Ballina Bota Arabia Saudite nis shërbimin “Haxh pa bagazh” për pelegrinët

Arabia Saudite nis shërbimin “Haxh pa bagazh” për pelegrinët

Arabia Saudite ka prezantuar një shërbim të ri inovativ për sezonin e Haxhit 2026, të quajtur “Hajj Without Luggage” (Haxh pa bagazh), i cili u mundëson haxhilerëve të dërgojnë valixhet drejtpërdrejt nga shtetet e tyre në hotelin ku do të akomodohen në Mbretëri.

Sipas Ministrisë së Haxhit dhe Umres, iniciativa synon të lehtësojë udhëtimin dhe të zvogëlojë ngarkesën fizike dhe logjistike gjatë pelegrinazhit.

Në praktikë, bagazhet do të merren në aeroportet e nisjes nga kompani të specializuara, do të transportohen drejt Arabisë Saudite dhe më pas do të dërgohen direkt në hotelet e pelegrinëve në Mekë dhe Medinë. Kjo do t’u mundësojë haxhilerëve që pas mbërritjes të mos presin për valixhet në aeroport, por të vazhdojnë menjëherë drejt autobusëve të transportit.

Sistemi po zbatohet në bashkëpunim me Autoritetin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil, platformën Nusuk, kompaninë Matarat Holding, sistemin HalaBag, si dhe Saudi Post, që do të kujdeset për logjistikën e bagazheve.

Sipas autoriteteve saudite, kjo pritet të reduktojë ndjeshëm tollovitë në aeroportet e Xhedës dhe Medinës gjatë periudhës kulmore të Haxhit.

Eksperti i sektorit të Haxhit dhe Umres, Bader Al-Juaid, tha se iniciativa përfaqëson “një ndryshim thelbësor në mënyrën se si mendohet shërbimi ndaj pelegrinit”, duke e zhvendosur fokusin nga thjesht transporti në krijimin e një eksperience më të qetë dhe më komode.

Bader Al-Juaid, anëtar i komitetit këshillimor për departamentin e mikpritjes në Kolegjin e Turizmit të Universitetit King Abdulaziz.

Ai zbuloi se ideja nisi fillimisht në vitin 2017, si pjesë e Makkah Route Initiative, për një grup të kufizuar pelegrinësh nga Malaysia, ndërsa tani është zgjeruar në një program shumë më të madh.

Edhe eksperti dhe investitori i sektorit, Saad Al-Qurashi, tha se shërbimi është testuar gjatë dy sezoneve të fundit dhe ka dhënë rezultate shumë pozitive, sidomos për të moshuarit dhe grupet e mëdha.

Kompania ajrore saudite Saudia njoftoi se do të përfshihet në skemë dhe se shërbimi do të mbulojë mbi 400,000 pelegrinë në rrjetin e saj me 145 destinacione.

Ndërkohë, autoritetet presin që sistemi të menaxhojë rreth 1.1 milionë bagazhe nga shtatë shtete pjesëmarrëse në iniciativën Makkah Route, me dorëzim në hotelet e Mekës brenda 24 orëve./TetovaNews