Ballina Lajme ÇËSHTJA E SHËN NAUMIT DHE E VERMOSHIT (1921 – 1926)/ “MARRËVESHJE” TRAGJIKE...

ÇËSHTJA E SHËN NAUMIT DHE E VERMOSHIT (1921 – 1926)/ “MARRËVESHJE” TRAGJIKE NË DËM TË SHQIPTARËVE

Nga Xhelal Zejneli

Është një konflikt midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene për përkatësinë e Shën Naumit dhe të zonës së Vermoshit. Ky konflikt ka lindur nga interpretimi i vendimit të Konferencës së Londrës të datës 11 gusht 1913, që i kishte përfshirë ato brenda kufijve të Shqipërisë. Edhe Konferenca e Ambasadorëve në Paris, me vendimin e saj të 9 nëntorit të vitit 1921 rinjohu Shqipërinë si shtet të pavarur dhe tërësinë tokësore të saj, në pajtim me vendimet e Konferencë së Londrës. Për përcaktimin në vend të kufijve, Konferenca e Ambasadorëve në Paris ngriti një komision (Komisioni i kufijve) i cili u gjend përpara pretendimeve të qeverisë së Beogradit, sipas të cilave Vermoshi dhe Manastiri i Shën Naumit duhet të përfshihen në kufijtë jugosllavë. 

Ndërkohë, pala shqiptare mbronte vendimin e Konferencës së Londrës. Për zbatimin e vendimeve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Parisit për kufijtë e Shqipërisë, Lidhja e Kombeve krijoi gjithashtu një komision hetimor të paanshëm. Të dy komisionet u shprehën në favor të Shqipërisë. 

Pasi shqyrtoi konfliktin, Konferenca e Ambasadorëve më 6 dhjetor 1922 vendosi që Shën Naumi të përfshihej në kufijtë e shtetit shqiptar. Në 4 shtator 1924, këtë vendim Lidhja e Kombeve ia përcolli për gjykim juridik Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila e vlerësoi të rregullt. 

Megjithëkëtë, fundi i vitit 1924 e gjeti konfliktin të hapur për shkak se pala jugosllave e kundërshtoi vendimin e Konferencës dhe nuk e pranoi vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare. 

Në janar të vitit 1925, Ahmet Zogu iu drejtua Konferencës së Ambasadorëve me kërkesën që të rishqyrtohet çështja e përcaktimit të kufirit shqiptaro-jugosllav. Ky ishte një lëshim që bënte qeveria shqiptare për ndihmën e dhënë nga qeveria e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, për rikthimin e Ahmet Zogut në fuqi

Konferenca kërkoi që për çështjet kufitare të diskutueshme, dy qeveritë të angazhohen për të arritur marrëveshje. 

Publicitet

Pas bisedimeve të gjata midis dy palëve, u arrit marrëveshje përkatëse. Qeveria dhe parlamenti i Shqipërisë pranuan t’ia lëshonin Jugosllavisë Shën Naumin dhe Vermoshin. 

Në këmbim të tyre, Shqipëria do të përfitonte në kufijtë e saj fshatin e Peshkëpisë me 60 shtëpi dhe 300 frymë, fushën e Çërravës dhe disa sipërfaqe të tjera të vogla në zonën e Pogradecit.

Protokolli mbi kufijtë e Shqipërisë u nënshkrua në Firence më 26 korrik 1926, nga anëtarët e Komisionit të kufijve dhe nga përfaqësuesit e Shqipërisë, të Jugosllavisë dhe të Greqisë. Kjo marrëveshje njihet si “Protokolli i Firences – 1926.” 

Më 30 korrik 1926, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, bashkë me këta përfaqësues, nënshkruan aktin përfundimtar të përcaktimit të kufijve, të regjistruar më pas edhe në Lidhjen e Kombeve.         

*   *   *

Manastiri i Shën Naumit – është një nga manastiret më të njohura. Ndodhet dhjetë kilometra në lindje të Pogradecit, në bregun lindor të liqenit. Manastiri i kushtohet kryeengjëllit Mëhill. U ndërtua rreth vitit 900 nga Naumi, i cili punoi, vdiq dhe u varros atje në vitin 910. Nga kisha e vjetër kanë mbetur vetëm themelet në trajtë trikonke (trifletësh). Kisha e sotme është ngritur mbi të parën rreth shekullit XVI. Në të gjenden edhe fragmente freskash të piktorit të shekullit XVI Nikollës së Onufrit. Vlerë të veçantë ka ikonostasi prej druri i zbukuruar me gdhendje të stilizuara dhe me ikona të vitit 1711 të Konstandin Jeromonakut*, piktor i fundit i shekullit XVII dhe i fillimit të shekullit XVIII i cili ka punuar në zonën e Korçës (Vithkuq, Voskopojë) dhe Elbasan. Shquhet për elemente baroke perëndimore, të cilat ushtruan ndikim te piktorët e mëvonshëm. Piktura murale e kishës është vepër e vitit 1806 e Tërpo Korçarit*, i biri i Athanas Zografit* Është e pikturuar edhe kisha e vogël, një ndërtim i mëvonshëm. Në brezin e sipërm shtjellohet cikli i mrekullive të Naumit, ndërsa poshtë janë figurat në këmbë. Mbi arkivolin e Naumit, në një kompozim origjinal, paraqitet vdekja e tij. Midis figurave që vajtojnë, dallohet Klementi i Ohrit*. Shën Naumi ka pasur një bibliotekë të pasur që u dogj bashkë me konakët e murgjve. 

Shënim: Kostandin Jeromonaku ka qenë piktor dhe murg i ikonografisë pasbizantine i shekullit XVIII. Zhvilloi veprimtari rreth viteve 1692–1726. Punoi kryesisht në Voskopojë dhe në zonat përreth, duke krijuar ikona në dru me stil të veçantë.

Shënim: Tërpo Korçari (i njohur si Tërpo Zografi) ka qenë piktor, ikonograf dhe krijues freskash. I përket fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Lindi në Korçë.  Ishte i biri i ikonografit të njohur Kostandin Zografit*. Vazhdoi traditën artistike të familjes Zografi. Punoi në vitet 1782 – 1819. Në veprat e tij shpesh shkruante: “Tërpo me dorën e tij, si djali i piktorit Konstandin nga Korça”.

Shënim: Vëllezërit Kostandin Zografi dhe Athanas Zografi ishin piktorë shqiptarë të shekullit XVIII nga Dardha e Korçës. Konsiderohen piktorët më të shquar të artit të ikonave shqiptare pasbizantine të shekullit XVIII dhe përgjithësisht të rajonit të Epirit.

Shënim: Klementi i Ohrit (840-916) ka qenë peshkop bullgar, i nderuar nga kisha ortodokse dhe katolike, i nderuar si shenjtor. Në kalendarin gregorian kujtohet më 27 korrik kurse në atë julian më 9 gusht.  

*   *   *

Me marrëveshjen dypalëshe të vitit 1926 ndërmjet qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe qeverisë së Ahmet Zogut (1895-1961), manastiri i Shën Naumit dhe territori i tij i kaluan asaj mbretërie. Sot i përkasin Maqedonisë.