Ballina Aktualitet Zhvillohet aksion pastrimi në fshatin Brodec në kuadër të “Generalka Weekend”

Zhvillohet aksion pastrimi në fshatin Brodec në kuadër të “Generalka Weekend”

Në kuadër të iniciativës mbarëkombëtare “Generalka Weekend”, në fshatin Brodec po zhvillohet një aksion i madh pastrimi, me qëllim mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe ngritjen e vetëdijes qytetare për menaxhimin e duhur të mbeturinave.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë zëvendësambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Mathias Humenberger; kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami; përfaqësues të kompanisë Saubermacher; pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut; përfaqësues të Parkut Kombëtar Mali Sharr, si dhe qytetarë, aktivistë dhe vullnetarë të shumtë.

Aksioni është përqendruar në pastrimin e zonave të ndotura në Brodec, largimin e deponive ilegale dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme për mbrojtjen e natyrës. Pjesëmarrja e institucioneve dhe e partnerëve ndërkombëtarë dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit në adresimin e sfidave mjedisore.

Një rol kyç në realizimin e këtij aksioni ka kompania Saubermacher, e cila, si operator i specializuar për menaxhimin e mbeturinave, siguron mbështetje logjistike, si dhe grumbullimin dhe deponimin e duhur të mbeturinave të mbledhura. Përmes përvojës dhe kapaciteteve të saj profesionale, Saubermacher kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit jetësor dhe në promovimin e standardeve moderne të menaxhimit të mbeturinave.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, riafirmoi se Komuna mbetet e përkushtuar për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët. Ai shtoi se aksione të tilla janë thelbësore për ngritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet.

“Ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe këto iniciativa tregojnë se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve mund të sjellë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme”, theksoi Mathias Humenberger, zëvendësambasador i Austrisë në Maqedoninë e Veriut.

“Mali Sharr është një pasuri natyrore që duhet ta ruajmë së bashku. Këto aksione tregojnë se me koordinim dhe përkushtim mund të arrijmë rezultate konkrete në mbrojtjen e mjedisit. Apelojmë që kjo përgjegjësi të reflektohet edhe në përditshmëri, për të siguruar ruajtjen afatgjatë të natyrës”, potencoi drejtori i Parkut Kombëtar Mali Sharr, Evzal Elmazi.

Drejtori i kompanisë Saubermacher, Arsim Fidani, theksoi se përgjegjësia për një mjedis të pastër nuk është vetëm institucionale, por është përgjegjësi e përbashkët, përfshirë edhe qytetarët. Sipas tij, Saubermacher mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit modern dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave. Ai shtoi se bashkëpunimi me komunën dhe aktivitetet ndërgjegjësuese janë kyçe për arritjen e rezultateve afatgjata, ndërsa ky aktivitet është shembull i mirë se si, përmes veprimeve të përbashkëta, mund të mbrohet natyra.

“Generalka Weekend” përfaqëson një nga iniciativat më të mëdha të pastrimit në vend, duke mobilizuar qytetarët, institucionet dhe sektorin privat për një qëllim të përbashkët: një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë.

Ky aksion njëkohësisht dërgon një mesazh të qartë për rëndësinë e kujdesit ndaj natyrës dhe përgjegjësisë së përbashkët për mbrojtjen e saj.

Gjithsej, në aksionin e sotëm u grumbulluan dhe u transportuan 2.5 tonë mbeturina. Aksioni për pastrimin e lokaliteteve në afërsi të fshatit Brodec do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve në vijim.