Këshilli i protestave për rastin e Almir Aliut nuk është i befasuar nga vendimi gjyqësor. Sipas tyre, nga një Gjykatë, siç e quajnë ata jo legjitime, nuk pritej vendim tjetër. Aktori Visar Vishka paralajmëron hapa të ardhshëm, por mos konkretizuar se cilët do të jenë ato.
Mua personalisht aspak nuk më befason gjyqi dhe aspak nuk më befason “DUI” ose Ali Ahmeti me 80 mijë hajdutët e tij. Mua më befasoi dhe zhgënjeu LSDM-ja e cila dështoi dhe u tregua njëlloj si dhe të tjerët kur bëhet fjalë për shqiptarët.
Jam shumë i zhgënjyer dhe nuk e di se ku shumica e qytetarëve shqiptar do të gjejnë partner nga partitë politike maqedonase me të cilën do të bashkëpunojnë. Sa për hapat e ardhshëm, tani për tani është sekret. Jemi duke punuar dhe duke bërë plan dhe se shumë shpejtë do të dalim edhe me aksion – deklaroi Visar Vishka,
Këshilli i Protestave. Ndaj vendimit gjyqësor reaguan edhe partitë politike shqiptare, me përjashtim të BDI-së e cila nuk u prononcua aspak për rreth vendimit skandaloz. Subjektet opozitare shqiptare dënuan veprimin e gjykatës duke e akuzuar për diskriminim mbi baza etnike. Ndërkohë palët paralajmëruan apelimin e vendimit në gjykatën e shkallës dytë. Mbrojtja e familjes Aliu veç tjerash paralajmëron edhe padi ndaj gjykatëses Maja Denkovska dhe prokurores Suzana Kusigerska.
Nga ana tjetër, mbrojta e Boban Iliq do të ankimojë vendimin në Apel pasi që sipas tyre, Gjykata ka shqiptuar dënim ndaj një personi i cili nuk është fajtor. Ndaj lartësisë së dënimit do të ankohet edhe Prokurorja Publike e Kumanovës, Teuta Bediu Ramadani. Një ditë më parë, Gjyakata i dha epilog gjyqësor rastit të Almirit duke dënuar kështu me 6 vite burg Boban Liqin, 6 muaj Sedat Aliun dhe nga 9 muaj Abdulla Aliun dhe Sami Demirin. Pas përgatitjes së aktgjykimit në formë të shkuar, palët brenda afatit 15 ditor do të ankimojnë vendimin në Apel.
Rasti Almir Aliut mori epilog gjyqësorë pas gati dy vitesh, periudhë kjo brenda të cilës u rikualifikua vepra, u shtrua akuza pa ekspertizë neuropsikiatrike e përgatitur nga ekspert pa licenca dhe nuk u pranuan dëshmi të shumta në procedurë, si dëshmitarët okular etj. Jashtë akuzës mbeti vëllai i Boban Iliq, Bojan Iliq për të cilin kamerat e sigurisë dëshmojnë se ka kryer dhunë ndaj të dënuarve për dhunë, ndërsa familjes Iliq, vetura me të cilën u shtyp për vdekje Almir Aliu iu kthye pa mbaruar procedura gjyqësore./alsat/