KOMPANIA për prodhimin e dronëve, pas së cilës qëndrojnë djemtë më të mëdhenj të presidentit Donald Trump, po përpiqet t’ua shesë pajisjet e saj vendeve të Gjirit, të cilat ndodhen nën sulmet iraniane dhe varen nga mbrojtja e ushtrisë amerikane nën komandën e babait të tyre, shkruan Associated Press.
Fushata e shitjes e kompanisë Powerus me seli në Florida, e cila muajin e kaluar njoftoi se Eric Trump dhe Donald Trump Jr. iu bashkuan asaj, e vendos kompaninë në pozitë që potencialisht të përfitojë nga lufta që e nisi pikërisht babai i tyre.
Shitje në mes të konfliktit ushtarak
Bashkëthemeluesi i Powerus, Brett Velicovich, konfirmoi për Associated Press se kompania po mban prezantime shitjeje, përfshirë edhe demonstrime të dronëve, në disa vende të Gjirit. Qëllimi është të tregojë se si dronët e tyre mbrojtës interceptues mund të ndihmojnë në zmbrapsjen e sulmeve iraniane.
“Ekipi ynë aktualisht po zhvillon një numër të madh demonstrimesh të interceptorëve tanë në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha Velicovich. “Ne kemi teknologji të jashtëzakonshme që mund të shpëtojë jetë.” Ai refuzoi të përmendë vendet ose të zbulojë më shumë hollësi.
Akuza për konflikt interesi
Ky veprim biznesi ka shkaktuar kritika të ashpra për shkak të konfliktit të dukshëm të interesit. “Këto vende janë nën presion të madh që të blejnë nga djemtë e presidentit, në mënyrë që ai më pas të bëjë atë që ato duan”, deklaroi Richard Painter, ish-kryekëshilltar për etikë i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të presidentit George W. Bush.
“Kjo do të jetë familja e parë presidenciale që do të fitojë para të mëdha nga lufta, dhe pikërisht nga një luftë për të cilën ai nuk mori miratimin e Kongresit.”
Marrëveshja e vëllezërve Trump me Powerus mund t’u sjellë atyre pjesë të rëndësishme pronësie, ndërsa pikërisht babai i tyre, si komandant suprem, më shumë se një muaj më parë së bashku me Izraelin nisi sulmet ndaj Iranit, të cilat u shndërruan në luftë dhe krijuan nevojën e vendeve të Gjirit për mbrojtje.
Qëndrimi i kompanisë
Kompania Powerus e ka hedhur poshtë ekzistencën e çfarëdo konflikti interesi që kur u bë publike për herë të parë se vëllezërit Trump iu bashkuan asaj. Velicovich theksoi vendosmërinë e tyre për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara që të arrijnë dhe tejkalojnë prodhuesit kinezë dhe rusë të dronëve.
“Ne jemi në luftë, në një garë armatimi, dhe Amerika do të humbasë nëse nuk ndërtojmë shpejt”, tha Velicovich, veteran ushtarak i cili edhe vetë ka qenë nën zjarrin e të njëjtëve dronë rusë që tani i përdor Irani. “Duhet t’u jemi mirënjohës të gjithëve që tani po përpiqen të investojnë në prodhimin amerikan. Kjo është një çështje që e tejkalon politikën.”
Zgjerimi i perandorisë së biznesit
Që kur babai i tyre në janar 2025 mori sërish detyrën, djemtë më të mëdhenj të presidentit i kanë zgjeruar interesat e tyre të biznesit shumë përtej hoteleve dhe fushave të golfit.
Kompanitë në të cilat kanë investuar ose në të cilat janë emëruar si këshilltarë, krahas pjesëve të pronësisë, përfshijnë një spektër të gjerë veprimtarish, nga kriptovalutat dhe tregjet e parashikimeve deri te furnizuesit federalë që prodhojnë pjesë për raketa dhe metale të rralla.
Trump Organization, në të cilën dy djemtë janë drejtorë ekzekutivë, nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por në të kaluarën i kanë hedhur poshtë pretendimet për konflikt interesi. Djemtë kanë deklaruar se mendojnë se nuk kanë marrë vlerësimin e duhur për përmbajtjen e tyre në zgjerimin e biznesit gjatë mandatit të parë të babait dhe kanë vendosur që këtë herë të mos kufizohen aq shumë.
Planet për të ardhmen
Ndërmarrja më e re e familjes Trump synon 1.1 miliardë dollarët që Pentagoni i ka caktuar për ndërtimin e bazës prodhuese amerikane për dronë të armatosur, në mënyrë që të mbulohet boshllëku i krijuar pasi administrata Trump ndaloi importin e këtyre mjeteve fluturuese nga Kina.
Kur u pyet drejtpërdrejt për konfliktin e mundshëm të interesit të Powerus, Eric Trump muajin e kaluar dërgoi këtë deklaratë për AP: “Jam jashtëzakonisht krenar që investoj në kompani ku besoj. Dronët janë qartazi vala e së ardhmes.”
Powerus, të cilën para rreth një viti e themeluan veteranë të operacioneve speciale amerikane, prodhon dronë për përdorim komercial, nga shpërndarja e plehrave deri te fikja e zjarreve pyjore, por po përshtatet me shpejtësi edhe për përdorim ushtarak.
Kompania së fundmi ka siguruar 60 milionë dollarë nga investitorët dhe shpreson për financim shtesë përmes një “marrjeje të kundërt” të një kompanie në pronësi të Trumpit, e listuar në bursën Nasdaq dhe që zotëron disa fusha golfi në Florida. Një bashkim i tillë i mundëson një kompanie private të dalë shpejt në bursë duke marrë nën kontroll një kompani tashmë të listuar publikisht, duke anashkaluar kështu procesin e gjatë të ofertës fillestare publike./TetovaNews















