Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është zgjedhur të hënën nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Kandidatura e saj u propozua nga deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ndërsa në votimin e zhvilluar në Kuvend Çitaku mori 95 vota pro.
Zgjedhja e saj vjen pas dështimit të votimit të 11 shtatorit, kur Çitaku nuk arriti të siguronte votat e nevojshme për postin e nënkryetares.
Në atë seancë ajo kishte marrë 44 vota pro, një votë kundër dhe 56 abstenime. Pas rezultatit, deputetët e PDK-së kishin lëshuar sallën e Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës kishte konfirmuar zyrtarisht se, pas votimit të 11 shtatorit, PDK-ja ruante të drejtën të propozonte përsëri kandidatin e saj për nënkryetar.
Në seancën e 13 shtatorit, Kuvendi ishte shpallur i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e PDK-së. Nga partitë dhe komunitetet e tjera, në postet e nënkryetarëve ishin zgjedhur Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shala nga LDK-ja, Tanja Vujoviq nga komuniteti serb dhe Emilia Rexhepi nga komunitetet tjera joshumicë.
Me votimin e 28 shtatorit, Vlora Çitaku merr tashmë zyrtarisht postin e nënkryetares së Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës./TN















