ULTRA TË PASURIT, NJË BOTË MË VETE (1/6) – Shkrimtari dhe skenaristi i njohur Noah Hawley u ftua disa vite më parë nga themeluesi i Amazon-it në një takim të madh privat. Ajo fundjavë e pazakontë i dha mundësinë të shihte nga afër efektet psikologjike të një pasurie marramendëse. Sipas rrëfimit të tij në revistën The Atlantic, Jeff Bezos dukej i shkëputur nga bota dhe nga pasojat e veprimeve të veta, deri në pikën e mungesës së empatisë — një vlerë që disa miliarderë të teknologjisë kanë filluar madje ta paraqesin si dobësi.
Nga Noah Hawley
Burimi origjinal: The Atlantic
Në fund të filmit There Will Be Blood të Paul Thomas Andersonit, të vitit 2007, manjati i naftës Daniel Plainview, i interpretuar nga Daniel Day-Lewis, tashmë i pasur si Krezusi, e godet për vdekje pastorin Eli Sunday, të luajtur nga Paul Dano, me një kunj bowlingu.
Pastori kishte qenë armiku i tij i betuar gjatë viteve vendimtare në të cilat Plainview ndërtoi pasurinë e tij dhe tani kishte ardhur t’i shiste tokat naftëmbajtëse që manjati dikur i lakmonte.
Por Plainview nuk ka më nevojë për ato toka. Siç shpjegon në një nga monologët më të famshëm të kinemasë bashkëkohore, ai tashmë e ka thithur të gjithë naftën që ndodhej nën to, nga një pronë fqinje, sikur të kishte pirë një milkshake me pipëz.
I dëshpëruar financiarisht, Eli i lutet t’i japë një hua.
Si përgjigje, Plainview e ndjek nëpër sallën e bowlingut dhe e vret me një kënaqësi të dukshme.
Pasi kryen krimin, një shërbëtor vjen të shohë se çfarë e shkaktoi gjithë atë zhurmë.
“Përfundova!”, bërtet Plainview.
Në një kohë kur pasuritë e mëdha kanë arritur nivele marramendëse, ultra të pasurit duken gjithnjë e më të shkëputur nga njerëzit e zakonshëm, duke jetuar në një hapësirë sociale — madje edhe psikologjike — më vete.
Kjo është tema e kësaj serie artikujsh, që shqyrton mënyrën e veçantë të jetesës së tech bros në Shtetet e Bashkuara, obsesionet e miliarderëve kinezë dhe rusë, si edhe mënyrën e shpenguar me të cilën të pasurit e rinj argjentinas flasin për pasurinë e tyre.
Edhe pse filmin There Will Be Blood mund ta shoh pafundësisht — dhe është një nga filmat e mi të preferuar — kurrë nuk kam menduar se “Përfundova!” do të thotë: “Mbarova! Veprimet e mia do të kenë pasoja.”
Përkundrazi.
Ky “Përfundova!” do të thotë se Plainview ka arritur në fund të ëndrrës së tij për pasuri dhe pushtet dhe është ngjitur përtej çdo forme morali.
Me fjalë të tjera, ai ka “përfunduar” së shtiruri sikur rregullat e shoqërisë njerëzore vlejnë edhe për të.
Një flotë avionësh privatë
Në vitin 2018, u ftova në fundjavën “Campfire” të Jeff Bezos në Santa Barbara, Kaliforni.
Është një takim që zhvillohet çdo vit, ku themeluesi i Amazon-it fton rreth 80 njerëz — të famshëm, artistë, intelektualë dhe këdo që ai e konsideron interesant — për të kaluar tri net në një resort privat.
Pak kohë më parë, Amazon më kishte kontaktuar sepse dëshironte të më largonte nga grupi Disney, ku kisha një kompani prodhimi për film dhe televizion.
E refuzova ofertën.
Megjithatë — ose ndoshta pikërisht sepse e refuzova — ekipi i Bezos më ftoi në Campfire, ndoshta me idenë për të më bërë përshtypje duke më treguar deri ku shtrihej ndikimi i tij.
Në një të enjte të ngrohtë tetori, një flotë avionësh privatë ishte dërguar në aeroportet Van Nuys në Los Angeles dhe në New York për të marrë të ftuarit dhe për t’i çuar në Santa Barbara.
Klas i vërtetë.
Në atë moment, kisha vetëm një ide të vagullt se kush do të ishte i pranishëm: njerëz të famshëm, njerëz të pasur, njerëz me ndikim… dhe unë.
Na ishte thënë se lista e të ftuarve do të na jepej sapo të mbërrinim.
Familjet ishin të mirëpritura dhe, për çdo fëmijë, do të kishte një dado të posaçme.
Kështu, unë dhe gruaja ime udhëtuam nga Austin në Los Angeles dhe më pas hipëm në një avion privat për një fluturim 45-minutësh drejt veriut, së bashku me një komedian dhe një figurë të rëndësishme të televizionit.
Bezos kishte rezervuar të gjithë resortin Biltmore për fundjavën, së bashku me klubin e plazhit përballë.
Ai kishte kontraktuar një agjenci nga Las Vegas për të garantuar sigurinë dhe privatësinë tonë.
Edhe moti dukej me pesë yje.
“Pse jam këtu?”
Çdo mëngjes mblidheshim në një auditor për të dëgjuar prezantime të ndryshme.
Nëse keni parë ndonjëherë një konferencë TED, e dini afërsisht si funksionon.
Pasditeve dhe mbrëmjeve ftoheshim të bisedonim lirshëm, me një gotë në dorë ose gjatë vakteve madhështore — pra, në thelb, të krijonim kontakte me disa nga njerëzit më të talentuar në planet.
Pyetja që përsëritej më shpesh mes të ftuarve ishte:
“Pse jam këtu?”
“Pse jam këtu?”, pyeste këngëtari i një grupi hair metal të viteve 1980.
“Pse jam këtu?”, pyeste fituesi i çmimit Pulitzer, historiani i specializuar për presidentët amerikanë, antropologu i njohur…
Vetëm yjet e kinemasë dhe miliarderët nuk e bënin këtë pyetje.
Ata kishin qenë edhe më parë në ngjarje të tilla.
Rezulton se ekziston një lloj “qarku” festivalesh idesh të këtij lloji.
Shumë miliarderë të teknologjisë organizojnë evente të tilla dhe, nëse përfundoni në listën e duhur, mund ta kaloni pjesën më të madhe të vitit duke udhëtuar nëpër botë, duke ngrënë mish wagyu dhe duke diskutuar se si duhet të funksionojë bota.
Kështu kishte filluar fundjava.
Dhe kështu përfundoi:
Gruaja ime theu kyçin e dorës pasi rrëshqiti në barin e lagur, ndërsa unë dhe fëmijët u infektuam me sëmundjen dorë-këmbë-gojë.
Jo, nuk është shaka.
Njëra prej nesh u kthye në shtëpi me krahun të lidhur, ndërsa tre të tjerët kishim fytyrën, duart dhe këmbët të mbuluara me flluska të kuqe, të dhimbshme dhe që kruheshin.
Nëse prisni që i Plotfuqishmi t’ju dërgojë një shenjë për t’ju treguar nëse është ide e mirë të shoqëroheni me njeriun më të pasur në botë, kini kujdes: ai mund t’ju dërgojë jo një, por dy fatkeqësi.
Nuk ka nevojë të them se nuk u kthyem më kurrë në Campfire.
Dhe, në fakt, as nuk u ftuam më.
Aura e pasurisë
Gjatë aperitivit të ditës së dytë, drejtuesi i një agjencie të madhe artistike më pyeti se çfarë mendoja për fundjavën.
I thashë:
“E kam kaluar karrierën duke u përpjekur të kuptoj se si funksionon bota. Nuk e kisha kuptuar se mjaftonte të vije këtu dhe t’i pyesje njerëzit që kanë komandën.”
Në njëfarë mënyre ishte shaka.
Këngëtari i një grupi alternativ country nuk drejton botën. As shkrimtari i famshëm që më vonë do të akuzohej për sjellje të papërshtatshme.
Por, pasi edhe unë u gjenda në atë resort me një ftesë ekskluzive, tani e dija saktësisht se çfarë nënkuptohej me fjalën “elitë”.
Pra, ja ku ishim.
Tetëdhjetë njerëz, pasuria e përbashkët e të cilëve ishte më e madhe se ajo e një qyteti të vogël, por megjithatë pothuajse e papërfillshme krahasuar me pasurinë dhe pushtetin e mikpritësit tonë.
Si e shihte ai vetë këtë ngjarje?
Si hapin e parë drejt një bote më të mirë, apo si mënyrë për të ekspozuar ndikimin dhe perandorinë e tij?
Atë fundjavë Bezos ishte kudo, me një bluzë të ngushtë, duke qeshur me zë të lartë dhe duke i përqafuar djemtë e tij adoleshentë.
Ai sapo ishte bërë personi i dytë në botë me pasuri mbi 100 miliardë dollarë, me rreth 112 miliardë dollarë në atë kohë — afërsisht 96 miliardë euro — pothuajse gjysma e pasurisë që ka sot.
Një shifër e tillë, deri atëherë pothuajse e paimagjinueshme, e bënte atë një rast unik në një planet me tetë miliardë njerëz.
Dhe kjo ndihej në sallë.
Edhe më të pasurit dhe më të famshmit mes nesh tërhiqeshin nga aura e një pasurie kaq marramendëse.
Të jetosh sikur nuk ekziston graviteti
Edhe pse atëherë nuk e dinim, martesa e parë e Bezos do të shpërbëhej vetëm disa javë më vonë.
Përshtypja që më la gruaja e tij atë fundjavë ishte ajo e një gruaje të trishtuar, ndërsa Bezos dukej sikur përpiqej të luante rolin e babait të mirë të familjes.
Duke e parë nga sot, pikërisht kjo më ka mbetur më shumë në mendje.
Jeff Bezos i vitit 2018 dukej ende sikur i interesonte se çfarë mendonin të tjerët për të, sikur vlera e tij financiare dhe shoqërore ende mund të dëmtohej nga publiciteti negativ.
Ai ende besonte se veprimet e tij kishin pasoja.
Nuk ishte çliruar ende, si Daniel Plainview, nga rregullat e njerëzve të zakonshëm.
Tetë vjet më vonë, Jeff Bezos dhe dy nga njerëzit më të pasur në planet — Mark Zuckerberg dhe Elon Musk — duket qartë se i kanë kthyer shpinën botës së pasojave.
Ata notojnë, si në mungesë graviteti, brenda një dhome izolimi shqisor me përmasa planetare, ku tashmë janë vetë gjykatësit e vetëm të veprimeve të tyre.
Sa më shumë afrohesha me botën e pasurive të mëdha, aq më shumë kuptoja se të jesh miliarder nuk do të thotë thjesht të kesh aq shumë para sa të mund të blesh superjahte, avionë privatë apo hektarë të pafund toke.
Do të thotë gjithashtu se, në praktikë, gjithçka bëhet falas.
Çdo aset mund të blihet, por asgjë nuk mund të humbet vërtet, sepse për ata që po afrohen te pasuritë trilionëshe, asnjë humbje, sado e madhe, nuk mund ta dëmtojë statusin apo pushtetin personal.
Për ta, fjala “dështim” pushon së pasuri kuptim.
Ky ndjenjë paprekshmërie ka pasoja të mëdha psikologjike.
Nëse gjithçka është falas dhe asgjë nuk ka më rëndësi, atëherë bota dhe njerëzit e tjerë bëhen thjesht dekor, nëse u kushtohet ndonjë vëmendje.
Kjo nuk është “narcisizëm” në kuptimin klasik të fjalës, ku një imazh madhështor, por i brishtë, për veten mund të fshehë një pasiguri të thellë.
Ajo për të cilën po flas është diçka tjetër: një mënyrë për ta parë veten ku bretkosa fryhet deri në madhësinë e universit, deri në pikën ku vetë universi pushon së ekzistuari.
Të tjerët pushojnë së ekzistuari
Disa dekada kërkimesh në psikologjinë e zhvillimit kanë treguar se ndjenja morale e individit formësohet nga pasojat e veprimeve të tij.
Jo domosdoshmërisht nga ndëshkimi, por nga ndikimi që veprimet kanë mbi njerëzit e tjerë, nga marrja e reagimeve të sinqerta dhe, rrjedhimisht, nga detyrimi për t’u përshtatur me realitetin ashtu siç është dhe jo ashtu siç do të dëshironim të ishte.
Nuk është se të pasurit bëhen automatikisht njerëz “të këqij”.
Problemi është se mjedisi ku jetojnë mund t’i pengojë të mësojnë atë që njerëzit jo të pasur detyrohen ta mësojnë duke jetuar në një botë ku përplasen vazhdimisht me kufizimet.
Kur mund të dalësh nga çdo gabim duke paguar miliona, kur mund të pushosh nga puna këdo që guxon të mos pajtohet me ty, kur rrethi yt shoqëror përbëhet vetëm nga njerëz që duan diçka prej teje, mekanizmi themelor përmes të cilit njerëzit mësojnë se të tjerët janë realë fillon të zhduket.
Kur Peter Thiel deklaroi:
“Nuk besoj më se liria dhe demokracia janë të pajtueshme”,
ai nuk po fliste për lirinë tuaj.
Po fliste për të tijën.
Ju nuk ekzistoni.
Kur Musk solli një sharrë elektrike në Washington për atë shaka të trishtë që ai e quante DOGE — “Departamenti i Efikasitetit Qeveritar” — e bëri me fytyrën e një njeriu që beson se asgjë nuk ka rëndësi: as varfëria, as kaosi, as vuajtja njerëzore.
Ai thjesht po argëtohej.
Nuk kishte rëndësi për të nëse e gjithë ajo ndërmarrje shkatërruese do të sillte apo jo kursime konkrete.
Në mendjen e tij, rezultati ishte vendosur paraprakisht: ai vetëm mund të fitonte, sepse vetë koncepti i dështimit nuk kishte më kuptim.
Që nga zgjedhjet e vitit 2024, kemi parë një ndryshim të vërtetë filozofik në të djathtën politike, veçanërisht mes miliarderëve të teknologjisë, të cilët tani po demonizojnë idenë e empatisë.
Musk e ka quajtur empatinë “dobësia themelore e qytetërimit perëndimor”.
Ai e sheh atë si një armë që progresistët e përdorin për t’i detyruar njerëzit racionalë të veprojnë kundër interesave të tyre.
Sipas këtij këndvështrimi, empatia është diçka që të tjerët ta imponojnë — një dobësi që ata shfrytëzojnë, një derë e pasme përmes së cilës hyjnë te burimet dhe vullneti yt.
Ky refuzim i empatisë si vlerë njerëzore shërben si justifikim për ata që nuk duan të ndiejnë më asgjë.
Nëse empatia është problemi, atëherë mungesa e empatisë nuk është më mangësi.
Shndërrohet në avantazh.
Bezos largohet nga situata
Më në fund e takova Bezos ditën e fundit, gjatë drekës, pas aksidentit të gruas sime.
Shkova ta falënderoja për mikpritjen dhe ai më pyeti se çfarë kisha menduar për Campfire.
I thashë se më kishte pëlqyer shumë, por se, për fat të keq, gruaja ime kishte thyer kyçin e dorës atë mëngjes duke luajtur me top me djalin tonë gjashtëvjeçar.
Atë mëngjes, gruaja ime kishte rënë keq dhe unë isha gjendur në një SUV të zi me një ekip sigurie që na çoi me shpejtësi në hyrjen e shërbimit të urgjencës në Santa Barbara, ku ajo u trajtua menjëherë.
U kthyem në kohë për të ndjekur përmes videolidhjes një ndërhyrje të një gjyqtari të Gjykatës Supreme nga Washingtoni.
Një orë më vonë Bezos më pyeti:
“Çfarë menduat për Campfire?”
Meqë jam njeri i drejtpërdrejtë dhe edhe vetë kam organizuar festa, mendova se mund t’i interesonte të dinte se kishim pasur një problem të vogël, por se ekipi i tij kishte reaguar shpejt dhe ishte kujdesur jashtëzakonisht mirë për ne.
Me pak fjalë, nuk po e fajësoja aspak dhe sigurisht nuk kisha ndërmend të shantazhoja njeriun më të pasur në botë.
Po i ofroja thjesht Bezos, i cili është gjithashtu bashkëshort dhe baba, një moment të shkurtër komunikimi nga njeriu te njeriu.
Por kur i tregova çfarë kishte ndodhur, Bezos mori një shprehje të tmerruar në fytyrë.
Nuk tha:
“Më vjen shumë keq.”
As:
“A ju duhet ndonjë gjë?”
Jo.
Ai bëri një grimasë dhe, një pjesë sekonde më vonë, një nga asistentët e tij u shfaq dhe e largoi prej andej.
Kur i dhashë mundësinë të tregonte empati — qoftë edhe vetëm sa për formë — ai zgjodhi të largohej.
Disa orë më vonë, në avionin privat që po na kthente në shtëpi, një producent i famshëm filmash i ofroi një batanije gruas sime.
Fytyrat e fëmijëve të mi ishin mbuluar me puçrra.
Ndërsa mua po më shfaqeshin njolla të kuqe nën thonj.
Një fenomen shkëputjeje
Që nga kohët më të hershme, bota është drejtuar nga burra të pasur.
“Baronët grabitqarë” të Epokës së Artë, në fund të shekullit XIX, njiheshin për mungesën totale të mëshirës në krijimin e pasurive të tyre — deri në përdorimin e agjencisë së sigurisë Pinkerton për të vrarë grevistët.
Por ata njerëz ende ndërvepronin me botën përreth tyre.
Thjesht përdornin pasurinë dhe pushtetin për ta formësuar sipas dëshirës.
Miliarderët e sotëm padyshim e manipulojnë shoqërinë për të maksimizuar fitimet e tyre.
Por po shfaqet edhe një fenomen tjetër: ata po shkëputen nga lidhja mes shkakut dhe pasojës, nga kuptimi i gjërave dhe nga historia.
Këta njerëz as nuk kanë më nevojë ta ndryshojnë botën për të pasur sukses, sepse suksesi i tyre është tashmë i garantuar, pavarësisht se çfarë ndodh me ne të tjerët.
“Përfundova!”, bërtet Daniel Plainview, i përkulur mbi parketin e lëmuar të Olimpit që ka ndërtuar për veten.
Sapo ka kryer një akt të tmerrshëm.
Dhe kurrë nuk është ndier më i lirë.















