Ballina Kronika Tre të vdekur e 11 të lënduar në tri aksidente brenda ditës...

Tre të vdekur e 11 të lënduar në tri aksidente brenda ditës në Kosovë (VIDEO+FOTO)

Tri aksidente tragjike kanë ndodhur të hënën, më 18 maj 2026, në rrugët e Kosovës, duke lënë tre persona të vdekur dhe 11 të lënduar.

Aksidenti i parë fatal ndodhi rreth orës 04:55 në fshatin Dollc të Klinës. Një veturë, në të cilën ndodheshin pesë anëtarë të një familjeje, ra në një gropë të hapur gjatë punimeve në rrugë. Shoferi vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa katër pasagjerët u dërguan për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Policia po e trajton rastin si vetaksident.

Aksidenti i dytë me fatalitet ndodhi rreth orës 11:50 në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë. Një 74-vjeçar, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, ndërroi jetë rreth orës 14:00 në QKUK. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë u dërgua për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Rreth 20 minuta më vonë, në orën 12:15, një tjetër aksident fatal ndodhi në fshatin Koshare të Ferizajt, ku u përfshinë dy vetura me targa vendore. Si pasojë, humbi jetën një burrë 60-vjeçar, vdekja e të cilit u konfirmua në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor. Dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta.

Hetimet për të tria rastet po vazhdojnë.

NJOFTIM MORTOR Me pikëllim të thellë njoftojmë miqtë, shokët dhe dashamirët se i dashuri ynë: DRITON (ISA) HALITI Tragjikisht ndërroi jetë më 18.05.2026, në moshën 43 vjeçare, duke na lënë përjetë të pikëlluar. Varrimi i të ndjerit bëhet më 19.05.2026, në varrezat e Qytetit, në orën: 17:00. Funeral nisët nga shtëpia e të ndjerit, Rr. Sak Fazlia, Nr.32. Pejë, më 18.05.2026 Të pikëlluarit: Familja Haliti.

Trishtim në Pejë: 43-vjeçari që vdiq në aksidentin në Dollc ishte zyrtar shtetëror
Driton Haliti, 43-vjeçar, vdiq sot në fshatin Dollc të Klinës, vendin ku shkaktoi një vetaksident me veturë.
Si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e veturës, Haliti vdiq në vendin e ngjarjes sot rreth orës 05:00 të mëngjesit.
Vdekjen e 43-vjeçarit e konstatoi një ekip mjekësor që iu përgjigj thirrjes për intervenim në aksident, bëri të ditur Policia e Kosovës në një njoftim për media.
Një 60-vjeçar ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti në fshatin Koshare të Ferizajt. Klankosova.tv merr vesh se viktima është Izet Haxha. Gjatë ditës, policia njoftoi se aksidenti fatal ndodhi mes dy automjeteve.