Një nga raportet më të fundit të Organizatës Botërore të Burgjeve dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka listuar Shqipërinë si vendin e parë në Ballkan për numrin e të burgosurve.
Duke iu referuar përllogaritjeve të bëra në këtë raport rezultonte se të burgosurit në Shqipëri përbëjnë 0.2 përqind të numrit të popullsisë.
Numri i personave të izoluar në paraburgimet dhe burgjet e vendit shkon në rreth 5800 persona, nga të cilat 100 janë femra. Por aktualisht, kjo shifër shoqërohet me një kosto të lartë për buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, taksapaguesve shqiptarë i kushton mbajtja në qeli e një të burgosuri mashkull në 24 orë, duke llogaritur kështu të gjitha shpenzimet e kërkuara, rreth 2 mijë lekë të reja në ditë.
Ndërsa për një të burgosur femër, shpenzimet shkojnë nga 5-7 mijë lekë të reja në ditë.
Diferenca e madhe e kostos mes dy sekseve vjen nga specifikat e shërbimeve të nevojshme tek femrat, siç janë shërbimet mjekësore për shtatzënat, apo nevojat për staf civil në rastet e nënave me fëmijë nën 3 vjeç, që zgjedhin ta mbajnë foshnjën në burg.
Kostoja shkon në rritje për të burgosurit e sëmurë, gati 6.500 lekë të reja në ditë.
Ndërsa shpenzimi më i madh i sistemit të burgjeve shkon për të miturit, mbajtja në qeli e të cilëve kushton 12 mijë lekë të reja në ditë.
Duke iu referuar shifrave që transmeton “ABC News”, kostoja mesatare e një të burgosuri në Shqipëri varion nga 60 mijë deri në 360 mijë lekë në muaj për person, në një kohë që paga mesatare mujore në vend llogaritet në 45 mijë lekë të reja.