Ballina IA IA dhe rritja ekonomike: Skenarët e ekonomistëve vihen në provë

IA dhe rritja ekonomike: Skenarët e ekonomistëve vihen në provë

Nga Antoine Lévy

Laureati i Çmimit Nobel në Ekonomi, Robert Lucas, shkruante në vitin 1988 se, sapo njeriu fillon të mendojë për pasojat e rritjes ekonomike, bëhet e vështirë të mendojë për diçka tjetër. Me këto fjalë disi provokuese, ai synonte të kujtonte një të vërtetë të thjeshtë: Nëse çështjet – shumë më shpesh të debatuara – të rishpërndarjes së të ardhurave, politikës fiskale apo luftës kundër recesioneve duken thelbësore në jetën e përditshme, sapo të marrim parasysh një horizont më të gjatë kohor, edhe ndryshimet fare të vogla në normat e rritjes ekonomike mes vendeve ose rajoneve, të akumuluara gjatë një periudhe të gjatë, do të bëjnë gjithë dallimin mes pasurisë dhe varfërisë, autonomisë dhe varësisë, zhvillimit dhe stagnimit. Me pak fjalë, në një horizont mjaftueshëm të gjatë kohor, rritja ekonomike, dhe vetëm ajo, përcakton fatin tonë ekonomik.

Kohët e fundit duket se kjo thënie vlen në mënyrë veçanërisht të përshtatshme për efektet e inteligjencës artificiale mbi ekonominë tonë dhe, më gjerësisht, mbi organizimin tonë shoqëror. Borxhi publik, tarifat doganore, konfliktet ushtarake, taksat Zucman, indeksimi i pensioneve apo një politikë monetare tepër shtrënguese; të gjitha këto çështje, që dominojnë debatin ekonomik të momentit, duken të destinuara të humbasin rëndësinë përballë së vetmes pyetje që duket se do të ketë vërtet peshë: A do të jetë IA-ja shpëtimi ynë ekonomik apo, përkundrazi, rrënimi ynë kolektiv?

Të gjithë mund të shohin tashmë përparimet marramendëse të inteligjencës artificiale gjenerative dhe dobinë e saj si asistente, si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë personale. Muajt e fundit kanë bërë që edhe skeptikët më të mëdhenj të mbeten të mahnitur nga dy kapërcime të njëpasnjëshme cilësore: Modelet e ashtuquajtura të “arsyetimit”, të afta të rishikojnë vetë zinxhirët e tyre të arsyetimit dhe, në këtë mënyrë, të shmangin ngecjen në gabim; si dhe “kthesa drejt agjentëve”, e cila tashmë u mundëson sistemeve të inteligjencës artificiale të dalin përtej kuadrit të bisedës me përdoruesin dhe të ndërhyjnë drejtpërdrejt në krijimin e produkteve ose dokumenteve, në përdorimin e mjeteve virtuale apo në zgjidhjen e pavarur të problemeve komplekse.

Polemikë shkencore

Megjithatë, edhe pse këto inovacione teknologjike janë përhapur në shoqëri me një shpejtësi të paprecedentë dhe edhe pse arritjet shkencore të IA-së tashmë kanë revolucionarizuar matematikën ose biologjinë, ato ende nuk duket se e kanë transformuar rrënjësisht tregun e punës apo se kanë përshpejtuar në mënyrë të dukshme ritmin e rritjes ekonomike. A bëhet fjalë thjesht për një problem të matjes së papërsosur ose të paplotë të produktivitetit? Apo për një vonesë të fundit përpara “ndezjes së motorit”, para se të nisë realisht përshpejtimi i rritjes ekonomike që premton IA-ja? Apo ka kufizime më strukturore ndaj ndikimit të një teknologjie që, ndonëse mbresëlënëse, për momentin mbetet e përqendruar në detyra intelektuale që nuk përbëjnë pjesën kryesore të veprimtarisë ekonomike?

Mes ekonomistëve, debati mbi ndikimin e IA-së në rritjen ekonomike është bërë tepër i ashpër, deri në atë pikë sa javët e fundit ka nxitur një polemikë të vërtetë shkencore, themelet e së cilës ndihmojnë për të qartësuar çështjet që qëndrojnë pas këtyre parashikimeve. Nga njëra anë janë një numër studiuesish të njohur, si Chad Jones ose Anton Korinek, të cilët iu bashkuan Anthropic-ut – kompania që krijoi Claude – dhe që së fundmi paraqitën një sërë skenarësh që sugjerojnë mundësinë konkrete të një norme të rritjes ekonomike mbi 15% në vit që nga fundi i viteve 2020. Nga ana tjetër janë makroekonomistë, mes tyre Ben Moll dhe Luis Garicano, të cilët, pa e mohuar aspak ndikimin e konsiderueshëm të IA-së, tregohen më të kujdesshëm për sa u përket efekteve të saj makroekonomike në afat të shkurtër dhe vlerësojnë se, duke përdorur modele të ngjashme, por parametra ekonomikë më të arsyeshëm, edhe një përshpejtim më modest i rritjes, në 4 ose 5% në vit deri në vitin 2030, do të përbënte tashmë një rezultat të jashtëzakonshëm.

Tre faktorë qëndrojnë në themel të këtyre dallimeve. Së pari, ekziston një mosmarrëveshje mbi përmasën e detyrave që potencialisht mund të automatizohen në ekonomi: Grupi i parë parashikon një botë në të cilën të gjitha detyrat që sot u besohen punonjësve mund të kryhen nga IA-ja deri në vitin 2030, ndërsa grupi i dytë kujton se, përtej profesioneve manuale që sot preken pak nga IA-ja, çdo vend pune përbëhet nga një kombinim i çrregullt detyrash (messy jobs), disa prej të cilave do të kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u automatizuar, nëse do të automatizohen ndonjëherë.

Publicitet

Më pas vjen dallimi mbi mundësinë e një “vetëpërmirësimi rekursiv” (recursive self improvement) të modeleve të IA-së në afat të shkurtër. Sipas këtij skenari, pasi modelet të bëhen vetë aktorët kryesorë të zhvillimit të tyre, produktiviteti i tyre do të rritej në mënyrë eksponenciale dhe ato do t’i tejkalonin me shpejtësi njerëzit jo vetëm në detyrat njohëse, por në tërësinë e aftësive të tyre, përfshirë edhe ato që lidhen me ndërveprimin me botën fizike ose me ndërveprimet shoqërore. Së fundi, këto dy grupe u japin peshë të ndryshme faktorëve frenues – politikave rregullatore, “aksidenteve industriale” dhe reagimit të publikut kundër qendrave të të dhënave – që mund ta ngadalësojnë përhapjen e IA-së në shkallë makroekonomike.

Një çështje politike shpërthyese

Rëndësia e kësaj polemike mund të duket e kufizuar: Në fund të fundit, nëse hipoteza të ndryshme mbi vlerat që duhen përdorur për kalibrimin e një modeli të rritjes ekonomike çojnë në rezultate që ndryshojnë deri në katërfish për parashikimin e rritjes gjatë 5 deri në 10 viteve të ardhshme, a nuk është i kotë gjithë ky ushtrim dhe i kufizuar vetëm në debatet intelektuale të një grupi të vogël specialistësh?

Megjithatë, rëndësia e këtyre modelimeve është vendimtare dhe përbën një çështje politike shpërthyese. Në fakt, përfitimet e mundshme ekonomike duhet të vihen përballë rreziqeve ekzistenciale që përparimet e IA-së mund t’i paraqesin njerëzimit. Skenarët katastrofikë po shumëfishohen dhe mes specialistëve të sektorit është krijuar zakoni disi makabër për të llogaritur “p(doom)” e tyre, domethënë “probabilitetin e katastrofës ekzistenciale” që lidhet me zhvillimin e IA-së.

Nëse përfitimet e mundshme ekonomike që duhen vënë përballë këtyre skenarëve të zhdukjes janë tepër modeste, atëherë rreziku ndoshta nuk ia vlen: Kush do ta vinte në rrezik njerëzimin për një ose dy pikë përqindjeje shtesë të rritjes ekonomike vjetore? Nëse, përkundrazi, “skenari optimist”, pa ndonjë katastrofë të madhe, çon vërtet në një prosperitet masiv të paprecedentë në historinë njerëzore dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, atëherë aktorët e IA-së mund të paraqesin një argument të fuqishëm kundër çdo rregullimi të tepruar që mund ta vonojë këtë nirvanë ekonomike potencialisht të arritshme. Të marrësh anë në këtë debat ekonomik do të thotë, pra, me shumë gjasë, të zgjedhësh edhe kampin tënd politik: Atë të një “pauze” në zhvillimin e IA-së ose atë të përshpejtimit, pavarësisht pasojave.

Antoine Levy është profesor dhe studiues në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley./L’Express.fr