Beti Njuma: Ne i duam dhe i çmojmë arbëreshët dhe historinë e tyre, por që të duash dikë apo diçka, më parë duhet ta njohësh. Ky është edhe thelbi i këtij libri: të njohim më mirë njëri-tjetrin, që të duhemi më shumë e më mirë, të bashkëpunojmë më shumë dhe të bëhemi një, si në ëndrrën e De Radës dhe të rilindësve të tjerë, të cilët ia kushtuan jetën dhe veprën çështjes shqiptare. Kështu shkruan studiuesi Fatmir Toçi në hyrje të kësaj monografie të jashtëzakonshme dhe voluminoze kushtuar arbëreshëve, me titull “Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë: vendbanimet, historia, kultura, ritet, objektet e kultit”.
Zoti Toçi, faleminderit që jeni në “Grusht librash” për këtë monografi, e cila në fakt është e dyta me këtë temë. Arbëreshët janë një temë shumë e dashur për ju dhe, në një farë mënyre, shpjegojnë gjithçka që lidhet me historinë e tyre, nga ngulimet e para 500 vjet më parë e deri në ditët tona. Pse arbëreshët? Pse kjo dashuri?
Fatmir Toçi: Së pari, dua t’ju falënderoj për interesimin. Sa herë që zgjohet interesim, sidomos nga media apo në nivel institucional, për arbëreshët e Italisë, kjo është një lloj shpërblimi që ata e kanë merituar prej kohësh, por që ndoshta duhet të jetë shumë më i madh. Sot jetojmë në një kohë kur asgjë nuk na pengon të jemi bashkë; në një kohë kur ne kemi nevojë të integrohemi, ndërsa ata janë integruar prej shekujsh për shkak të rrethanave historike. Mendoj se ende ka shumë për të bërë.
Sidomos sot, në kohën e globalizimit, i cili, ashtu si po dëmton shumë shoqëri në përgjithësi, po dëmton edhe shoqërinë arbëreshe, veçanërisht komunitetet e vogla. Zhvendosjet, shpërnguljet, emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm kanë krijuar një situatë që po ndikon drejtpërdrejt në zbehjen e gjuhës, identitetit, zakoneve dhe traditave, sepse po mungon baza shoqërore që i mban ata bashkë.
Duke qenë bashkë dhe, në një farë mënyre, më të izoluar nga vendasit, ata kanë arritur të na sjellin një pasuri të vyer e të pazakontë në historinë e Evropës, deri në ditët tona, si një muze i gjallë. Pra, si kanë qenë gjuha, zakonet, traditat dhe shenjat historike të një shoqërie shqiptare, të cilat kanë mundur të mbijetojnë vetëm në këtë komunitet, jo vetëm në Kalabri, por edhe në disa rajone të tjera të Italisë së sotme.
Beti Njuma: Ju përmendët identitetin, dhe identiteti është në themel të ekzistencës arbëreshe: zakonet, doket, gjuha, traditat, veshjet, mënyra si këndojnë, ritet, besimi…
Fatmir Toçi: Kjo është një e vërtetë e madhe dhe ndoshta gjëja më e prekshme që i bashkon shumë shpejt dy komunitetet tona. Unë do ta quaja një komb, edhe pse ata janë edhe italianë, sepse kanë kaluar rreth 20-25 breza që jetojnë në një shoqëri tjetër. E veçanta është se jetojnë në një shoqëri tërësisht të shkëputur nga vendi i origjinës.
Sot në botë nuk ka shtete kufitare që, me kufijtë e tyre, të mos kenë pakica kombëtare, gjuhësore apo identitare, sepse kufijtë zakonisht janë vendosur pas luftërave dhe gjithmonë më i forti ka krijuar hartën e re. Por e veçanta e arbëreshëve, unike në historinë dhe kulturën evropiane, është se ata kanë qenë tërësisht të shkëputur për pesë shekuj nga vendi amë, për shkak të historisë së Shqipërisë nën Perandorinë Osmane, e cila ishte vazhdimisht në konflikt me shtetet evropiane.
Prandaj, kjo është një vlerë jo vetëm shqiptare, por edhe evropiane. Duhet promovuar, mbështetur dhe ruajtur me çdo kusht. Në parathënien e librit kam përdorur një metaforë: imagjinoni, ata na kanë sjellë deri në ditët tona gjuhën, zakonet dhe traditat e kohës kur Skënderbeu fliste me popullin e vet. Dhe i kanë ruajtur ndoshta më mirë se ne.
Beti Njuma: I kanë ruajtur, sigurisht, sepse fati i tyre ishte që jetuan në një shoqëri më të civilizuar, në një shoqëri evropiane si ajo italiane, në krahasim me shoqërinë që mbeti brenda territorit të sotëm të Shqipërisë, e cila përfundoi nën pushtim.
Fatmir Toçi: Po, në një kuptim, kjo histori e bukur 500-vjeçare e arbëreshëve është një histori e dhimbshme e shpërnguljes, por njëkohësisht edhe histori e një fitoreje të madhe: e mbijetesës.
E vërteta është se, që kur ka lindur bota, migracioni ka qenë i pranishëm për arsye politike, ekonomike, fetare, kulturore. Ne e kemi përjetuar vetëm para pak dekadash, po ashtu me Italinë, e cila, si pesë shekuj më parë, na ka hapur dyert. Por të jesh emigrant do të thotë që jeta të bëhet një kalvar vështirësish të pafundme. Askush nuk e lë vendin, askush nuk i lë të mirat materiale që ka krijuar, pa qenë i detyruar. Kjo ka ndodhur edhe me arbëreshët.
Nuk është një histori e dëshiruar prej tyre, por një kalvar i imponuar, me humbje të jashtëzakonshme jetësh, që nga kalimi i detit me mjetet e asaj kohe e deri te vendosja e tyre. Në kundërshtim me shumë legjenda të krijuara, sipas të cilave ata erdhën, u pritën me krahë hapur dhe iu krijuan të gjitha kushtet, unë mendoj se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Mbretëria e Napolit dhe Venediku bënë përpjekje për t’i sistemuar, por me një kosto të jashtëzakonshme njerëzore, që u zgjat për disa breza. Emigranti mbetet emigrant, edhe për sa u përket të drejtave.
Sipas meje, kjo nuk është theksuar mjaftueshëm nga historiografia: mbijetesa e tyre erdhi edhe nga bashkëjetesa e fortë e brendshme, me komunikim shumë të kufizuar me vendasit, sidomos në dy-tre shekujt e parë, për shkak të rrethanave historike, sigurisë, luftërave, kushteve ekonomike, por edhe për shkak të dallimeve fetare mes ritit bizantin dhe ritit katolik. Kjo e bëri jetën e tyre brenda komuniteteve edhe më të mbyllur, sidomos në Kalabri dhe pjesërisht në Sicili, ku kishte shumë vendbanime pranë njëri-tjetrit.
Sot ekziston një ligj i vitit 1999 që njeh 50 vendbanime arbëreshe si pakicë gjuhësore. Kjo ka ndodhur shumë vonë, por ka sjellë një mbrojtje më të madhe. Megjithatë, sipas studimeve të mia, nuk kanë qenë vetëm këto 50 vendbanime. Gjatë pesë-gjashtë shekujve kanë qenë rreth 640 vendbanime arbëreshe: diku shumicë, diku tërësisht arbëreshe, diku pakicë. Janë spostuar, asimiluar, bashkuar me vendbanime të tjera, por kanë lënë kudo gjurmët e kulturës dhe historisë së tyre, që edhe sot i gjen në dokumente.
Beti Njuma: Ju thoni në libër se arbëreshët kanë qenë të shtrirë në të paktën 50 komuna në Itali, nga Veriu në Jug, dhe përmendni 563 ngulime të shtrira në 65 provinca, në 17 nga 20 krahinat italiane. Sot kanë mbetur vetëm 93 bashki arbëreshe, por sërish nuk janë pak.
Fatmir Toçi: Sigurisht. Këto janë zhvillime historike që lidhen kryesisht me faktorë ekonomikë, më pak politikë, por edhe fetarë, sepse gjithmonë ka pasur një klimë jo shumë miqësore mes dy riteve, sidomos nga vitet 1600 e në vazhdim. Ka pasur edhe një orientim nga vetë Papati i Romës që popullsitë emigrante në Itali, përfshirë arbëreshët, t’i nënshtroheshin ritit katolik. Kjo ishte një luftë e gjatë.
Këtu dua të përmend një figurë të madhe historike e fetare: Papa Klementi XI, Papa Albani, i cili drejtoi Selinë e Shenjtë nga viti 1700 deri më 1721. Ai ishte me origjinë arbëreshe; stërgjyshërit e tij ishin luftëtarë të Skënderbeut. Ishte rritur me dashuri për këtë komunitet dhe ka qenë ndër të parët që ndikoi në zbutjen e përplasjes, duke pranuar ritin bizantin të arbëreshëve dhe duke u dhënë të drejtën e ushtrimit të liturgjisë së tyre, fillimisht në greqishten e vjetër e më pas edhe në arbërishte, me kusht që të njihnin Papën si autoritet të besimit.
Kjo ndryshoi shumë në historinë e arbëreshëve. Më pas, idenë e tij e çoi më tej Papa Klementi XII, i cili hapi rrugën për krijimin e kolegjeve arbëreshe në Kalabri dhe Sicili, fillimisht për përgatitjen e priftërinjve të ritit bizantin, e më pas si shkolla të mirëfillta. Aty u formua një plejadë e jashtëzakonshme intelektualësh arbëreshë dhe shqiptarë, të cilët bënë të mundur që ky identitet të na vinte i paprekur deri në ditët tona.
Beti Njuma: Përveç botimeve të shumta, ju keni qenë drejtues i shtëpisë botuese “Toena”, që sot drejtohet nga Irena. I keni kushtuar shumë vëmendje botës arbëreshe. Kujtoj Institutin e Promocionit të Librit, udhëtimet e kolonive të piktorëve në Kalabri, ku kam qenë edhe unë njëherë, por edhe një nismë shumë të rëndësishme tuajën: kur ishit deputet, arritët të krijoni në Kuvendin e Shqipërisë një zyrë për marrëdhënie të drejtpërdrejta me këtë komunitet, e cila sot, për fat të keq, nuk është më aq aktive sa dikur.
Fatmir Toçi: Të jemi të sinqertë: faleminderit për konsideratën. Sot Irena e bën më mirë punën me botimet. Unë jam më i përkushtuar ndaj studimeve të mia, sepse kam gjetur aq shumë material, sa mendoj se do të ketë edhe libra të tjerë për t’ia paraqitur jo vetëm shqiptarëve, por mbarë botës. Bëhet fjalë për një trashëgimi historike dhe kulturore të jashtëzakonshme, që ne shqiptarët ende nuk e njohim sa duhet, si në dimensionin material, ashtu edhe në atë shpirtëror.
Unë jam dashuruar me botën arbëreshe, në kuptimin më të plotë të fjalës, që në vizitën time të parë në vendet arbëreshe. Kjo ndodhi në vitin 1999, pikërisht kur u miratua ligji italian për pakicat kombëtare. Isha pjesë e një vizite me ish-ministrin e Arsimit, z. Ethem Ruka, si dhe me përfaqësues të ministrive të Kulturës të Shqipërisë dhe Italisë. Gjatë asaj vizite ne pamë rreth 20 vendbanime arbëreshe. Ishte diçka e pabesueshme.
Ashtu si shumica e shqiptarëve, ne dinim vetëm dy këngë, por shumë pak për historinë, kulturën, dashurinë e tyre për Shqipërinë dhe adhurimin për Skënderbeun. Aty më lindi ideja. Ende nuk isha deputet, isha botues, por mendova se ishte thuajse krim që ne ta njihnim kaq pak botën arbëreshe. Fillimisht doja të bëja një guidë të shkurtër, për t’ua treguar shqiptarëve këtë botë si “Meka e Shqipërisë”.
Më pas, kur hyra në Parlament, bisedova me kryetarin e Kuvendit të kohës, z. Ilir Meta, dhe me z. Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar. U thashë: “Ne kemi grupe parlamentare për marrëdhënie me vende të ndryshme të botës; pse të mos kemi një grup për marrëdhëniet me arbëreshët?”. Është një botë që na bën krenarë, që na mëson si ruhet identiteti dhe sa fanatikë duhet të jemi për të ruajtur vlerat kombëtare. Kështu lindi kjo nismë dhe u miratua.
Që prej asaj kohe, vizitat në Kalabri e Sicili, pjesëmarrjet në festa kombëtare, festivale, konferenca, katedra të gjuhës shqipe në Kozencë e Sicili, më bënë ta njoh më thellë këtë botë. Sa më shumë shkoja, aq më shumë shtohej materiali, dhe prej andej lindën këta libra, me synimin për t’ua dhënë shqiptarëve historinë e arbëreshëve dhe për të krijuar ura jo vetëm kulturore, por edhe turistike e tregtare.
Shqiptarët shkojnë në Itali, në plazhe të bukura, në Greqi që e kemi afër, por nuk shkojnë sa duhet në Kalabri, që është një mrekulli, ku arbëreshët kanë dhënë kontribut të madh në turizëm, në bujqësi dhe në kulturë. Për ne është afër: rreth katër orë e gjysmë me traget nga Vlora. Unë mendoj se ne ende nuk po bëjmë atë që duhet, sidomos në një moment shumë të vështirë për gjuhën arbëreshe.
Për shkak të emigracionit, shkollimit dhe punësimit jashtë vendbanimeve arbëreshe, baza që e mbajti gjallë gjuhën, familja, po dobësohet. Të moshuarit mbeten vetëm, fëmijët largohen me prindërit në qytete të tjera, ku mësojnë italishten dhe anglishten. Gjuha po humbet.
Ne kemi dy shtete shqiptare dhe një prani të rëndësishme shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Mendoj se duhet të bëjmë shumë më tepër për ta ruajtur këtë pasuri të rrallë, këtë krenari të identitetit tonë kombëtar. Së fundi është bërë një përpjekje nga katedra e Kozencës, me profesor Francesco Altimari në krye, që kjo trashëgimi kulturore – folklori, gjuha, zakonet, traditat – të njihet nga UNESCO me emrin “Moti i Madh”. Ka kaluar fazën e parë të miratimit, që është një lajm shumë i madh. Por, paradoksalisht, gjithë kjo vëmendje mund të bëjë që njerëzit të shkojnë atje e të gjejnë gjithnjë e më pak njerëz që flasin arbërisht.
Sot gjuha arbëreshe nuk mësohet më në shkolla si dikur. Ka vetëm një gjimnaz në Shën Mitër Koronë ku bëhen dy orë në javë arbërisht. Për më tepër, arbërishtja është e fragmentizuar në dialekte, sepse komunitetet kanë ardhur nga krahina të ndryshme dhe secili vendbanim ka ruajtur të folmen e vet. Është një gjuhë e folur më shumë sesa e shkruar.
Prandaj dua të bëj një thirrje publike: ne nuk po e ruajmë dot këtë thesar, gjuhën arbëreshe, por nuk po e përhapim as shqipen standarde. Duhet një politikë serioze që gjuha shqipe të mësohet në shkollat e Kalabrisë dhe Sicilisë. Duhet një lëvizje institucionale. Për fat të mirë, marrëdhëniet tona me Italinë janë ndër më të mirat.
Beti Njuma: Arbëreshët kanë tradita, këngë e valle të bukura, që ruhen edhe sot. Por kanë edhe një komunitet me shumë figura të njohura. Ju përmendët Papën, por ka edhe profesorë, politikanë, aktorë në të gjithë botën me prejardhje arbëreshe. Kryeministri i parë i Italisë së bashkuar ishte nga Siçilia dhe ishte arbëresh. Për gjashtë vjet, në dy mandate, ai luajti rol të madh edhe për shqiptarët dhe për ruajtjen e gjuhës. Kolegji i Shën Mitrit ka nxjerrë mbi 100 figura të njohura shqiptare para Pavarësisë. De Rada, Serembe… Ata themeluan letërsinë e Rilindjes shumë kohë përpara nesh.
Fatmir Toçi: Pikërisht. Kjo tregon se çfarë roli ka pasur ndikimi i kulturës italiane dhe i një shoqërie të kultivuar si Italia. Arbëreshët arritën jo vetëm ta ruanin identitetin, por edhe të ndërtonin një bashkëjetesë të suksesshme me italianët. Ata janë njëkohësisht arbëreshë dhe italianë.
Në fund, dua të përmend edhe materialin fotografik të këtij studimi. Janë rreth 400 fotografi, të gjitha të realizuara prej meje. Çdo gjë që kam shkruar në libër, e kam prekur dhe e kam vizituar vetë. Nëse sot flasim për 588 vendbanime, në ribotimin që po përgatis do të jenë 640 vendbanime që kanë qenë arbëreshe. Unë kam vizituar të paktën 99% të tyre. Kam fotografuar me aparat dhe dron, kam kontaktuar pushtetin vendor, njerëzit e kulturës, sidomos të moshuarit, që janë memoria e gjallë e botës arbëreshe. Çdo gjë që është shkruar aty është e verifikuar dhe e certifikuar.
Beti Njuma: Fatmir, ju falënderoj shumë për këtë kontribut të vyer. Ju uroj edhe për çmimin që sapo morët nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Shpresoj që ky kontribut të vijojë edhe me botime të tjera.
Fatmir Toçi: Faleminderit shumë. Sa i takon Presidentes së Kosovës, ajo ka qenë një nga figurat e larta shtetërore që ka shkuar në Arbëri jo thjesht si presidente, por si një bijë e Kosovës për të vizituar vendet arbëreshe. Kur ia dërgova librin, më telefonoi dhe më tha se kudo që kishte shkuar, e kishin pyetur: “A e more Fatmirin me vete?”. Ishte një vlerësim që më preku.
Po e mbyll me përshëndetjen e famshme arbëreshe: “Të rrini mirë! Të rrini mirë! Të rrini mirë!”
Beti Njuma: Faleminderit shumë.















