Është një përmbysje historike, e ndodhur pa zhurmë dhe pa ndonjë njoftim zyrtar. Me vënien në punë të reaktorëve Taipingling 2 dhe Changjiang 3, Kina e çoi, në kulmin e verës, fuqinë e instaluar të parkut të saj bërthamor – të përbërë nga 62 njësi – në afro 64 gigavat (GW), duke kaluar kështu Francën, e cila ka 57 reaktorë me një fuqi të përgjithshme prej rreth 63 GW, vëren faqja Connaissance des énergies.
Franca, tashmë e treta në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, humbet kështu një pozicion që e kishte mbajtur prej dekadash. Që në vitin 2020, prodhimi vjetor bërthamor i Kinës kishte tejkaluar atë të Francës, pasi Pekini i shfrytëzonte centralet e veta me intensitet më të lartë se Parisi.
“Ky kapërcim duhet relativizuar”, thotë një drejtues i EDF-së. “Ishte i pashmangshëm. Kina ka nevoja energjetike shumë më të mëdha se tonat dhe ka edhe mjetet financiare për t’i përballuar. Parku i saj do të vazhdojë të zgjerohet. Rreth vitit 2030, me shumë gjasa do të bëhet parku më i madh bërthamor në botë.”
Nga ana tjetër, “me afro 70 për qind të prodhimit të saj të energjisë elektrike që vjen nga energjia bërthamore, Franca mbetet kampione e këtij sektori, me kapacitete të rëndësishme industriale dhe me nivelin më të ulët të emetimeve të CO₂ për frymë ndër vendet e G7-s”, shton Bernard Accoyer, president i shoqatës Patrimoine nucléaire et climat (PNC-France).
Megjithatë, dallimi midis Francës dhe Kinës, si në ritmin e zhvillimit ashtu edhe në vizionin strategjik, është domethënës.
Nga 72 reaktorët që aktualisht janë në ndërtim në botë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), gjysma ndodhen në Kinë, e cila vetëm ajo numëron 37 kantiere. Çdo vit, Pekini nis ndërtimin e dhjetë reaktorëve të tjerë. Për përfundimin e tyre mjaftojnë pesë deri në gjashtë vjet – një ritëm që të kujton Francën në kulmin e ekspertizës së saj industriale gjatë viteve 1980.
“Në atë kohë, Kina nuk dinte të ndërtonte reaktorë. Ne u treguam si bëhej, përmes transferimeve të mëdha teknologjike, dhe më pas ajo i kaloi të gjithë”, vëren një ekspert.
Një pjesë e madhe e reaktorëve të sotëm kinezë e kanë, pra, origjinën në ekspertizën franceze dhe amerikane. Me kalimin e viteve, këto teknologji janë përsosur, përmirësuar dhe “sinicizuar”, duke u përshtatur dhe zhvilluar në versione kineze.
Por ajo që sot i mahnit më shumë specialistët është mbi të gjitha organizimi industrial i Kinës.
Në Francë, një ringjallje ende e paplotë
Në kantieret kineze, ekipet e ditës ndërtojnë, ndërsa ato të natës kryejnë furnizimet dhe logjistikën, në mënyrë që të kursehet kohë. Udhërrëfyesi është i qartë: askush nuk pyet se kush duhet të bëjë çfarë. Të gjithë punojnë për të njëjtin objektiv.
“Nuk duhet menduar se kinezët janë kaq të suksesshëm vetëm falë nesh. Ata kanë ditur të krijojnë metodat e tyre. Ndërtojnë për pesë vjet reaktorë që, për nga vëllimi, janë më të mëdhenj se EPR-të tanë, dhe këtë e bëjnë me një kosto tri herë më të ulët. Mund t’i përgëzojmë për këtë, por gjithashtu duhet të na vijë keq që ne e kemi humbur atë vizion industrial”, analizon Hervé Machenaud, ish-drejtor ekzekutiv i EDF-së, i cili ka shoqëruar zhvillimin e grupit francez në Kinë.
“Kur në shkurt Sébastien Lecornu nisi PPE3 – Programimin shumëvjeçar të energjisë – ai iu referua planit të famshëm Messmer, i cili, duke nisur nga vitet 1970, ndërtoi në mënyrë efikase shtyllën kurrizore energjetike të Francës. Por nëse sot ekziston vërtet një nismë e këtij lloji, atë e gjejmë në Kinë. Jo tek ne”, gjykon Henri Wallard, ish-drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Franceze për Menaxhimin e Mbetjeve Radioaktive (Andra).
“Ringjallja e sektorit nuk nënkupton vetëm ndërtimin e reaktorëve të rinj me ujë nën presion. Duhet të parashikohen gjithashtu lëndë djegëse të riciklueshme, të cilat në fund do të konsumohen në reaktorë me neutrone të shpejta. Në Kinë, të gjitha këto elemente merren parasysh. Në Francë flitet shumë për reaktorët me ujë nën presion, shumë pak për reaktorët me neutrone të shpejta dhe edhe më pak për mbylljen e plotë të ciklit të karburantit bërthamor.”
Franca, pra, po luan vetëm një pjesë të partiturës. Të paktën për momentin.
“Kina thjesht ka riprodhuar, me disa dekada vonesë, atë zotërim industrial që Franca e kishte në vitet 1980 dhe 1990 – periudhë gjatë së cilës fitonte tenderë të mëdhenj ndërkombëtarë, nga Afrika e Jugut deri në Kore. Në teori, asgjë nuk na pengon që të rikthehemi në rrugën e duhur”, vlerëson Hervé Machenaud.
Por kjo kërkon zbutjen e disa kufizimeve.
Së pari, në fushën e punësimit dhe rekrutimit: industria bërthamore vazhdon të vuajë nga mungesa e fuqisë punëtore, duke filluar nga saldatorët.
Së dyti, çështja shtrohet në nivel evropian.
“Po presim një miratim të rëndësishëm nga Brukseli për mënyrën e financimit të EPR2-ve. Rreziku është që, si kundërshpërblim, të na imponohet një sistem i ri që do ta detyronte EDF-në të rishesë energji elektrike me çmime të ulëta në emër të konkurrencës. Do të ishte një lloj Arenh-i i maskuar”, shqetësohet një specialist.
Arenh ishte mekanizmi francez i “qasjes së rregulluar në energjinë bërthamore historike”, i cili e detyronte EDF-në t’u shiste konkurrentëve një pjesë të prodhimit të saj bërthamor me çmim të administruar.
Së fundi, bindja për dobinë e energjisë bërthamore duhet të vazhdojë të përhapet si në shoqërinë franceze, ashtu edhe në klasën politike.
“Shumë kandidatë vazhdojnë të mbeten të paqartë kur bëhet fjalë për çështjet energjetike”, paralajmëron Bernard Accoyer.
“Por këtu bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Pa një ringjallje të suksesshme të energjisë bërthamore, nuk do të ketë riindustrializim.”/L’Express















