Gazetarja dhe shkrimtarja polake Margo Rejmer ka publikuar një status të gjatë e kritik, ku ajo godet drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe mënyrën se si është ndërtuar modeli ekonomik dhe politik i Shqipërisë.
Në qendër të postimit të saj janë akuza të forta për lidhje të pushtetit me pastrimin e parave dhe krimin e organizuar, të cilat ajo i lidh me zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe investimet e mëdha në vend.
“Dhjetëra mijëra shqiptarë po protestojnë sepse modeli i zhvillimit të vendit, i bazuar në investime luksoze dhe pastrim parash të pista, nuk ka sjellë kurrë mirëqenie në asnjë vend. Për njerëzit e zakonshëm kjo sjell vetëm degradim: çmimet e ushqimeve dhe qirave rriten në mënyrë të frikshme, ndërsa monedha shqiptare është e mbivlerësuar në mënyrë të papërshtatshme kundrejt euros. Biznesmenë të lidhur me mafian ndërtojnë komplekse apartamentesh, “parkohen” paratë dhe çmimet fryhen artificialisht. Një ndërmjetës me të cilin fola së fundmi tha: “Palermo e viteve ’70. Shqipëria është kthyer në një kantier gjigant ndërtimi”, shkruan Rejmer.
Ajo vë në pikëpyetje edhe rolin e institucioneve shtetërore, duke sugjeruar se miratimi i investimeve të mëdha kalon përmes strukturave të centralizuara të vendimmarrjes politike, duke e vendosur përgjegjësinë në nivelet më të larta të qeverisjes.
Një pjesë e rëndësishme e statusit i kushtohet edhe asaj që ajo e quan “The Albanian Files”, të cilin e përshkruan si dëshmi jo vetëm të korrupsionit shqiptar, por dhe një provë se si pastrimi i parave ndodh në shkallë gjigante.
““The Albanian Files” nuk është vetëm një dëshmi e korrupsionit shqiptar dhe e mënyrës si pastrimi i parave ndodh në shkallë gjigante. Është gjithashtu një dëshmi e korrupsionit moral të yjeve të arkitekturës – Winy Maas, Stefano Boeri, Bjarke Ingels dhe të tjerë – të cilët në vitet e fundit kanë ndërtuar fasadën e ndritshme të “suksesit ekonomik” të Shqipërisë. Pse askush prej tyre nuk ka pyetur veten si një vend i varfër ka kaq shumë para për qindra investime dhe kulla gjigante?
Asnjë arkitekt shqiptar nuk përmendet në “The Albanian Files”. Edi Rama ka punuar vetëm me emra të huaj të njohur, duke u paraqitur si një lider vizionar që sjell botën e madhe në një vend të prapambetur të Ballkanit… të gjithë i ka tejkaluar Reinier de Graaf, arkitekti holandez, i cili në “Albanian Files” shprehet se do të donte që Rama të bëhej mbret i Shqipërisë”, shkruan gazetarja.
Pyetja që gazetarja polake shtron në fund është nëse vetë SPAK do arrijë t’i bashkojë fijet për të arritur deri te Rama.
“Dhe duke lidhur pikat: Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar për Territorin dhe Ujërat, komisioni që miraton çdo investim në Shqipëri, jep leje ndërtimi dhe vlerëson çdo projekt. Asnjë investim nuk ndodh pa miratimin e kryeministrit. E gjithë kjo shihet në pëllëmbë të dorës. Tani e gjithë Shqipëria po pyet: a do t’i lidhë SPAK këto pika”, vijon gazetarja.















