Një fëmijë 5-vjeçar është sulmuar nga disa qen rrugësh në lagje, afër hyrjes së shtëpisë së tij, në fshatin Strimnicë të Tetovës. Sipas babait të fëmijës, vetëm dy prej qenve e kanë sulmuar drejtpërdrejt, duke e rrëzuar në tokë dhe duke e kafshuar në disa pjesë të trupit.
Ai ka pësuar kafshime në kofshë, në të dyja këmbët, si dhe në pjesën e barkut. Po ashtu, në trup duken edhe gërvishtje, që dyshohet se janë shkaktuar nga thonjtë e qenve. Babai thotë se djali ka lëndime edhe në kokë, në dy pjesë, si dhe një lëndim në pjesën e ballit. Sipas tyre, edhe xhaketa që kishte veshur është grisur nga sulmi.
Në momentin kur ka ndodhur rasti, djali ka qenë vetëm dhe pranë tij nuk ka pasur askënd. Për fat të mirë, britmat e tij i ka dëgjuar nëna, e cila ka reaguar menjëherë. Babai ka treguar se në atë moment ndodhej në punë dhe nuk ishte prezent, ndërsa vëllai e ka marrë djalin me veturë dhe e ka dërguar në spital.
“Mjekët intervenuan menjëherë. Edhe unë shkova direkt në spital. Na thanë se rasti është raportuar në polici, sepse sipas tyre e kanë obligim ligjor ta bëjnë një gjë të tillë”, ka deklaruar ai.

Ai shprehet i shqetësuar për mungesën e sigurisë dhe mbrojtjes ndaj rasteve të tilla.
“Më vjen shumë keq që ka raste kur nuk jemi të mbrojtur, por në të njëjtën kohë nuk na lejohet as të mbrohemi. Nëse mua më ndalohet të mbroj veten, fëmijën tim apo këdo tjetër, atëherë kush do të na mbrojë? Nëse unë nuk kam mundësi dhe ingerenca për t’u mbrojtur, atëherë dikush duhet të mbrojë mua, fëmijët e mi dhe të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.
Në fund, ai ka apeluar që rasti i djalit të tij të jetë i fundit i këtij lloji.
“Dëshiroj që rasti i djalit tim, edhe pse ai u bë viktimë, të jetë rasti i fundit. Uroj që një gjë e tillë të mos i ndodhë më asnjë fëmije dhe asnjë qytetari”, ka përfunduar ai.
Nga Komuna e Zhelinës thonë për Tetova News se këta qen janë sjellë nga dikush në fshatrat e kësaj komune dhe se do të angazhojnë një kompani që të merret me këtë dukuri.
Duhet theksuar se në Strimnicë kalon edhe lumi Vardar, i cili sjell shumë hedhurina, por edhe mbetje të kafshëve të therrura, prandaj qentë grumbullohen në këto zona ku mund të gjejnë ushqim./TN















