Ballina Kultura Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta piktori i njohur

Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta piktori i njohur

Shuhet një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor  shqiptar. Piktori dhe studiuesi Kujtim Buza. Buza u nda nga jeta mbrëmjen e të enjtes duke lënë në trishtim familjen, miqte, të njohurit dhe dashamirësit e artit të tij.

Kujtim Buza i përkiste një familje  me tradita të forta patriotike nga Gjakove,  të  lidhur me artin ndër breza.  Piktori ishte i biri i Abdurrahim Buza, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare.

Ai e njohu pikturën që në fëmijëri, u rrit me të, studio dhe i kushtoi të gjithë jetën.

Vepra të Kujtim Buzës ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe janë  pjesë e trashëgimisë  kulturore të vendit.

Për kontributin e tij në artet pamore shqiptare, në vitin 1983 u vlerësua me titullin “Piktor i Merituar”.

Për ndarjen nga jeta të piktorit, ka reaguar edhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja.<

“Me trishtim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Kujtim Buzës, piktor, studiues dhe një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor shqiptar.

Publicitet

Kujtim Buza i përkiste një familjeje që është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e artit tonë. Bir i Abdurrahim Buzës, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare, ai u rrit pranë artit dhe e vijoi këtë trashëgimi me rrugëtimin e vet krijues, duke ndërtuar një profil dhe një kontribut të spikatur në jetën artistike të vendit.

Nga studioja ku dikur pikturonte pranë të atit, te krijimtaria e tij shumëvjeçare, drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe angazhimi në jetën kulturore të vendit, Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë. Veprat e tij, të pranishme edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, janë pjesë e një trashëgimie që pasuron kujtesën tonë kulturore.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Buza, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit të artistëve.
U prehtë në paqe! “, shkruan Gonxhja.