kemi me drejtësinë.
Ndërkohë që marina e Durrësit dhe
e Vlorës janë në proces ndërtimi,
në Shëngjin kemi filluar një proces me kryetarin e bashkisë
dhe me një super-ofertë të një subjekti shumë të njohur
në Europë.
Për Sarandën, më shumë
për sa i përket energjisë,
sot kemi përqindjen më të ulët të humbjes në rrjet,
që hyn tanimë në sferën e humbjes teknike.
Ndërkohë që patëm nisur atëherë me 50% thuajse humbje në rrjet.
Janë zhvilluar pesë ankande ndërkombëtare që kanë krijuar
mundësinë për 640 MW kapacitete
fotovoltaike dhe 222 MW kapacitete erës,
duke ofruar disa nga çmimet më konkurruese në Europë për energjinë e rinovueshme.
Karavastaja, 140 MW, është sot në operim.
Spitalla, 100 MW, është në ndërtim.
Parku i erës në Kavajë, 75 MW, Akërnia 1,
dhe rreth 300 MW të tjera janë në proces të marrjes së lejes së ndërtimit.
Është diversifikuar dhe rritur prodhimi i energjisë,
ku 600 MW kapacitete të reja janë shtuar dhe priten edhe rreth 1.000
MW deri në përfundim të vitit 2027.
Nga vdekja e Enver Hoxhës deri
në largimin nga pushteti të sekretarit të partisë së tij, në 2003,
Shqipërisë nuk i është rritur asnjë megawat kapacitet prodhimi,
asnjë megawat kapacitet prodhimi.
Por kanë ndodhur: e para, shkatërrimi total i sistemit të shpërndarjes;
e dyta, privatizimi kriminal i katër hidrocentraleve të ndërtuara funksionale,
Shkopeti, Ulza, Bistrica 1, Bistrica 2, si kthim TVSH-je.
Domethënë, në qoftë se duan korrupsion dhe
duan të luftojnë korrupsionin,
se krimin, me sa duket,
nuk e kanë të lehtë ta luftojnë deri në fund,
përderisa nuk kanë fuqi
të ngrenë akuzë për 21 Janarin. Le të shkojnë dhe të marrin dosjet
e këtyre katër veprave të ndërtuara nga
populli dhe
që takonin vetëm popullit, dhe ua dhanë një
kompanie që, për t’ia kthyer TVSH-në,
i llogaritën TVSH-në, thanë: “TVSH-në s’jua kthejmë, po merrni këto hidrocentralet”.
Dhe këta janë sot ata që vijnë vërdallë si qentë e pazarit,
me flakë nëpër duar dhe me llapën jashtë.
Sot, energjia e rinovueshme përbën 44%
të miksit total të energjisë në vend.
Politikat e vetëprodhimit kanë nxitur rreth 400 MW
kapacitete fotovoltaike për bizneset dhe familjet në vetëm tre vite.
Është përmbyllur dhe reforma për liberalizimin
e tregut të energjisë dhe ndarjen e funksionit të prodhimit,
transmetimit dhe shpërndarjes sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Të gjitha këto kanë ndodhur në këto vite,
nën drejtimin e atij njeriu
që ka mbuluar ato dy sektorë. Është çrregulluar
për konsumatorët familjarë dhe këtë nuk e them unë më, e thotë OECD-ja.
Në vlerësimet e OECD-së shënohet se Shqipëria është i
vetmi vend në Europë që përballoi krizën pa rritur çmimin e energjisë.
Për herë të parë dhe i vetmi vend në Europë,
Shqipëria uli çmimin e energjisë për familjarët me 10%.
Gjejini një vend tjetër ku është ulur çmimi i energjisë dhe ku mund të diskutohet
ulja e çmimit të energjisë.
Programet për efiçencën energjetike kanë mbështetur
4.000 familje deri tani dhe do vazhdojnë të mbështesin të tjera.
Është krijuar Bursa Shqiptare e Energjisë
Elektrike nga operatorët e Shqipërisë dhe të Kosovës,
ku vëllimet sot, krahasuar me ditën e krijimit në 2024,
janë rritur me thuajse 50%. Është forcuar integrimi
rajonal përmes projekteve të interkonjeksionit
me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, dhe aktualisht po punohet për të trefishuar
kapacitetet me Greqinë, si dhe për të ndërtuar linjën
e transmetimit me Italinë.
Po zbatohen projektet për të rehabilituar
kaskadën e Drinit dhe për të modernizuar asetet ekzistuese.
Investimet e drejtpërdrejta të KESH-it përfshijnë 75 MW
kapacitet fotovoltaik,
110 MW termik dhe projektin Pump Storage me rreth 300 MW.
Ndërkohë, përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare,
veçanërisht me Masdarin e Emirateve të Bashkuara,
do të fillojë gjenerimi i kapaciteteve të reja,
duke filluar nga parku fotovoltaik i Tragjasit, 120 MW.
Kanë nisur projektet për infrastrukturën e karikimit të automjeteve elektrike.
Projekti Nur,
në bashkëpunim me Sokarin, do të mundësojë për
herë të parë përdorimin e gazit natyror në Shqipëri,
si një burim energjie i cili rrit sigurinë e furnizimit dhe sigurinë energjetike në vend.
Ndërsa marrëveshja që përmenda,
ajo trilaterale me Italinë dhe Emiratet
e Bashkuara për transmetimin e energjisë,
do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion të ri strategjik edhe në këtë fushë.
Dhe e fundit që kam, është nota nga World Economic Forum:
Shqipëria renditet në krye të klasifikimit për qëndrueshmërinë
e sektorit energjetik.
Nuk e lë dot ujin pa e sjellë këtu,
sepse reforma e ujit ka marrë
tanimë një pamje të qartë për ku po shkojmë.
Në 2022-ën u përmbyll faza e parë e reformës. Rajonalizuam shoqëritë,
i reduktuam nga 58 në 14, që të rrisnim performancën financiare të sektorit.
Në 2024-ën nisëm për herë të parë subvencionimin
e ujit për kategori të caktuara të klientëve më vulnerabël.
Kemi zhvilluar sisteme dixhitale për monitorimin e burimeve ujore dhe të depove,
si dhe përfunduar një projekt për dixhitalizimin e shërbimeve për qytetarët.
Janë realizuar mbi 35 miliardë lekë investime në këtë sektor.
Furnizimi 24 orë është arritur në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale.
Arkëtimet kanë shkuar në një nivel
rekord, me 11.2
miliardë lekë në 2024-ën, rritje me 13%.
Ndërkohë që pagesa e faturave të energjisë nga shoqëritë e
ujësjellësve, që nuk paguanin energjinë, ka arritur
në 93%.
Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë arritur të mbulojnë kostot e operimit,
diçka që nuk ndodhte më parë,
dhe të mirëmbajtjes, duke treguar që janë shëndoshur financiarisht,
në pikën ku mund të kalojmë në fazën tjetër të reformës.
Kanë përfunduar mbi 200 projekte për rindërtimin dhe ndërtimin e ujësjellësve në këto vite,
rrjeteve të kanalizimit, impianteve të trajtimit,
të shpërndara në të gjitha qarqet. Janë 80 kantiere në proces.
Tani, unë jam i bindur se kjo pasqyrë faktesh dhe shifrash, sa kokëfortë,
aq edhe domethënëse, nga dy sektorët strategjikë
që Belinda Balluku ka drejtuar si titullare politike e tyre,
do të pështyhet dhe
do të përbuzet nga tërë lugina e pazarit të tenxhereve politike dhe mediatike,
si të ishte një fletë lavdërimi me fotografinë e saj.
Por faktet janë fakte dhe asgjë nuk i ndryshon dot.
Ndërkohë që për mua, për ne,
këto nuk janë faktet e pafajësisë apo të amnistisë
për çfarëdo faji mund të ketë bërë Belinda, të cilin,
sidoqoftë,
nuk e përcaktojnë dot asnjë prokuror,
as dy uturakë mediatikë qimbarësh
që mbledhin e hedhin jashtë nxjerrjet e urrejtjes ndaj nesh,
duke pastruar para dhe duke bërë evazion fiskal nën sytë e mbyllur
të prokurorisë që ka dosjet për të dyja këto akuza, të depozituara
institucionalisht
nga Tatimet e Republikës së Shqipërisë.
Po Tatimet e Republikës së Shqipërisë janë të republikës,
prandaj nuk janë aq të rëndësishme sa janë qimbarët, që janë të hurit dhe
të litarit.
Dhe nuk e përcaktojnë as të gjitha tenxheret bashkë
atë fajësinë ose pafajësinë. E përcakton vetëm procesi gjyqësor.
Ndërsa pasqyra e fakteve të një pune kolosale nuk
i takon kurrsesi një individi thjesht me një rol
të pamohueshëm në të gjithë zinxhirin e arritjeve në dy sektorë kaq të rëndësishëm,
po të gjithë atyre që kanë pasur një rol për të luajtur: nga skuadra e qeverisë tek
ajo e ministrisë së infrastrukturës, duke filluar nga Sindi, 32 kile,
që na doli dhe njeriu për t’u
kontrolluar në shtëpi në gjashtë të mëngjesit,
deri tek i fundit,
bashkë me drejtuesit dhe ekipet e institucioneve dhe ndërmarrjeve të varësisë,
pa harruar padyshim deputetët e komisioneve të lidhura me ata sektorë,
si dhe mbështetjen vendimtare që grupi socialist
ka dhënë për të gjitha reformat e bëra. Dhe për këto fakte,
për këto arritje, për të gjitha përpjekjet dhe mundin që është dashur deri këtu,
të gjithë ata që kanë bërë detyrën e tyre,
përfshirë patjetër edhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë,
si përgjegjëse për të dy sektorët, meritojnë vetëm respekt.
Ndërsa të gjithë atyre njerëzve të zakonshëm të këtij vendi,
me kushtin që të mos jenë pjesë e turmës së të verbërve dhe të shurdhërve
me molotov në gojë dhe në duar,
por që mund të jenë mbështetës tanët,
siç mund të mos jenë mbështetës tanët, dhe
që sido që të jenë, e kanë tashmë pa gjyq
të dënuar, pa i dhënë as të drejtën të mbrohet në gjykatë për
çka akuzohet, dhe duan ta shohin në burg Belinda Ballukun,
pa pritur as të hapet dera e sallës së gjyqit për të nisur procesin,
u them që t’i bëjnë vetes një pyetje:
ku ndryshojmë ne, të gjithë ne,
sot, apo të paktën ku duhet të ndryshojmë ne,
shqiptarët e sotëm,
pavarësisht bindjeve dhe simpative tona, politike apo njerëzore,
nga ata që dje donin medoemos të pushkatonin gjyshin e saj,
apo nga ata që regjimi komunist i gjyshit të saj donte medoemos t’i pushkatonte,
t’i burgoste, t’i syrgjynoste, pasi ua bëri fillimisht gjyqin në gazetë,
në radio, në televizion, dhe i dënoi në emër të popullit,
pa u dhënë as të drejtën të mbrohen në sytë e popullit?
Kjo nuk është një pyetje që unë e bëj sot për të mbrojtur Belinda Ballukun nga e vërteta
që takon vetëm procesit mes saj dhe drejtësisë,
sepse unë
nuk jam avokati i askujt këtu, përballë një akuze të ngritur nga prokuroria,
ndaj kujtdo qoftë, këtu brenda apo pranë nesh.
Kjo është një pyetje të cilën unë e bëj sot për të mbrojtur të vërtetën
e madhe që takon vetëm demokracisë
nga të gjithë abuzuesit e saj, sepse unë jam kryeministri i këtij vendi,
përballë një sfide historike të marrë përsipër nga Partia Socialiste dhe nga unë vetë
si udhëheqësi i saj.
Kjo e vërtetë e madhe quhet prezumimi
i pafajësisë,
si parakusht
absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor, dhe
si vijë e prerë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës,
mes drejtësisë dhe arbitraritetit.
Ndërsa sfida historike e kësaj partie është mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë,
në radhë të parë nga tundimi ynë natyral
për t’ju kundërvënë asaj në çdo rast kur
drejtësia, tanimë e pavarur falë vullnetit tonë patriotik dhe europian,
shfaqet haptazi e anshme dhe jo profesionale,
duke goditur arbitrarisht dhe duke përdorur tenxheret politike dhe mediatike
për të fituar në mexhlisin e gjyqit popullor përpara se të fillojë gjyqi ligjor.
Edhe rasti që po diskutojmë aktualisht është i tillë.
Fatkeqësisht, nuk është rasti i parë,
po fatmirësisht nuk është as rasti më i vështirë,
sepse ndryshe nga sa ka ndodhur, për shembull, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës,
prezumimi i pafajësisë i të cilit nuk ka ekzistuar as përpara
se ai të merrej për herë të parë në pyetje, dhe gjyqi mediatik
ndaj të cilit ishte një tjetër masakër
gurësh dhe pështymash,
me libër shtëpie të denjë për mesjetën,
jo për një shoqëri europiane. Në këtë rast,
thashë fatmirësisht, sepse vjen tek ne, na jep Kushtetuta të drejtën
të gjykojmë mbi dëshirën, nevojën,
argumentet e prokurorit për të kërkuar një arrest pa gjyq.
Se kjo është ajo që duhet ta kuptojnë të gjithë shqiptarët për të kuptuar pozicionin tonë,
pozicionin tim: arrest pa gjyq.
Asgjë më shumë, asgjë më pak.
Dhe kështu e jep Kushtetuta mundësinë
që as të mos e humbim nga sytë,
as të mos kemi fuqi ta ndihmojmë.
Viktima më e madhe gjer më sot e reformës në drejtësi,
e dini kush është?
Viktima më e madhe gjer më sot e reformës në drejtësi
është parimi i prezumimit të pafajësisë.
Që ne të ngremë dorën për të votuar kërkesën e arrestit për Belinda
Ballukun, me kartonin që e kanë dhënë socialistët dhe mbështetësit tanë,
përfshirë dhe ata të kryeqytetit të socialistëve në Fier,
na duhet të kemi të paktën njërën nga
arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë.
Nuk po them të kemi skenë krimi, të kemi kushte flagrance,
apo të kemi qoftë dhe një provë bindëse për tentativë
arratisjeje apo prishje të provave,
të cilat janë normalisht arsye sine qua non për paraburgimin,
sepse sjellin një cenim relativ të detyruar të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Por po them: të paktën njërën nga
arsyet që kemi pasur
kur e kemi bërë këtë më parë.
Dhe në kujtesën time, qysh prej reformës në drejtësi,
ne kemi votuar për dy arreste:
njëri për shkelje të përsëritur të vendimit të gjykatës,
pra një votim automatik pa nevojë për ndonjë diskutim;
tjetri për plot të zeza: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie,
gjëra që na krijuan bindjen që kërkesa e prokurorit ishte e përligjur.
Në këtë rast s’kemi asgjë nga këto. Ndërkohë,
unë kam dhe një problem tjetër: materiali
shumë voluminoz që e shoqëron kërkesën,
siç u tha dhe nga prokurori, 16.000 faqe,
është në fakt tregues i dobësisë së madhe që ka kërkesa,
sepse ato 16.000 faqe janë një kolpë e bukur propagandistike
për t’u çuar fjalë gjithë shqiptarëve të etur për drejtësi se janë 16
mijë faqe me vjedhje. Në fakt, ato janë studime,
janë projektime, janë prokurime, janë vendime, janë urdhëresa,
janë arkiva e ministrisë
së infrastrukturës gjatë periudhës së drejtimit të Belinda Ballukut,
të marra me kamion dhe të çuara për t’u futur në dosje.
Një dosje që, nëse për
bën provë për diçka,
është prova më e fortë e punës së madhe serioze
të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Të tjerat janë dokrra. Unë nuk jam ndonjë njohës i procedurave të Kuvendit,
por personalisht ia kam thënë dhe shokëve të Këshillit të Mandateve:
po të isha një nga ata,
unë do t’i ktheja mbrapsht ato 16.000 faqet si një qasje
jo serioze, për mua ofenduese,
e një përfaqësuesi të pushtetit të pavarur gjyqësor ndaj përfaqësisë së pushtetit të pavarur
legjislativ.
Dhe pikërisht si iluzion optik.
I mbani mend kur keni qenë fëmijë ato pasqyrat
e thyera që kapnin diellin dhe ia përplasnin syve dikujt?
Një gjë e vogël dhe dukej sikur dielli përballë.
Ashtu janë ato 16 mijë faqet.
Ulsi Manja më ka shpjeguar njëherë fenomenin e vëllimeve
të mëdha të kërkesave të prokurorëve me fjalët e ndjeshëm të
profesorit të nderuar të Fakultetit të Drejtësisë, i cili thoshte:
“Kur s’ka prova bindëse, shkruhet gjatë, se flet prokurori.
Kur ka prova bindëse, shkruhet shkurt, se flasin provat.”
Por më e rënda, sipas meje, në paraqitjen e prokurorit pranë Kuvendit,
është gjithçka tjetër:
paraqitja e një incizimi të një bisede
të Belinda, ministrja, titullarja, apo ndonjë gjë që duket si ndonjë kërcënim real.
Tani, besojeni ose jo, unë vetë as nuk e kam dëgjuar,
as nuk kam ndërmend ta dëgjoj këtë kërcënim të incizuar, apo të lexoj procesverbalin.
I kam tmerr këto forma.
Po drejtësia ka detyrën e vet t’i përdorë,
që e paska shtyrë prokurorin të
marrë gjithë atë
të përpjetë dhe të vijë të kërkojë nga Parlamenti i Shqipërisë
arrestimin e një deputeteje,
e cila, një kujtesë e vogël këtu, është prindi i vetëm i një vajze minorene.
Nuk po marr fare
as për bazë faktin që këtë kërcënim prokurori e kishte
apo jo, e kishte edhe përpara se
ta pezullonte ministren,
ndërkohë që e nxori vetëm kur ra masa e
pezullimit,
duke e përdorur si rrethanë rënduese
për të kërkuar me çdo kusht arrestin,
në një turravrap i cili
më shumë sesa një hap logjik i një procedure ku shfaqet
një e dhënë e re,
ngjan me një reagim emocional
ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Gjykata Kushtetuese.
Por nejse.
Unë nuk po them fare as që një thënie e një
të pandehuri në të njëjtin procedim nuk ka vlerën e dëshmisë dhe thëniet
e tij merren me rezervë, pasi nuk mund të konsiderohen si provë
në kuptimin që ka prova në Kodin Penal. Dhe këtë e thotë Kodi,
nuk e them unë. Por nuk e quaj,
unë po e zë tani, se i pandehuri i thotë bashkëbisedueses në telefon:
“Belinda Balluku personalisht më ka lidhur pas karriges,
më ka vënë në fyt një thikë që kishte dhe disa
pika gjaku të tharë dhe më ka thënë ‘do
të vras’
po nuk the kështu, apo po nuk bëre ashtu”.
Unë po e marr që prokurorët kanë sjellë këtë.
Tani, ka njeri të ma tregojë mua si mund
të vihet në Kuvendin e Shqipërisë me kaq,
me një muhabet të tillë telefoni, pa bërë
asnjë ballafaqim, pa bërë asnjë kryqëzim dëshmish,
pa bërë asnjë verifikim: ku, kur ndodhi kjo
tha?!
Sado në mënyrë të tmerrshme të përshkruhet ajo në një bisedë telefonike mes dy grash,
ose burrash (se burrat janë më të këqij se gratë kur flasin në telefon),
aq më tepër një i pandehur me një tjetrin,
u merrka mbrapa hekurave kaq kollaj
një njeri, se folën dy veta në telefon? Kjo është një provë re,
që s’është as re.
Dhe kur mendoj që vihet me këtë kollajllëk
në Kuvendin e Shqipërisë
për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri,
mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur shtatë pashë
jo nëndhe, por në llum,
po një njeri i thjeshtë, një njeri i pambrojtur,
një njeri që
i ngec sharra në gozhdë me kushëririn e një prokurori, për shembull,
e paramendoni ju si mund ta hajë fletën e arrestit surratit,
me një logjikë të rrafshët si kjo?
Dhe në fakt, kur sheh këtë,
aty e kupton konkretisht se si hanë shumë njerëz në Shqipëri
dhe sesi, për faqen e zezë të autorëve të kësajsoj përplasje-shthurjesh të fletëve të arrestit,
Shqipëria është bërë delja e zezë e Këshillit të Europës: më shumë të burgosur pa gjyq,
të cilët hanë e pinë me paratë
e taksapaguesve,
ndërkohë që mund të jenë atje komplet të pafajshëm, jetojnë
pra në kurriz të të tjerëve,
ndërkohë që mund të ishin jashtë dhe të bënin punë dhe të mbanin veten dhe familjen.
Sa të burgosur me gjyq, 58% janë kështu.
Hajde ta fusim njëherë, se na ka dalë një incizim,
se na ka ardhur një muhabet, se kemi parë ca mesazhe.
Ku jemi këtu ne? Po çfarë është një njeri i zgjedhur nga populli,
apo një drejtues publik?
Kokë për t’u marrë si trofe në pjatën
e pazarit dhe për t’u shëtitur në pazar, në emër
të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit,
pasi është sakatuar dhe zhgarravitur paraprakisht?
“Grupi i strukturuar kriminal i tha gjykatësja
prokurorit për Ilir Beqën. Arbitri, pra, lojtari përballë pretendon që
që ishte gol, arbitri thotë: nuk ishte një gol,
ishin dy gola. Dhe vari. Gjykata e Apelit
thotë: ishin tre gola. Çfarë drejtësie është kjo, çfarë gjykate?
Ra grupi i strukturuar, nuk është ekzistent.
Atëherë, po Ilir Beqja?
S’kam folur ndonjëherë për të, duke respektuar vijën kuqe. Po tani që ka një vendim,
mbasi u ngrit dhe u ul si organizator i një grupi
të strukturuar në të 700 tenxheret politike dhe mediatike,
s’paska pasur grup të strukturuar. Në të gjithë botën normale,
prokurori kërkon, gjykatësi frenon. Këtu prokurori kërkon, gjykatësi
vrapon.
Po në emrin tonë, jo.
Me votën tonë, jo.
Herë tjetër, kur të vijë në Kuvend për të kërkuar jo imunitetin,
se dhe ky është një keqkuptim i madh.
Nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj hetimit. Nuk ka imunitet
në Shqipëri ndaj përgjimit.
Nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj procesit penal për askënd nga ne që jemi këtu.
Nuk ekziston imuniteti në Shqipëri, siç kanë në Gjermani,
siç kanë në Itali, siç kanë në Francë,
siç kanë në thuajse të gjitha vendet e Bashkimit Europian,
që nuk mund dot të guxosh
ta zësh me gojë emrin e një deputeti,
jo më të fillosh hetim,
pa shkuar njëherë në Parlament dhe të thuash: “A më lejoni mua të merrem me këtë?”
Në Shqipëri ne nuk e kemi, e kemi hequr me konsensus,
në mos gabohem, në 2012-ën.
Ne kemi vetëm kufizimin ose jo të lirisë.
Pra, një person hetohet në gjendje të lirë, apo një person çohet në
me votën tonë. Dhe ne të ngrejmë dorën për të çuar në burg një
deputet me këto
argumenta? Po çfarë jemi ne, bashkautorë
në krijimin e popullit të paraburgosurve
në Shqipëri? Dhe kur të vijnë për të kërkuar heqjen e lirisë
herë tjetër, prokurorët duhet të
vijnë të armatosur me prova dhe të përgatitur, siç erdhën në dy rastet e mëparshme.
Për një rast kishin një provë që s’kishte ç’të thoshe fare,
sepse deputeti nuk zbatonte vendimin e gjykatës në mënyrë të përsëritur.
Për një rast tjetër kishin
një mal me argumenta.
Po t’i vish Kuvendit me procesverbalin e një incizimi qesharak
të një gruaje me dy gra,
për të legjitimuar kërkesa ekstreme, arrest pa gjyq,
duke na vënë në pozitë absurde ne, shumicën socialiste,
që i kemi dhënë shpirtin betejës për reformën e drejtësisë,
por i kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë
së pavarur.
Bëni ç’të keni për të bërë.
Ku është parë kjo forcë politike në historinë e Europës,
të Europës? Hapini gazetat, lexoni ç’thotë ndonjëra atje për gjykatës e për prokurorët
në ndonjë vend të BE-së.
Ama dinjiteti
i Parlamentit nuk ka dalë në pazar të gjësë së gjallë,
nuk është me dorën tonë.
Pastaj, se ç’bëjnë 700 tenxheret për ne, s’e
frenojmë dot, se s’kemi çfarë i bëjmë, jemi vend.
Unë e di shumë mirë që do thonë, ç’nuk do thonë prapë.
Po ata kurrë nuk kanë lënë dhe nuk do lënë gjë pa thënë në të gjitha rastet.
Po ky është një qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest të një
deputeteje, dhe është po aq parimor dhe i domosdoshëm sot,
sa është edhe një qëndrim
paralel i prerë në mbështetje të plotë të drejtësisë, për të hetuar, gjykuar, vendosur,
pa trysni nga pushteti ekzekutiv apo shumica parlamentare.
Mosdhënia e lejes për arrest nuk është trysni,
është thjesht kryerja e detyrës tonë. “Vini të na kërkoni këtë,
nuk i keni kushtet për të pasur pranimin tonë.”
Le ta hetojmë deri në fund Belinda Ballukun
dhe le ta gjykojë për akuzën e pabarazisë në tendera të para gjashtë viteve,
për të cilën kanë në dispozicion të gjitha çfarë u duhet.
Por të mos fyejnë inteligjencën tonë, duke na thënë që ajo rrezikon t’ju prishë provat.
Provat s’ua rrezikonte as kur ishte ministre, se provat janë të para gjashtë viteve.
Sot që është thjesht deputete, as që bëhet fjalë.
Sepse, po të shikosh gjithë kërkesën,
ajo është kryekëput kërkesë që lidhet me rolin e ministres.
Në mos gabohem, pastaj gjykata të vendosë
si ta shohë të arsyeshme. Është absolutisht pushtet i pavarur.
Ky është pozicioni ynë, pikë.
Ideja se “hajt mor, këta janë
të gjithë njësoj, edhe po s’pati prova për këtë,
që po themi, kush e di sa të tjera kanë bërë që ne s’i dimë,
prandaj kur bie lapsi, le të bjerë,
e pastaj gjenerali, oficeri, ushtari, kush të dalë,
mjafton që të jetë i frontit armik”. Për ata që merren me politikë,
fronti armik është partia tjetër. Për ata të tjerët që
në politikë, fronti armik është e gjithë politika.
Po kjo është një ide që ushqejnë ose deformimi nga komunizmi
në trurin e më të vjetërve, ose jehona e zhurmës së përgjithshme në boshllëkun
që ka truri i më të rinjve.
Është një zonë atje që jehon, kthehet zëri mbrapsht, domethënë.
Po mua s’më intereson fare çfarë thonë apo do thonë ata që s’duan,
apo që më duan të vdekur mua bashkë me ju dhe Partinë Socialiste.
U bë kohë që më ngjallin vetëm keqardhje për njerëzit që i dëgjojnë
akoma. Po më shumë akoma më ngjallin keqardhje për tokën që detyrohet t’i mbajë
mbi sipërfaqe.
Kur shoh bulevardin çdo mëngjes, e shoh
me keqardhje tokën ku janë shtruar ato pllaka.
Por…
Selavi.
Ju a kam thënë dhe herë tjetër: unë nuk kam më asgjë për t’i provuar vetes time.
Kam hequr çdo lloj meraku që ka normalisht njeriu.
E kam sprovuar veten në çdo nivel, qoftë si njeri në arenën politike këtu,
qoftë si shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Këtu jam akoma për të dhënë gjithçka që kam brenda vetes, që bashkë me ju
të mos lejoj që Shqipëria të humbasë mundësinë e jashtëzakonshme historike,
të cilën e kemi krijuar me shumë mund, me shumë durim,
po dhe na është krijuar nga rrethanat e reja gjeopolitike të kontinentit,
për t’u bërë brenda kësaj dekade vend anëtar i Bashkimit Europian.
Duan apo s’duan ata që s’duan, ne po bëjmë histori.
Shqipëria e sotme është një
vend tjetër nga ai i një dekade më parë.
Prandaj është tejet e rëndësishme që të mos e humbim për asnjë çast nga sytë këtë
të vërtetë.
Dhe ne nuk lejohet të biem pre
e presionit të përditshëm të 700 tenxhereve,
po jemi të detyruar ta bëjmë historinë deri në fund
me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Prandaj është tejet e rëndësishme, po ashtu, që të mos
e harrojmë për asnjë çast edhe të vërtetën se pa Partinë Socialiste,
si një skuadër në formë që duhet të jetë në formë
për çdo ndeshje,
si skuadër, me strategji të qartë,
me angazhim të madh kolektiv, me disiplinë të fortë
në udhëheqjen e vendit, Shqipëria jo që nuk e arrin dot majën
për ku po ngjitet hap pas hapi, po mund të kthehet mbrapa sa hap e mbyll sytë.
Shumica dërmuese
e shqiptarëve e dinë shumë mirë këtë, prandaj na votojnë masivisht,
jo se nuk i shohin të metat tona,
jo se na i falin,
po i gëlltisin gabimet tona,
por ama dinë këtë.
Pavarësisht se si e keqlexojnë votën e tyre
gjysëm analfabetët politikë të frontit
të kundërshtarëve tanë të pamend,
shumica dërmuese e shqiptarëve dinë shumë mirë edhe një gjë tjetër:
se ne dhe vetëm ne jemi garantët e pavarësisë së drejtësisë.
Dhe edhe sot,
konkretisht me mënyrën si po i qasemi kërkesës për të autorizuar arrestin e një deputeteje,
ne po e provojmë katërcipërisht edhe këtë.
Po, katërcipërisht, sepse unë fola gjatë deri këtu,
por as ju dhe askush që ka arritur të dëgjojë ato që kam thënë deri tani
(jo ata, jo ato që ka dashur vetë të dëgjojë), nuk keni dëgjuar asnjë fjalë që të
jetë presion. Zero.
Sepse unë respektoj plotësisht pavarësinë e prokurorit,
të drejtën e prokurorisë që të hetojë edhe një bashkëpunëtore të ngushtë,
si dhe respektoj detyrën time që në asnjë mënyrë të mos
bëhem avokat i saj.
Kështu që unë e falenderoj sot
Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për gjashtë vjet me radhë
dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që meriton, në betejën
ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët
e saj. Dhe i kërkoj
ndjesë për refuzimet e përsëritura të tri herë dorëheqjeve të saj, të cilat,
pavarësisht interesit të saj,
apo edhe pikëpamjes së disa shokëve këtu,
për të lehtësuar presionin mbi të apo mbi ne,
i kam refuzuar pikërisht dhe vetëm sepse drejtësia,
pushteti i pavarur
gjyqësor, u fut, me ose pa dashje,
në territorin e pavarësisë së pushtetit të pavarur
ekzekutiv dhe legjislativ.
Pushteti këtu buron nga vota
e popullit dhe kjo për mua ishte dhe do jetë e patjetërsueshme.
Sa të jam unë këtu në këtë detyrë,
të dashur deputetë e deputete,
besoj isha po aq i qartë sa është i qartë dhe raporti i Këshillit të Mandateve,
shkruar nga pala jonë.
Po besoj që dhe në raportin tjetër të palës tjetër,
keni të gjitha argumentat pse kërkesa
rrëzohet.
Faleminderit!
Faleminderit, Kryetar!















