Ballina Kronika MPB: Shtatë persona arrestohen për dhunë në familje brenda 24 orëve

MPB: Shtatë persona arrestohen për dhunë në familje brenda 24 orëve

Shtatë persona janë arrestuar për dhunë në familje, ndërsa me një person është zhvilluar bisedë zyrtare; gjithsej janë regjistruar nëntë denoncime gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.

Zyrtarë policorë nga Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë kanë arrestuar dy kumanovarë, të moshës 49 dhe 34 vjeç, për shkak të sulmeve fizike ndaj nënës dhe bashkëshortes së tyre.

Zyrtarë policorë nga SPB Shkup e kanë arrestuar I.B., 40 vjeç, pas një denoncimi të mëparshëm se në shtëpinë familjare në zonën e Karposhit i kishte drejtuar kërcënime nënës së tij 68-vjeçare, edhe pse ndaj tij kishte vendim nga Gjykata Themelore Civile në Shkup për largim nga shtëpia dhe ndalim afrimi.

Është arrestuar edhe B.A., 45-vjeçar nga Shkupi, pas një denoncimi se mbrëmë rreth orës 22:00, në shtëpinë e tij në zonën e komunës së Aerodromit, kishte sulmuar fizikisht partneren e tij 33-vjeçare nga Shkupi dhe e kishte kërcënuar me armë zjarri. Sipas denoncimit, ai edhe më parë kishte qenë i dhunshëm ndaj saj, por ajo deri tani nuk e kishte denoncuar.

Dje në Shkup është arrestuar edhe B.Xh., 34-vjeçar nga Shkupi, pas një denoncimi se në shtëpinë familjare në zonën e Bit Pazarit kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 41-vjeçare. Sipas denoncimit, ai edhe më parë e kishte maltretuar fizikisht dhe psikikisht.

Zyrtarë policorë nga SPB Shkup herët në mëngjes kanë arrestuar një 16-vjeçar nga kryeqyteti, pas një denoncimi se rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, në shtëpinë familjare në zonën e Qendrës, kishte sulmuar fizikisht babanë e tij 50-vjeçar.

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar bisedë zyrtare me S.D., 33-vjeçar nga rajoni i Shkupit, pas një denoncimi se më 8 maj rreth orës 18:00, në shtëpinë familjare, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe e kishte kërcënuar me një mjet të mprehtë. Sipas denoncimit, ajo gjatë pesë viteve të fundit ishte maltretuar psikikisht dhe fizikisht nga bashkëshorti, por deri tani nuk e kishte denoncuar.

“Sot, një grua 37-vjeçare nga Shkupi ka denoncuar se dje rreth orës 01:00, në një objekt akomodimi në zonën e Bit Pazarit, ishte sulmuar fizikisht nga partneri i saj G.K. nga Turqia. Ndërkaq, zyrtarë policorë nga SPB Shtip e kanë arrestuar A.V., 44-vjeçar me qëndrim në Shtip, pas një denoncimi nga bashkëshortja e tij 41-vjeçare se dje në shtëpinë familjare, pas një debati mes tyre, i denoncuari e kishte shtyrë djalin e tyre të mitur”, thuhet në njoftim.

Po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve dhe, pas dokumentimit të plotë të tyre, siç theksohet, kundër autorëve do të parashtrohen kallëzime përkatëse.