Ministria e Brendshme e Turqisë njoftoi se numri i sirianëve që ndodhen në Turqi me status të mbrojtjes së përkohshme është 2 milionë e 280 mijë e 542. Ndërsa numri i sirianëve që janë kthyer vullnetarisht pas 8 dhjetorit 2024 është 667 mijë e 565.
Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme u tha se në disa media janë bërë vlerësime se “të dhënat zyrtare dhe deklaratat lidhur me numrin e kthimeve vullnetare drejt Sirisë nuk përputhen me njëra-tjetrën”.
Në deklaratë u theksua se të dhënat e ndara me publikun nga ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, përfshijnë numrin total të kthimeve vullnetare të realizuara që nga viti 2016.
Në njoftim thuhet:
“Brenda këtij kuadri, që nga viti 2016 e deri më sot, numri i sirianëve që janë kthyer nga vendi ynë në mënyrë vullnetare, të sigurt, dinjitoze dhe të rregullt është 1 milion e 407 mijë e 568. Sipas të dhënave aktuale të Drejtorisë së Menaxhimit të Migracionit, numri i sirianëve që ndodhen në vendin tonë me status të mbrojtjes së përkohshme është 2 milionë e 280 mijë e 542, ndërsa numri i sirianëve që janë kthyer vullnetarisht pas datës 8 dhjetor 2024 është regjistruar si 667 mijë e 565.
Sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, që nga data 8 dhjetor 2024, vlerësohet se në të gjithë rajonin gjithsej 1 milion e 630 mijë e 874 sirianë janë kthyer në vendin e tyre. Kur shihet shpërndarja e kthimeve sipas vendeve, Turqia renditet e para me 639 mijë e 995 persona.”
Në deklaratë u theksua se këto të dhëna janë përftuar nga analizimi i përbashkët i kalimeve kufitare, raporteve të lëvizjeve të popullsisë dhe burimeve të ndryshme të të dhënave. Gjithashtu u nënvizua se krahasimi i të dhënave që u përkasin datave të ndryshme sikur të ishin të së njëjtës periudhë është një qasje e largët nga realiteti dhe çorientuese.















